Albania

MEDET!

Nga Bedri Islami

Botuar në DITA

Në 2 shtator 2016 mediat bënin të ditur se, “një përfaqësues i PDIU-së, do të drejtojë arkivat në vend. Mësohet se Këshilltari i Shpëtim Idrizit, Ardit Bido është emëruar sot në postin e drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave…”

Që asaj kohe shumë ujëra kanë rrjedhur. Idrizi, i vetënjohur si përfaqësues i shqiptarëve çamë në qeverinë Rama prej kohe ka ndërruar shtrat politik, gjërat janë mbështjellë me zhvillimet e kohës, por emri i Bidos 28 vjeç atëherë dhe 34 tani, nuk ishte dëgjuar më.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shtetit, pra, i memories kombëtare, ishte një i panjohur i zakonshëm. Emërimet përmes pazareve politike, si ndodh zakonisht në këto raste, kur pushteti ndahet me parcela, krijojnë të tilla “herezi”, të cilat, një ditë ose një tjetër zgërlaqen dhe bëjnë jehonën e tyre.

Para këtij të riu, në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave, pas largimit të shkencëtarit të shquar, Shaban Sinani erdhi zonja Nika, një emërim politik, si detyrim që Berisha ia kishte të ndjerit babait të saj, Bujar Hoxha, mentorit politik të vitit 1992.

Arkivat e shtetit u bënë pastaj një vendi i ndarë “për aleatët politikë”; si të ishte dhënia e një kthine në pallatin qeveritar.

Ishte menduar se aty do të emërohej një personalitet i shumëfishtë akademik, studiues dhe autor i dhjetëra veprave, nga të gjitha fushat, Moikom Zeqo. Por “qeveria e së majtës”, ku Zeqo kishte qenë një ndër themeluesit dhe integruesit e saj më modern dhe më europian, në fillim ia dha vendin e drejtorit të përgjithshëm të arkivave demokristianëve të Nard Ndokës, aso kohe në sinkron me PS-në, e pastaj, duke marrë me të mirë Shpëtim Idrizin, ia dha atij si qokën e rastit.

Moikom Zeqo, dhe dihet se kush ishte Moikomi, ishte dhe mbeti i papunë; studiuesi i mrekullueshëm, nuk u bë dot i “duhuri” për qeverisjen e së majtës, ndoshta edhe për një shkak madhor: ai ishte një antifashist i madh dhe, në të njëjtën kohë, demaskues i klasës para-politike shqiptare. Tepër i denjë për vendin e tij dhe mrekullisht i ndershëm, ai nuk u bë më “pjesë e strukturave” ndërsa u gjet më i përshtatshëm një i ri 28 vjeçar, “kêshilltar” i Shpëtim Idrizit.

I paafti,  jo vetëm që nuk të hedh gjë në thes, por të shpon edhe thesin – thotë populli. Kështu ndodhi edhe me Bidon dhe deklarimin e tij të tanishëm, deklarim që e nxori nga anonimati dhe e bëri të dukshëm.

Në një emision televiziv, Bido, duke folur për 5 majin, Ditën e Dëshmorëve, dhe personifikimin e saj, Qemal Stafa, me mendjelehtësinë e çunakut që nga posti i kollares politike u duket se janë vërtet të mençur, deklaroi se:

Miti i Qemal Stafës është një ndër mitet më absurde që kemi ne. Nuk kemi të bëjmë me një akt heroik siç mund të themi për Vasil Laçin që i doli para Mbretit të Italisë dhe donte ta vriste. Me rastin e Qemal Stafës nuk kemi të bëjmë as me ndonjë përleshje, por është vrarë nga xhandarmëria. Nuk kemi të bëjmë me një dyluftim ballor. Nuk kemi të bëjmë me një akt heroik dhe patriotik”.

Nuk e besoja kurrë se naiviteti shkon deri në atë pikë sa të lançojë “dije” të tilla, që pak të thuash, nuk janë të denja as për një fillestar në vitin e parë të gjimnazit.

Mitet në historinë e një kombi nuk ndërtohen pas një akti, pas një përleshje, pas një momenti të caktuar, por nga vizioni, idetë që bart dhe atë që përcjell më pas në kohët që vijnë. Nëse për të miti i Qemalit është “ndër më absurdet që kemi”, atëherë ai kot rri në atë zyrë që e ka marrë peshqesh nga Shpëtim Idrizi dhe Shpëtimi e paska të shpëtuar e të çliruar Çamërinë me këta të mençur që e paskan këshilluar.

