Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Berisha në Korçë: Pozicionin tim në parti do e përcaktojnë demokratët me votë

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha vijoi sot në qytetin e Korçës takimet e tij me demokratët.

Në “Foltoren” e qytetit të Korçës, Berishës iu bashkua edhe deputetja demokrate, Sorina Kote dhe Edmond Spaho.

Berisha në fjalën e tij para demokratëve tha se pozicionin e tij në parti do e përcaktojnë demokratët me votë.

“Mbledhja e Kuvendit është imperative. Ne duhet të bashkohemi, të votojmë, të pranojmë votën. Përpjekja ime së pari nuk është personale. Qëllimi më madhor është që të rikthejmë vlerat te PD. Votën e lirë. Do rikthehem i hapur për çdo funksion në harkun kushtetues të vendit. Duke thënë këtë, në mënyrë absolute do respektoj çdo garë dhe verdikt. Do mirëpres çdo rival me vlerësimin më maksimal. Se cili do jetë pozicioni i Sali Berishës, do e përcaktojë anëtarësia e Partisë Demokratike”, tha ai.

Sipas ish-kreut të PD-së, Rama nuk ikën nga pushteti me votat që kontrollon vetë, as me opozitë kukull. ”Ai ikën me protesta për të zezat që i ka bërë këtij vendi. Për t’i bërë këto, ne duhet të ringrihemi mbi bazën e këtyre parimeve”, deklaroi Berisha.

Berisha në fjalën e tij tha se në pushtet nuk do të vijnë kurrë nëse nuk do të jenë forcë politike sovrane.

“Nëse vendimet për ne i merr dikush tjetër, ne nuk jemi më forcë sovrane. Ne jemi opozitë fasadë. Duhet të heqim dorë nga ideja se ky ka humbur, por nuk kemi më të mirë. Ky rri, por derën e fitores nuk e çel më. Armin Laschet ishte kryetar i CDU në Gjermani për 8 muaj. Dha dorëheqjen pasi humbi në zgjedhje. Unë jam për të dhënë dorëheqjen,” tha Berisha.

Berisha foli edhe për reformimin e PD-së.

“Duhet hapje e madhe. Duhet të përthithim forcat, intelektualë, ekspertët më të mirë në mënyrë që qeverisja jonë të ketë përgatitjen më të mirë. Themeli është vlera demokratike brenda partisë. Do t’i japim fund kësaj situate. Se kush do jetë deputet do të vendosni ju me primare. Këto primare krijojnë raportin më të ndershëm të deputetit me zgjedhësin. Nuk do jetë kusht që kryetari i partisë të jetë kryeministër. Mjafton të heqim unin dhe të vëmë si qëllim kryesor shërbimin ndaj vendit. Dhe për kryeministrin do të vendosni ju me primare. Vendimet do të jenë kolegjiale. Partia do të përgatitet për fraksione. PD do të jetë shtëpia e lirisë. Fraksionet kanë rregullat e tyre. Cilido le të lexojë, ato ekzistojnë. Duan punë të krijohen, por rrugën e ke të hapur”, tha Berisha. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.