Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Ditari sekret i Enver Hoxhës (III)/ Shënimet për vizitën “private” të Shtrausit, si mbërriti në vendin tonë mysafiri i shquar gjerman

Një homazh për Franc Jozef Shtrausin

Xhevdet Shehu

Sikurse e kemi thënë në pjesën e parë të shënimeve për botimin e këtyre fragmenteve nga ditari sekret i Enver Hoxhës, hapat e parë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Republikës Federale Gjermane janë hedhur qysh në shkurt të vitit 1982. Por u deshën të kalonin pesë vjet deri sa ato u bënë një realitet i prekshëm. Është shkruar shumë për historinë e lidhjes së këtyre marrëdhënieve dhe, pak a shumë të gjithë bashkohen në një pikë: Franc Jozef Shtrausi, kancelari i Bavarisë, ka qenë një katalizator i fuqishëm për përshpejtimin e hapave të duhur për të arritur qëllimin.

Politikani i lartë gjerman, Franc Jozef Shtraus, si kryeministri i Landit të Bavarisë, e vizitoi Shqipërinë tre herë në harkun e viteve 1984-1987. Vizitën e parë e bëri më në gusht 1984, të dytën në maj 1986 dhe të tretën në nëntor 1987.

Herën e parë ai erdhi në rrugë tokësore nga Hani i Hotit, kaloi tre ditë në vendin tonë, mandej shkoi në Greqi.

Herën e dytë mbërriti në aeroportin e Rinasit me një avion të vogël çarter, që e drejtonte vetë.

Në të dy rastet vizita ishte jo-zyrtare. Dhe meqenëse nuk ishin zyrtare, u pasqyruan shumë pak në shtypin dhe median shqiptare. Në vizitën e parë, Enver Hoxha ishte gjallë dhe nga ditari i tij kemi shkëputur pikërisht mendimet e tij për këtë politikan të shquar gjerman që përshpejtoi lidhjet midis dy vendeve tona.

Në nëntor 1987 ai erdhi pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Gjermani, për të takuar ish Presidentin Ramiz Alia dhe për ta uruar tashmë zyrtarisht për marrëdhëniet diplomatike, të cilat ishin vendosur më 2 tetor të po atij viti.

Sipas komenteve të Deutsche Welle, Shtrausi është treguar pragmatik në marrëdhëniet me Shqipërinë. Ai ishte i ftohtë ndaj ideologjisë sunduese. Dy vizitat e para, ndonëse jo-zyrtare, ndihmuan në njohjen më të mirë të Shqipërisë në R.F. Gjermane dhe shpejtimin e hapave për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike.

Këtë fragment nga ditari i Enver Hoxhës që po botojmë prej tri ditësh në DITA, le ta konsiderojmë si një homazh për mikun e madh të Shqipërisë, Franc Jozef Shtraus. Pavarësisht se përkon edhe me ditëlindjen e Enver Hoxhës. Sepse Kryeministri i Bavarisë u nda nga jeta më 3 tetor 1988, pra 33 vite më parë, pas një ataku në zemër.

Më ka ngelur në mendje kjo përgjigje e Shtrausit, pasi u kthye nga Shqipëria në vitin 1987. E pyeti gazetari:

Ju jeni njëri nga politikanët që përpiqen prej një kohe të gjatë për përmirësimin e marrëdhënieve. Pse e keni bërë këtë, pse pikërisht me Shqipërinë, e cila është krenare të konsiderohet trashëgimtare e vetme e vërtetë e kursit leninist-stalinist?

Ja përgjigjja e Franz-Josef Strauss-t:

“Për çështje ideologjike… duhet të kujdesemi këtu më pak. Sepse pastaj shtrohet pyetja se kush e ka kursin e drejtë marksist-leninist: BS, RDGJ apo Hungaria. Shqipëria ka përfytyrimet e saj, domethënë udhëheqja shqiptare. Por që prej fundit të Luftës II Botërore nuk ka marrëdhënie diplomatike midis RFGJ-së dhe Shqipërisë. Kur në vitin‚ 84 unë shkova në Shqipëri, si turist kujtoja, unë u përfshiva edhe në biseda politike. Unë munda t’i bindja partnerët shqiptarë të bisedimeve, se marrëdhëniet diplomatike, pavarësisht si janë sistemet, janë patjetër të mira. Ato nuk varen nga sistemet shoqërore. Doli në pah se ishte interesi i Shqipërisë të lidhte marrëdhënie ekonomike me RFGJ-në. Kjo punë u zgjat një copë të mirë kohe. Në vitin 1986 u arrit hapi i suksesit. Shqiptarët hoqën dorë nga disa kërkesa, të cilat ishin të papranueshme për ne. Dhe pastaj erdhi akti përfundimtar këtë vit. Mua këtë herë më ftuan, në mënyrë që si të thuash në një mënyrë festive dhe ceremoniale, për të festuar me ta fundin e përpjekjeve të mia.”