Qemal Stafa, o drejtori i rastësishëm i Arkivave të Shtetit, është njëri ndër ato raste që dëshmon se historia mund të kthejë rrugën e saj edhe nga vendosmëria, vizioni, mendimi dhe statura e një njeriu të vetëm.

Vepra e njerëzve të shquar është e qëndrueshme kur ata mbajnë parasysh erërat e mëdha të historisë.

Qemal Stafa ishte anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare dhe drejtuesi kryesor i Rinisë. Ashtu si Gabriel Peri në Francë, heroi kombëtar i luftës së dytë botërore, anëtar i KQ të PKF, ishte poet, meditues, figurë e njohur mes një rinie shkëlqyese për devotshmërinë ndaj kombit, të cilit, shkrimtari rebel, Petro Marko , ia botonte poezitë e para nën emrin Brutus, si parathëne e një historie që po vinte ndryshe.

Qemali ishte idealist, i takonte asaj shkolle të komunizmit që nuk përkon me çfarë ndodhi pas luftës, por me atë që ndodhi në luftë. Kushdo që dëgjoi emrin e tij dhe njohu atë, e ndjeu veten më trim.

Ishte periudha e agut të komunizmit, kohë për të cilën shefi i CIA-s , Allen Dalles do të shkruante se “në Partinë Komuniste Angleze pranoheshin vetëm studentët më të mirë të Kembrixhit dhe Oksfordit dhe ky ishte një nder i madh”.

Qemali u bë simbol jo se “qëlloi me patllake deri sa i doli xhani”, apo se  “ishte një trim nga të malit”, por se ishte shëmbëlltyra e një brezi antifashist, thellësisht idealist, që, ashtu si nuk ishte pajtuar me regjimin e Zogut, dhe për këtë ishte burgosur, ashtu nuk do të pranonte as pushtimin fashist, e për këtë do të vritej.

Një arkivist që e sheh simbolin tek një dyluftim ballor, ose nuk e di se çfarë është thelbi i mitizimit, ose, edhe më tej se kaq, është i gatshëm të jetë alibi e krimit dhe e vrasjes.

Nëse është kështu, atëherë faji nuk është më i tij, por i njeriut që e ka vendosur në atë post, nga ku cektësia e një njeriu mund të duken si qëndrim zyrtar i shtetit që përfaqëson, shtet i cili, megjithë dukjen e së majtës, po e tërheq xhaketën e hapur gjithandej veç nga e majta jo.

Ka një përpjekje të ndjeshme, tash 30 vite, për rehabilitimin e së djeshmes fashiste, jo vetëm si kundërvënie të regjimit që u vendos pas nëntorit 1944, por, edhe si nostalgji e hershme apo e vonët, për fashizmin. Nuk besoj se i riu Bido ka nostalgji të tilla, por përshfaqja e tij  kaq mendjelehtë dhe e papërgjegjshme, nuk është veçse reminishencë e qeverisjes nga vetë shefi i qeverisë.

Por edhe i faktit se si ndërtohet në Shqipëri struktura e shtetit, ku vlera e dijeve nuk është e barazueshme me qenien në një fashë politike, e cila të bën edhe drejtor, të lejon të livadhisësh dhe ta dredhësh sipas shijeve të shefit. Meritokracia është e verbër, por, edhe kur hap sytë, shikon se nga rëndon vështrimi i shefit. Dhe duhet thënë, vështrimi i shefit të tanishëm nuk është nga e vërteta historike, pavarësisht se është nip heroi i luftës antifashiste dhe e votojnë në shumicë pasrendësit e një brezi antifashist.

Tendenca për të leçitur të djeshmen është bërë e njëkohshme me atë për të rehabilituar tradhtinë dhe bashkëpunimin, duke ndjellë mohimin e vlerave të luftës që ka ndodhur, që ishte fakt historik dhe përcaktues për të ardhmen e një kombi.

Mohimi i asaj është antivlerë historike, ç’është nëpërkëmbje e vetë kombit, që, megjithëse duket e pabesuar, ka nisur të ketë të drejtën e qytetarisë, pasi, nëse je për mbrojtjen e vlerave të gjakut dhe të dëshmive historike, atëherë je jashtë kohës!!, i zotëruar nga e djeshmja, i mbytur nga nostalgjitë.

Luftën nuk e bënë njerëz pa ideal dhe pa vizion historik. Asnjë luftë nuk nis e nuk bëhet pa patur vizionin e saj, përcaktimin dhe liderët që i prijnë asaj.

Qemal Stafa ishte njëri prej tyre. Më i lavdishmi mes të lavdishmëve, jo vetëm se ishte njëri ndër 5 drejtuesit më të lartë të luftës, por edhe më i dituri nga gjithë brezi i tij, më vizionari, më bashkëpunuesi dhe më i pakontestueshmi.

