TIRANË, 3 mars /ATSH – I. Vata/ Komisioni Rregullator shqyrtoi dhe miratoi projektvendimin “Për miratimin e Udhëzuesit për organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor në Zonën e Administrimit Zgjedhor, në ndihmë të Komisionit të Zonës së Administrimit Zgjedhor, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqiperisë, të datës 25 prill 2021”.

Udhëzuesi synon t’iu vijë në ndihmë anëtarëve të KZAZ-ve për veprimtarinë e tyre në administrimin e procesit zgjedhor në ZAZ ku njohja, kuptimi dhe përvetësimi i procedurave të parashikuara në këtë udhëzues, do të ndikojë në: rritjen e nivelit profesional e administrues të anëtarëve të KZAZ-ve;zgjidhjen me profesionalizëm, paanshmëri, efektivitet nga ana e komisionerëve të KZAZ- ve të të gjitha problematikave të krijuara gjatë ushtrimit të detyrës; mirëadministrimin e procesit zgjedhor dhe zbatimin ligjor të detyrave të tyre funksionale, në përputhje me parimet dhe rregullat e vendosura në Kodin Zgjedhor dhe aktet e tjera nënligjore të KQZ-së të detyrueshme për t’u zbatuar.

Duke marrë në konsideratë zhvillimin zgjedhjeve në situatë pandemie, në udhëzim është theksuar zbatimi në mënyrë rigoroze i masave antikovid dhe protokolleve të miratuara nga institucionet shtetërore. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.