E pra, a nuk është mirë të shikojmë dhe të gjykojmë se si mendonte Franc Jozef Shtrausi në atë kohë, por edhe se i mendonte Enver Hoxha dhe pasardhësit e tij në atë kohë? Si gazetar, unë mendoj se po. Nëse nuk do të isha i interesuar për të kaluarën, për një të kaluar relative, si kjo e para më shumë se tri dekadave, për të cilën mendoj se është shumë e rëndësishme, nuk do kisha marrë mundimin për t’i botuar këto kujtime të Enver Hoxhës, ku feksin edhe qëndrimet e Shtrausit, të cilat në të vërtetë janë pikëpamjet perëndimore për Shqipërinë e asaj kohe. Por, zhvillimet e mëvonshme nuk mund të kuptohen pa njohur këto qëndrime.

Prandaj dhe ne po i botojmë, përtej çdo paragjykimi.

**************

POGRADEC, E DIEL 22 KORRIK 1984

SHTRAUSI KËRKON TË KALOJË TRANZIT NËPËR VENDIN TONË

Ambasadori ynë në Vjenë njofton me radiogram se sekretari i Zyrës së Kancelarisë të Bavarisë të J. Shtrausi ka telefonuar për të pyetur nëse mund t’i jepet një vizë turistike për kalimin tranzit të Shtrausit nga Jugosllavia në Greqi nëpërmjet territorit të vendit tonë.

Mendoj se kjo kërkesë nuk është e rastit, as thjesht dëshirë turistike. Për këtë çështje do të bisedoj edhe me Ramizin, por paraprakisht mendoj se duke pasur parasysh përgjegjësinë shtetërore të Shtrausit në Bavari, si dhe influencën e tij në të gjithë Gjermaninë Perëndimore, nuk ka arsye që të mos e autorizojmë të kalojë tranzit nëpër vendin tonë. Bile, është mirë t’i thuhet se kalimi nga kufiri i Jugosllavisë për në Greqi brenda një dite, do të jetë i lodhshëm, prandaj t’i sugjerojmë të qëndrojë një ditë në vendin tonë në vizitë private dhe, me këtë rast, të njihet me të. Kjo do të jetë një shenjë korrektësie e politikës sonë të jashtme, në të njëjtën kohë edhe e mirësjelljes shqiptare, pra në favorin tonë.

RRETH QENDRIMIT NË VENDIN TONR TE SHTRAUSIT

POGRADEC, E HENE 20 GUSHT 1984

Sot lexova një informacion të Ministrisë së Punëve të Jashtme, që ma dërgoi Ramizi, rreth mbërritjes në vendin tonë të kancelarit të Bavarisë, J. Shtraus, siç kam shkruar, kishte kërkuar një vizë për kalim tranzit nëpër territorin e Shqipërisë. Do të qëndrojë këtu një ditë për vizitë private, por do të trajtohet si mik i Komitetit për Marrëdhëniet Miqësore e Kulturore me vendet e huaja. E shoqërojnë dy djemtë dhe dy miq të tij personalë.

Në postën kufitare të Hanit të Hotit ai është pritur nga persona zyrtarë të vendit tonë. (J. Shtrausi arriti në pikën kufitare të Hanit të Hotit me 17 gusht 1984).

Faqja e parë e DITA 16/10/2021

Nga sa lexova në informacionin që më dërguan, Shtrausi është shumë i kënaqur nga pritja që i është bërë qëkurse mbërriti në kufirin tonë dhe këtë e ka shprehur që në takimin e parë që pati me shokët tanë në Shkodër.

Në bisedë e sipër ka folur për disa çështje që i ka quajtur “të brendshme e konfidenciale”, sepse, siç ka thënë ai “Megjithëse kam vetëm një orë që njihem me ju, unë kam besim te ju shqiptarët”. Midis të tjerave, ai kishte thënë se “Bashkimi Sovjetik është një superfuqi e çalë”, dhe se disa nga aleatët e tij (nënkuptohet në Traktatin e Varshavës) nuk do të luftojnë me të”.