Nëse drejtues të tjerë të luftës kishin mospranime nga grupet që e formuan bazën e luftës antifashiste, Qemali ishte i gjithë pranuari; nëse disa prej tyre ishin teneqexhinj apo marangozë, Qemali ishte studenti i jurisprendencës i kthyer nga Firence; nëse secili prej tyre kishin dy a tre pseudonime lufte, Qemali njihej si Qemal dhe kishte bërë emrin e tij me qëndrimin në gjyqin zogist; nëse të tjerët kërkonin rrugën, AI ISHTE NDËRTUESI I KËSAJ RRUGE. Qemali ishte gjimnazisti i Shkodrës, për të cilin edhe në vitet e fundit të jetës, ish i burgosuri politik dhe përkthyesi i famshëm i Dantes, Pashko Gjeçi, e kujtonte si njeriun më të shkëlqyer dhe gjimnazistin më të ditur, së bashku me Arshi Pipën,  ky i fundit e vlerësonte Qemalin si njeriun e denjë për një botë të re.

Nuk është  “patllakja” që të bën të njohur, mit, por vizioni.

Gjatë Luftës në Kosovë, duke mos e paramenduar kthimin e Adem Jasharit në mit, kishte njerëz të politikës në Shqipëri që me nënçmin thonin se  “Lufta e UÇK-së është për mbrojtjen e shtëpisë. Ja, ku u vra, Adem Jashari, thoshte Berisha, në pragun e shtëpisë!”. Askush nuk bëhet mit vetëm se qëllon mbi një mbret a perandor. A mbeten shembuj të ndritur, por vizioni, personaliteti dhe frymëzimi që sjellin, është më shumë se lufta.

Kam pasur fatin të kem në duar letra dhe biseda, incizime apo filmime të Adem Jasharit dhe e di se nuk ishte lufta e tri ditëve, 5, 6, 7 mars 1998 që i bëri mit emrin e tij dhe legjendë Familjen Jashari.

Ishte vizioni për Kosovën dhe lirinë e saj, të cilin e kishte sa ishte në jetë, dhe ajo që ndodhi pas rënies së tij.

Kjo ndodhi edhe me Qemal Stafën, ajo që solli rënia e tij ishte marramendëse, sepse triumfoi ideja e lirisë ndaj asaj të nënshtrimit: ideja e të rinjve ndaj baballarëve që ishin bërë senatorë fashistë, ideja e të rinjve që japin jetën ndaj atyre që u bënë anëtarë të Këshillit të Lartë të Shtetit.

Luftën nuk e bënë varfanjakët, të humburit dhe të paditurit. Mjerisht, këto të fundit, po rikthehen sot si të ditur , duke dashur të rimarrin atë që nuk e bënë dot kur ishte koha e pararendësve të tyre:  të bënin historinë e ndershme dhe të denjë.

Ishte një kohë kur një grup shokësh, që dikur kishim qenë pjesë e së majtës në piramidën drejtuese të saj,  i bëmë një letër institucioneve të shtetit për të menduar se një figurë si Moikom Zeqo është i domosdoshëm në qendrat ku arkivohet e studiohet historia e një vendi. Ai kurrë nuk e ka ditur letrën tonë dhe bëmë mirë që nuk ia thamë. Kishte gjithnjë bindjen se nga drejtori i Muzeut Historik Kombëtar ishte larguar pasi kishte ndërtuar Pavijonin e Luftës Antifashiste. Tani, një njeri, gjysmë i panjohur, mohon mitin e kësaj lufte, por të drejtën për të qenë drejtor do e ketë, sepse e ka deleguar politika.

Mjerisht, as përgjigje nuk morëm.

Në vend të përgjigjes që pritnim morëm heshtjen dhe lajmin se birbot e politikës po merrnin shpërblimin e parcelizimit të shtetit.

Medet!

—–

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Football news:

Barcelona will sell 19-year-old winger de la Fuente to Marseille for 3.5 million euros
Wales defender Gunter: I don't know when the Euro will end for us, otherwise I would be rich
Chiesa Ob 1-0 with Wales: We proved that every Italian player can perform successfully
Denmark has an unusual coach-philosopher: he turned children's football around, looked for the principles of the national team with the former prime Minister
Football has become uninteresting. 60% of the time, players roll the ball in their own half. Honorary President of the Russian Federation Vyacheslav Koloskov shared his opinion about the entertainment of Euro 2020
Coach of Finland before Belgium: We can even take the first place in the group. Just fantastic
Atalanta can offer 20 million euros to Bologna for the defender of the Japanese national team Tomiyasu