Shembja e pallatit 12-katësh në Florida të SHBA-ve, po merr përmasat e një tragjedie.

Videot e fotot që vijnë nga përtej Oqeanit, janë vërtetë të rënda. CNN, ka publikuar së fundmi pamjet brenda një banese, të pallatit që u shemb. Në të shihet momenti i tronditjes së madhe, por edhe rënia e suvenireve e orendive të tjera shtëpiake në dysheme. Fatmirësisht në këtë banesë, në momentin e shembjes nuk ka pasur asnjë person brenda.

Një grua e quajtur Santana, e cila është pronarja e banesës, thotë se ajo fundjavave largohej nga shtëpia, por sa herë që ikte, gjithmonë vendoste një kamera për të regjistruar ambientet e brendshme.

“Kjo është banesa ime. Unë në fakt largohem fundjavave, por gjithmonë vendos një kamerë për të regjistruar ambientet e brendshme. Këto janë të vetmet pamje që kam regjistruar, pasi më pas, linja humbi dhe gjithçka doli jashtë funksionit”, është shprehur pronarja e banesës.

Aktualisht, ekipet e kërkim-shpëtimit janë duke vijuar kontrollet nën rrënojat, për të gjetur 51 personat që janë ende të zhdukur. Deri më tani, autoritetet kanë shpallur 1 person të vdekur, ndërsa po punohet për shpëtimin e të tjerëve që ndodhen nën gërmadha.

Si ndodhi ngjarja:

Shembja është regjistruar në orën 1:30 pas mesnate, ndërsa shkaqet ende nuk janë bërë të ditura. Aktualisht, dy persona janë nxjerrë të gjallë nga gërmadhat, 35 të tjerë janë evakuuar, ndërsa 1 person, për fat të keq ka ndërruar jetë.

Ekipet e kërkim-shpëtimit janë duke kërkuar për 51 personat që janë shpallur të zhdukur. Ndërtesa është ndërtuar në vitin 1980, ndërsa së fundmi i ishte nënshtruar një rikonstruksioni të tavanit të katit të fundit. Nuk dihet ende nëse ky është shkaku i shembjes dhe shkaktimit të kësaj tragjedie, shkruan CNN.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb