TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Anëtarja socialiste në Komisionin Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, Blerina Gjylameti është shprehur se opozita po bëhet pengesë për vijimësinë e punës së këtij komisioni.

Gjatë një deklarate në një nga studiot televizive në vend, Gjylameti theksoi se PS kishte bërë 3 kërkesa për votimin e rendit të ditës, zgjedhjen e sekretarit dhe më pas miratimin e rregullores së brendshme të këtij Komisioni Hetimor.

Gjylameti theksoi se kryetari Enkelejd Alibeaj ka thyer ligjin dhe kodin etik të sjelljes duke vepruar i ndikuar politikisht e duke vendosur në rrezik veprimtarinë hetimore të këtij komisioni.

“Duhet që t’i bëj me dije publikut se çfarë ka ndodhur në Komisionin Hetimor. Unë besoj që nuk ka lidhje me pretendimin e opozitës që ne nuk duam të hetojmë, por ka të bëjë me atë që është kthimi në shinat e ligjshmërisë të komisionit hetimor i cili është ngritur me kërkesë të PD. Por nuk mund të lejojmë deputetë të shkelin ligjin dhe rregulloren. Ne kemi kërkuar të votojmë rendi i ditës, të zgjidhjet sekretari dhe më pas të miratohet edhe rregullorja e brendshme e këtij Komisioni Hetimor. Alibeaj nuk respektoi asnjë prej këtyre pikave, por vazhdoi më pas mbledhjen edhe pse nuk kishte kurumin e mjaftueshëm, i cili e bën të vlefshëm mbledhjen dhe të gjitha vendimet e marra nga Komisioni Hetimor. Nuk është hera e parë që kjo ndodh. Ata po pengojnë zhvillimin normal të mbledhjeve të komisionit. Unë sot kam kërkuar rregullisht fjalën për procedurë që rregullorja ma lejon për të propozuar ndryshimet përkatëse dhe nuk më është dhënë fjala. Në shkelje të ligjit dhe të rregullores Alibeaj vazhdon zhvillimin e mbledhjeve. Edhe pse ai Komision është ngritur për të hetuar veprimtarinë e zgjedhjeve të 2021, vetëm këtë gjë ai nuk po e bën”, tha Gjylameti.

Deputetja socialiste shprehet se është e paprecedent sjellja e Alibeajt, i cili edhe pse është kryetar komisioni hetimor dhe i përket palës që e ka kërkuar, po pengon qëllimisht dhe rregullisht respektimin e procedurës në fuqi të komisioneve hetimore. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.