Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Përgëzim për vendosjen e shqipes në Universitetin e Harvardit, si gjuhë me përzgjedhje

Akademik Gjovalin Shkurtaj

 (Pak ditë më parë, në një postim të bërë nga zoti Faton Limani, administrator në Departamentin e Letërsisë Krahasuese në Harvard, njoftohej se, me nismën dhe ndihmesën e tij dhe të zonjës Eva Stathi-Misho, është mbërritur që gjuha shqipe do të ofrohet si lëndë me të zgjedhur në Universitetin e Harvardit, në Departamentin e Letërisë Krahasuese.  Lidhur me këtë kumt interesant, gazetarja Alda Cibukaj, e Alb UK Tv Londër, më kërkoi të jepja mendimin tim në një intervistë me skype-s, të cilën, për arsye teknike nuk e realizova dot, por, meqë vlerësimin tim e kisha nyjëtuar tashmë, po e botoj si shkrim përgëzues e përurues, natyrisht, duke shprehur edhe disa mendime e vlerësime për gjendjen dhe kujdesin që duhet të tregojë shoqëria dhe institucionet shtetërore e shoqërore për ruajtjen dhe zbatimin e rregullave të drejtshkrimit dhe të normave të shqipes së njësuar).

Është kënaqësi që Universiteti me famë botërore i Harvardit ka shtuar në gamën e lëndëve me përzgjedhje dhe gjuhën shqipe. Kjo është një risi e mirë dhe me rëndësi, që shkon në vazhdën tashmë të hershme të universiteteve të tjera amerikane, të cilat ofrojnë kurrikula të njëjtë. Edhe universiteti i Yale-s (JELË), që është i po të njëjtit kalibër me atë të Harvardit e ofron gjuhën shqipe si pjesë të programit me përzgjedhje  qysh në vitin 2001. Po ashtu, theksojmë se, qysh prej disa vitesh, gjuha shqipe është përfshirë në grupin e “gjuhëve të rrezikuara” dhe jepet si lëndë me të zgjedhur edhe në Universitetin e Arizonës, ku ligjëratat janë dhënë edhe nga pedagogë të dërguar nga Shqipëria. Për disa vite radhazi atje ka vajtur për të dhënë cikle ligjëratash pedagogia Linda Meniku, si dhe në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, kanë ardhur studentë të atij universiteti për thellimin e njohurive të gjuhës shqipe dhe për ushtrimin e saj. Gjuha shqipe, ndërkaq, sikundër dihet, ka qenë gjuhë e ofruar  për të interesuarit në disa universitete të botës, si në Francë, në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Orientale në Paris; në Itali, në Institutin Oriental të Napolit, themeluar qysh në kohën e Jeronim de Radës; aty, për shumë vjet ka dhënë mësimin e gjuhës shqipe prof. A. Guxeta, pastaj  për shumë vjet është drejtuar nga Italo C. Fortino dhe nga ligjërues të dërguar nga Shqipëria; në Universitetin e Romës “La Sapienza”, ku kanë dhënë ndihmesën e vet Ernest Koliqi e Martin Camaj, pastaj studiuesit arbëreshë Xhuzepe Gradilone, Elio Mirako etj.; në Universitetin e Palermos, ku është katedra e gjuhës dhe e letërsisë shqipe e themeluar qysh më 1932 nga Gaetano Petrota, punën e hullinë e të cilit e kanë vijuar  Antonino Guxeta dhe e ish-studentët e tij, ndër të cilët sot dallohet Mateo Mandala; në Universitetin e Kalabrisë, katedra e themeluar nga Francesko Solano e që vijohet me dekorin e duhur nga Francesko Altimari  e ku, janë dërguar me periudha dyvjeçare lektorë nga Shqipëria; aty ka pasur edhe lektorë nga Kosova; katedra të shqipes ka pasur dhe në Universitetin e Barit e të Leçes etj.

Një vend të mirë, dhe qysh para shumë vitesh, ka pasur gjuha shqipe në kurrikulën me përzgjedhje të universiteteve të mëdha të vendeve sllavishtfolëse, si në Rusi, në Universitetin e Petërburgut e të Moskës; në Universitetin e Varshavës (Poloni), të Sofies (Bullgari), në Universitetin e Pragës (Çeki) etj.