Për ne Bashkimi Sovjetik është tamam superfuqi atomike, kurse porsa i përket asaj që popujt e Europës Lindore nuk kanë për të luftuar nuk kanë për të luftuar përkrah ushtrisë sovjetike nëse ajo ndërmerr veprime agresive ndaj vendeve të tjera, Shtrausi ka të drejtë.

Shtrausi kishte thënë pastaj se një vit më parë Honekeri ( Enrik Honeker, Sekretar Përgjithshëm KQ të Socialiste të Bashkuar Gjermane dhe kryetar i shtetit të RD Gjermane) i kishte dërguar një letër konfidenciale prej 12 faqesh për gjendjen e vështirë ekonomike te Republikës Demokratike Gjermane dhe për nevojat që ka ajo për ndihmë financiare nga Boni; se midis Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës Demokratike Gjermane nuk do të ketë kurrë luftë kundër njëra-tjetrës pavarësisht se ç’mund të bëjnë sovjetikët. “Ne, – kishte thënë Shtrausi me këtë rast, – jemi për vetëvendosjen e popullit gjerman, por në rrugë paqësore dhe kjo do të arrihet patjetër. Në qoftë se për këtë shpërthen një konflikt, atëherë ne do të kalojmë tej kufijve e ta bashkojmë vendin pa marrë parasysh praninë e forcave ushtarake sovjetike”.

Për sa i përket vendit tonë është shprehur me konsiderata pozitive. Kishte pranuar të qëndronte në Shqipëri edhe një ditë tjetër, për të bërë vizita në disa objekte historike dhe të kalojë nga bregdeti ynë i Jugut e që andej të kalojë në Greqi.

Rrugës nga Shkodra për në Durrës, kishte treguar interesim për sistemin e fortifikimeve që kemi ndërtuar ne kudo për mbrojtjen e atdheut tonë dhe kishte pyetur nëse i prodhojmë vetë armatimet moderne që na duhen.

Nga sa vura re në informacion, Shtrausi është munduar të paraqitet si një vizitor i thjeshtë  dhe i painteresuar për politikë, por është futur në biseda politike. “S’jam njohës i mirë i Ballkanit” – ka thënë, por edhe ka dhënë mendime për gjendjen në Ballkan. “Çdo politikan – ka thënë Shtrausi, – që nuk shikon synimet e Bashkimit Sovjetik në Ballkan, nuk është politikan i vërtetë”. Me këtë rast ka dhënë konsiderata për disa vende ballkanike, si për Bullgarinë dhe Rumaninë. Më bëri përshtypje ajo që kishte thënë për Bullgarinë ku, sipas tij, ka tendenca për “shkëputje nga sovjetikët” edhe pse ky vend konsiderohet si aleati më i fortë i tyre.

Mendoj që ditën e largimit të Shtrausit, në shtyp të botohet një njoftim i shkurtër ku të thuhet se kryeministri i Bavarisë dhe kryetar i Bundesratit të Republikës Federale të Gjermanisë, Franc Jozef Shtraus bëri një vizitë private e turistike në vendin tonë. Të përmenden edhe vizitat që bëri ai këtu.

(Franc Jozef Shtrausi u largua nga vendi ynë për në Greqi në datën 20 gusht 1984 – shih: “Zëri i i Popullit” datë 21 gusht 1984).  

E SHTUNË,

1 SHTATOR 1984

SHËNIM

Shokët Ramiz e Manush na informuan sot shkurtimisht  për vizitën private  që bëri në vendin tonë, duke kaluar për në Greqi kryeministri i Bavarisë së RF të Gjermanisë, Franc Jozef Shtrausi dhe për bisedimet që ai pati me Manushin.

Siç thanë shokët, midis të tjerave, ai kishte thënë se në vendin tonë kishte ardhur me mendime të tjera për shkak të informimit të keq nga shtypi, por kishte shtuar se “nga ato që pashë, mësova mjaft”. Kishte thënë se për pritjen që iu bë në Shqipëri, do të dërgonte falënderim me të shkruar, bile dhe ndonjë dhuratë nga Gjermania.

Sidoqoftë, Ramizit e Manushit u thashë se për bisedimet e mëtejshme me gjermanët për çështjen e dëmshpërblimeve duhet të presim sepse ato nuk do të zgjidhen menjëherë. Edhe deklarata që një ambasador i Bonit i kishte bërë këto ditë një ambasadori tonë se “në bisedimet e ardhshme midis nesh, çështjet do të avancojnë”, është një sinjal i qeverisë së Bonit për të na thënë se s’është vetëm Shtrausi që mund t’i rregullojë këto punë, por, bile në radhë të parë, jam edhe unë ministri  i Punëve të Jashtme, Gensheri.