TIRANË, 11 maj/ATSH/ Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ratifikoi marrëveshjen me qeverinë gjermane për projektin “Rehabilitimi i hidrocentralit të Fierzës (DKTI)”.

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja tha se projektligji mundëson marrjen e një huaje me kushte të favorshme nga KfW-ja, për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës në vlerën 40 milionë euro, si dhe marrjen e një financimi prej 2 milionë eurosh për masat e nevojshme shoqëruese për zbatimin dhe mbikëqyrjen e projektit.

“Programi i rehabilitimit të kaskadës së hidrocentralit të Fierzës është në vazhdim dhe burimet e financimit janë disa. Me KfW është mbyllur rehabilitimi i HEC Fierzë, agregati 1 dhe 3. Gjithë programi është mbi 150 milionë euro në total dhe vetëm kjo pjesë është 40 milionë euro dhe 2 milionë euro janë grant shoqërues financimi, për qëllime supervizioni, mbikëqyreje, projektim, etj. Interesat dhe modalitetet e shlyerjes nuk janë përcaktuar ende, sepse jemi në fazën e miratimit të programit kuadër”, tha Bejtja.

Deputeti Edmond Leka gjatë relatimit të tij theksoi se projekti do të ndikojë në rehabilitimin e agregateve të Hidrocentralit të Fierzës, të cilat janë instaluar 39 vjet më parë dhe janë në gjendje kritike, si dhe vlerësoi se nga pikëpamja procedurale projektligji është në përputhje me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.