Nga më të hershmet ka qenë edhe katedra e shqipes në Universitetin e Beogradit, ku janë  përgatitur breza të tërë njohësish dhe studiuesish të shqipes nga ish-Jugosllavia. Shqipja ka pasur e ka hapësirë të mirë në Universitetin e  Bukureshtit (Rumani), dhe në disa prej universiteteve gjermane, si në Bon dhe në München, ku, ndër të tjerë, ka kontribuar për shumë vjet radhazi edhe albanologu Martin Camaj, dhe ish-studentët e tij. Katedra të shqipes ka pasur e ka edhe në Universitetin e Vjenës në Austri, ku për disa vjet radhazi ka dhënë mësimin e shqipes Skënder Gashi nga Kosova. Një katedër e gjuhës shqipe ka qenë prej shumë vitesh dhe vijon të jetë edhe në Kinë, në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit, ku qysh nga themelimi i Departamentit të Gjuhës Shqipe më 1961   kanë dhënë mësim lektorë të dërguar nga Shqipëria, si dhe, me kohë, atje është përgatitur një numër i mirë studiuesish dhe njohësish të mirë të gjuhës shqipe, përkthyes nga gjuha shqipe në gjuhën kineze dhe, madje, deri hartim të fjalorëve të mëdhenj shqip-kinezisht dhe kinezisht-shqip. Përgjegjësja e Departamentit të gjuhës shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit është Chen Fenghua (Çën Fënhua), albanologe dhe përkthyese e njohur, e cila ka shkruar: “Me zhvillimin e  qëndrueshëm të marrëdhënieve kinezo-shqiptare në çdo fushë, gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, mësimdhënia dhe studimet në gjuhën shqipe në Kinë kanë pasur suksese të vijueshme. Pedagogët kinezë, bashkë me ekspertë nga Shqipëria të ftuar  kanë dhënë  ndihmesa të reja në mbarëvajtjen e mësimdhënies dhe të punëve studimore të kësaj gjuhe.”

Në dhjetëvjeçarët e fundit, në kuadër të shtimit të pranisë numerike të shqiptarëve në Greqinë fqinje, krahas  nismave të  tjera të bashkëpunimit ndërshtetëror në lëmin e kulturës, të shkencës e të artit, ka pasur edhe shtim të interesit dhe të hapësirave për gjuhën shqipe në universitetet greke dhe në institutet e gjuhëve të huaja në Greqi. Tashmë në Greqi ka disa katedra dhe lektorate të gjuhës shqipe, si në Janinë, në Follorinë, në Selanik etj. Një punë të vijueshme ka bërë sidomos Instituti i Gjuhëve Ballkanike (Institut for Balkan Studies) në Selanik, i  krijuar më 1963 dhe, qysh atëherë, aty janë shtuar gjuhët ballkanike që studiohen e ndiqen nga shumë njerëz të interesuar. Aty mësohen serbishtja, bullgarishtja, rusishtja, rumanishtja dhe, në dhjetëvjeçarët e fundit, edhe shqipja. Për herë të parë në vitin akademik 2003-2004 u realizua edhe marrëveshja zyrtare midis atij Instituti dhe Universitetit të Tiranës (Departamenti i Gjuhës Shqipe i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë), sipas së cilës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë dhe Shkolla e Gjuhëve Ballkanike e IMHA-së, bashkëpunojnë në mësimdhënien e gjuhës shqipe, si gjuhë e huaj dhe të gjuhës greke për studentët shqiptarë, duke ndihmuar në mënyrë të ndërsjellë me tekste, mjete didaktike dhe udhëzime metodike.

Pas kësaj pamjeje a paraqitjeje të përgjithshme natyrisht mund të shtrojmë pyetjen: Por çfarë do të thotë për ne shqiptarët që gjuha jonë të vendoset në piedestalet e universiteteve botërore?

Së pari, vetë ne, si shqiptarë, duhet të fillojmë të ndërgjegjësohemi për rëndësinë e gjuhës sonë. Akoma nuk kemi një bashkëpunim mbarëkombëtar për ruajtjen, vlerësimin dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe, si gjuhë amtare e shqiptarëve në Republikën e Shqipërisë, po edhe në Republikën e Kosovës e në hapësirat e tjera ballkanike,si në Maqedoninë e Veriut,në Mal të Zi e në diasporat e hershme (në Greqi, në Itali, në Zarë të Dalmacisë etj.), si dhe në diasporën apo mërgatën e re shqiptare në metropolet e Evropës, të SHBA-së e kudo. Ka ardhur koha që të realizohet e të jetësohet sa më mirë bashkërendimi (koordinimi) i teksteve dhe programeve gjuhësore që duhet të ndiqen në çdo nivel nga ato fillestare e deri ato pasuniversitare. Shembulli më i mirë është ai i “Aleancës së frankofonisë”, që zbatohet për mbrojtjen e organizuar të gjuhës frënge në Francë dhe në të gjitha hapësirat e tjera kur frëngjishtja është gjuhë e njohur, si në Belgjikë, në Zvicër, në Kanada etj.

