Gazetari Sokol Balla tha për ‘Real Story’ në një emision kushtuar 10-vjetorit të protestës së 21 janarit ku u vranë 4 protestues, tregoi se kishte marrë disa paralajmërime që i ishin bërë për atë ngjarje. Ai tha se kreu i Shërbimit Sekret i asaj kohe i kishte thënë se e nesërmja (21 janari) do të kishte ngjarje.

Ndërkohë ai tha se një mik i tij i ishte lutur që mos të shkonte të nesërmen në Bulevard, pasi aty do të derdhej gjak.

MERO BAZE: Por Berisha ka vepruar me shumë qetësi pas datës 22 janar për të prodhuar skenarin e pucit të shtetit. Ka një fjalim të tij ne datën 23 janar në mbledhjen e qeverisë, fiksoje me datë 23. Thotë: Tani të gjitha materialet e pucit i kemi në dispozicion, kemi të gjitha kamerat e qeverisë, sepse përveç Gardës, kryeministria mbrohet nga një sistem kamerash. Kam urdhëruar sekretarin e Përgjithshëm, Gjergj Lezhja ishte atëherë që t’i marrë të gjitha këto e t’ja vërë në dispozicion prokurorisë. Tani prokuroria do të ketë një pamje shumë të qartë të kësaj që ndodhi. Do ta theksoj edhe njëherë, 23 janar. Dhe thotë që i kemi të gjitha kamerat.

SOKOL BALLA: Do ta nis pak përpara në natën e 20 janarit. Ndërkohë që unë dola shtëpia ime për të shkuar në punë, në emision për të patur në intervistë Edi Ramën bashkë me dy kolegë të mi, kam takuar në hollin e pallatit, ku gjendet edhe një lokal shumë i njohur pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Bahri Shaqirin kreun e Shërbimeve Sekrete. I dhashë dorën dhe sigurisht pyetja ishte se çfarë dinte ai, çfarë mund të ndodhte me 21 janar. Dhe përgjigja e tij, të cilën nuk mund të citoj fjalë për fjalë se “situata ishte rënduar dhe me siguri dhe të nesërmen do kishte ngjarje”. Më pas në Komisionin Hetimor, z.Shaqiri deklaroi se Shërbimet Sekrete nuk kishin informacione se demonstruesit apo partitë politike të opozitës po organizonin diçka që do të ishte më e madhe sesa një protestë e thjeshtë. Zoti Shaqiri duhet ta thotë vetë, por fakti që ai mua më pohoi se do të kishte ngjarje, nuk lidhej me atë atë se çfarë do të bënin protestuesit, por me atë se çfarë do të bënin autoritetet.
Një person tjetër pas emisionit, një mik i imi i afërt, por që ishte i afërt me njerëz të qeverisë dhe familjarë të kryeministrit, me erdhi në shtëpinë time rreth orës 1 të natës dhe mu lut që as unë as të afërmit e mi të mos shkonim të nesërmen në protestë. Sepse më tha: Nesër në Bulevard do të derdhet gjak. Besoj që ky personi që erdhi më tha këtë informacionin, nuk erdhi për të më thënë se do të kishte goditje nga ana e opozitës, me armë apo me tritol, me makina, me dinamit. Erdhi për të më thënë se pala tjetër ishte e përgatitur, kishte një skenar në kokë, që do realizohej me çdo kusht. A erdhi të ma thoshte mua, pasi sigurisht isha një nga gazetarët kritik ndaj kryeministrit Berisha. Mesa duket ai kërkonte të me ruante nga ndonjë farë implikimi qoftë edhe pa dashje imi. Një implikim që unë them që deri diku ndodhi pas ngjarjes, orët e vona të 21 janarit, pasi News 24 transmetoi pamjet e vrasjes së 4 protestuesve.

SOKOL BALLA: Në atë momente unë jam lidhur me deputetin socialist Paulin Stërkaj, i cili gjendej pranë drejtorisë së Policisë së Tiranës,. duke parë në një bar pamjet që ritrasmetonte Neës 24. Paulini me kaloi në telefon Ramën. Rama filloi të më shprehte habinë dhe ndërkohë unë iu përgjigja dhe i thashë çfarë je duke bërë atëherë, je duke parë televizor, ndërkohë që njerëzit që ti I ke nxjerrë në protestë janë vrarë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Pas kësaj telefonate Rama ka shkuar në selinë e Partisë Socialiste dhe ka bërë deklaratën e famshme kundër atyre që i quajti horrat e Gardës.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb