TIRANË 3 dhjetor /ATSH-I.Vata/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka falënderuar Angela Merkelin me rastin e largimit nga detyra si kancelare e Gjermanisë për vendimet që ka marrë për Kosovën dhe Shqipërinë.

Në mesazhin e falënderimit për Angela Merkel, Basha thekson se Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët do të jenë përjetë mirënjohës për vëmendjen e saj.

“Faleminderit, Angela Merkel! Lidershipi juaj, në kohëra shumë të trazuara që kaloi bota, është një shembull frymëzues. Angazhimi juaj e bëri Europën më solidare, të bashkuar dhe të aftë të kalojë kriza jo të lehta. Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët do të jenë përjetë mirënjohës për vëmendjen tuaj. Gjithë të mirat në jetën tuaj dhe suksese në angazhimet e ardhshme”, shprehet Basha në mesazhin e tij.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.