E kam thënë disa herë që gjuha shqipe, si çdo gjuhë tjetër në botë duhet të ketë TOEFL-in e saj. Ashtu si çdo i ri që dëshiron të studiojë në universitetet anglishtfolëse, dhe duhet të kalojë me sukses provimin e TOEFL-it, pra të njohjes së duhur të gjuhës angleze, ashtu dhe ne në Shqipëri duhet të kërkojmë që të gjithë ata që duhet të hyjnë në universitetet tona të dinë të flasin dhe të shprehen profesionalisht në gjuhën tonë. E gjithë bota e qytetëruar, të gjitha shtetet e organizuara e me emër të mirë, që nga SHBA-ja, Gjermania, Anglia, Franca, Italia etj. kanë edhe kode të caktuara të formulave dhe mënyrave të shprehjes shtetërore, zyrtare, të cilave duhet t’u përmbahen me rreptësi të gjithë funksionarët e shtetit. Po përmendim shembullin e njohur  të  SHBA-së, ku, një libër i vogël, në format xhepi: The Elements of Style,  hartuar nga Strunk Wiliam, Jr.,  qysh nga viti 1918, me ribotime të shpeshta, vijon të jetë në përdorim dhe si bazë e stilit administrativ e zyrtar në të gjithë Amerikën, që nga Departamenti i Shtetit e në të gjitha zyrat dhe administratën qendrore e vendore të SHBA-së . Pra, është pikërisht koha ta jetësojmë këtë ide dhe duhet të ketë edhe një kod zyrtar e të mbrojtur me ligj për shkrimin dhe komunikimin zyrtar në Republikën e Shqipërisë. Ky ligj, natyrisht, mund të mbështetet edhe në modelet ekzistuese të SHBA-së a vendeve të tjera, por rëndësi ka që të jetë i miratuar dhe të zbatohet nga të gjithë dhe, mbi atë bazë, edhe redaktorët e korrektorët që do të caktohen në zyrat e shtetit, do ta kenë të qartë dhe më të lehtë kryerjen e detyrës së tyre.
Sot në Amerikë apo Angli, nuk ka rendësi për çfarë dëshiron të studiosh, TOEFLI apo teste të ngjashme janë tashmë të detyrueshme (obligatore) që të kalohen nga çdo student. Edhe në vende e kombe të mëdha të Evropës, po përmendim, vetëm një rast, nga shumë të tjerë: qëndrimin pohues, mbrojtës e qartësisht të shpallur që mban Franca për gjuhën e vet. Në një prej raporteve të fundit të “Défense de la langue française”(2017) për Parlamentin Francez, ku jepet vlerësimi  zyrtar  i gjuhës frënge si “pilier de notre culture, est un ciment de notre société” dhe e detyrimeve dhe masave që Ministria e Kulturës  i drejton Parlamentit Francez.

Rregullat e drejtshkrimit dhe normat e shqipes standarde  duhen parë gjithmonë si pronë kombëtare dhe karakteri kombëtar i tyre duhet ruajtur e pasur gjithmonë parasysh. Rregullat e drejtshkrimit dhe të gramatikës së shqipes, ashtu si në çdo vend  që ka shtet e organizim shtetëror të mirë, vlerësohen e mbrohen si “kushtetuta”. Qysh në lashtësi, latinët thoshin “Caesar non supra gramaticos” -Cezari nuk është përmbi gramatikanët. Pa marrë parasysh pushtetin dhe autoritetin e tij, as mbreti (e lëre më ndokush tjetër) nuk mund të jetë përmbi gramatikanët. Sigurisht, kur mbrojmë dhe mbështesim gjuhën e shkruar e të njësuar, gjuhën e përbashkët për të gjithë shqiptarët, kemi parasysh dhe shkallën e lartë të përpunimit e të pasurimit të shqipes së sotme. Kemi parasysh atë që në latinishten quhej ars dicendi (arti i të thënit, mjeshtëria e të folurit) dhe ars loquendi (mjeshtëria e fjalës së bukur (të shkruar e të folur).

Kemi pasur e kemi probleme jo me gjuhën e normat e saj, por me mungesën e kulturës dhe me mungesën e dëshirës për ta nxënë e për ta shkruar e folur shqipen; ka mjedise që nuk  i zbatojnë rregullat e drejtshkrimit e normat morfosintaksore, ashtu si nuk i zbatojnë as  rregullat e mirësjelljes gjuhësore apo të asaj që quhet etnografia e komunikimit modern. Pra, për ta thënë shkurt e qartë: kemi një gjuhë të bukur, të cilën duhet ta ruajmë, ta mbrojmë e ta vlerësojmë si tiparin kryesor të përbashkësisë e të njësisë kombëtare  shqiptare; natyrisht, edhe ta pasurojmë e ta përpunojmë pareshtur e me përkushtim atdhetar  e kombëtar shqiptar. Shqipja standarde është etnolekti i të gjithë atyre që shkruajnë e flasin shqip në Shqipëri e kudo në hapësirat e mjediset shqiptare dhe arbëreshe.

Zbatimi i drejtshkrimit dhe i rregullave të shqipes standarde nuk është punë dëshirash personale, nuk është as “kompetencë” e rrjeteve sociale. Zbatimi i rregullave të drejtshkrimit dhe i shqipes së njësuar në shkollë e në të gjithë praktikën shkrimore e botuese të vendit është detyrë shtetërore.  Punonjësit e administratës shtetërore, gazetarët dhe botuesit duhet ta nxënë dhe ta përdorin drejt gjuhën shqipe, të mos bëjnë gabime drejtshkrimore, të jenë të kujdesshëm për pastërtinë dhe pasurimin e gjuhës shqipe. Shqetësimi kryesor i tyre duhet të jetë ruajtja dhe zbatimi i rregullave të shqipes së njësuar e të përbashkët. Dialektet trashëgohen gojarisht nga nëna te fëmijët e mbahen gjallë duke i folur në shtëpi, në sheshet e mjediset vendore përkatëse, kurse gjuha e shkrimit (standardi) si kudo në botë, qëkur ka dalë sistemi shkollor, duhen mësuar e nxënë në shkollë, duhen lexuar gramatikat e fjalorët. E kanë theksuar edhe kolegë të tjerë. Sot kemi probleme jo me shqipen si gjuhë, por me kulturën e mangët të atyre që shkruajnë e flasin. Mungon,  ose nuk është në masën e duhur, ajo që dikush e quan “disiplina gjuhësore” e shtetit apo, si e thotë edhe më bukur akad.Shaban Sinani, mungon “higjiena gjuhësore”.

Dhe kjo, sikundër e dimë të gjithë, nuk është një punë që fillon për herë të parë sot, por qysh në hapat e parë të shtetit shqiptar. Po përmend  edhe një herë se, këtu e 109 vjet më parë, në mbështetje të vlerësimit për pranimin e gjuhës shqipe si gjuhë të shtetit shqiptar nga qeveria e Ismail Qemalit jepet pohimi dorëmbarë i këtij shtetari e diplomati të urtë:

“Pas dëshirës dhe n’emën të Zotënies  së tij, Kryetarit të qeverriës, botojmë këtë lajmim: Duhet të gjithë t’a dijnë mirë se, ç’ në ditën fatbardhë që kur Shqipëria dolli më vehte, gjuha shqipe u ba gjuha zyrtare e vendit. Tani, në ç’do degë t’administratës, n’a  lipsen nëpunës të cilët t’a njohin mirë, me shkrim e këndim, gjuhën amtare…Edhe nëpunësit që ndodhen në shërbim do të japin provim në gjuhën shqipe: ata që do të tregohen të zotët, do të konfirmohen në punën që kanë; ata që nuk do të dinë mirë gjuhën shqipe, do të munt të kërkojnë kohë që t’a mësojnë në qoftë se  kanë dëshirë të mbeten në shërbim.”(“Lajmim”, botuar në gazetën “Përlindja e Shqipënies”, Viti I,nr.6,17/30 gusht 1913). Pikërisht atë ide dorëmbarë e frymëgjatë  të Ismail Qemalit kam pasur parasysh në reagimet e mia të kohëve të fundit të shprehura edhe në artikullin tim “Shqetësime dhe propozime për kulturën e gjuhës së shtetit”(Gazeta “Sot”, 20 nëntor, 2013, f .17).

Mendova t’i ritheksoj këto vlerësime për gjuhën shqipe në administratën publike dhe, enkas, për kujdesin që duhet të tregojë ndaj saj shteti (në rastin tonë: shtetet) dhe institucionet në krejt hapësirat shqiptare ballkanike, pikërisht se shqipja e njësuar dhe e përbashkët (standardi) është përkrahur me entuziazëm edhe në Republikën e Kosovës, i cili, ndërkaq, ndonëse është ”shteti më i ri i  Evropës”,  për fatin e bardhë të popullit shqiptar, qysh nga viti 1968 me Konsultën e Prishtinës, pastaj me pjesëmarrjen e gjerë e të shënueshme të përfaqësuesve të intelektualëve të  Kosovës në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972) dhe në të gjitha konferencat shkencore madhore në përkujtim të atyre dy ngjarjeve të rëndësishme shkencore e kombëtare, zbatimi i shqipes së njësuar në të gjithë praktikën shkrimore e botuese  edhe në Kosovën e kohës e të kushteve të atëhershme, ka qenë si të thuash “autostrada” e përbashkësisë shprehëse të dyja pjesëve të kombit shqiptar dhe, sivjet në muajin nëntor, me rastin e përkujtimit të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, do të përmendet me gjithë poninë dhe nderimin që i takon togfjalëshi gordian “Një komb-një gjuhë letrare”, të formuluar nga historiani kosovar, i ndjeri dhe i shquari, akademik Ali Hadri, në artikullin e tij programatik të prillit 1968. Ai artikull dhe sidomos ajo ide e madhe e përbashkimit shpirtëror, kulturor e gjuhësor të shqiptarëve ka qenë dorëmbarë e frymëgjatë, prandaj edhe në mjediset e botimet shkencore të gjuhëtarëve është pohuar se “pa Konsultën e Prishtinës (prill 1968) nuk do ta kishim pasur Kongresin e Drejtshkrimit”. (Shih edhe Rexhep Qosja, Dëshmitar në kohë historike (1966-1974) Ditar, I, Botimet Toena, Tiranë, 2014, f.96-98)

Dhe, krejt në mbyllje, po theksoj se gjuha shqipe është tipar themelor i kombit shqiptar, prandaj atë duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë, ta shkruajmë e ta flasim sa më thjeshtë e sa më bukur. Natyrisht edhe ta pasurojmë e ta vlerësojmë, duke vepruar  ashtu si të gjitha kombet e qytetëruara. Detyrë e ndikim të rëndësishëm në modelin e të shkruarit e të folurit të shqipes kanë gazetaria e shkruar, mediat elektronike dhe teatri e kinemaja. Gjuha e mediave është kështjellë e fuqishme e shqipes dhe e shqiptarisë, prandaj, quajtja e televizioneve a radiove  “kombëtare” nuk ka të bëjë me sasinë e atyre që i ndjekin dhe që pajtohen në sistemet  e përhapjes së tyre, por në radhë  të parë, me të shkruarit dhe të folurit në gjuhën shqipe, duke e pasur si detyrë të përhershme e të dorës së parë zbatimin e rregullave të drejtshkrimit, të drejtshqiptimit dhe kujdesin për pastërtinë e pasurimin e gjuhës shqipe.

Kam vlerësuar gjithmonë se folësit më të mirë të radiove e të televizioneve shqiptare, si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë e kudo që emetohet në gjuhën shqipe, janë jo vetëm gazetarë, por edhe mësues  të shqipes. Dikur thuhej me të drejtë shprehja latine “Verba volant, scripta manent” (Fjalët fluturojnë, e shkruara mbetet). Kjo thënie urtake mbetet me vlerë edhe për kohën tonë, porse qëkur kanë ardhur në “pushtet” mediat pamore-dëgjimore (radioja dhe televizioni, magnetofoni, videokaseta, disqet e incizuara etj.) as fjala e folur “nuk fluturon”, por mbetet e fiksohet njësoj, madje edhe më shpejt sesa fjala e shkruar. Sot, bariu i Korabit dhe bujku i Konispolit, marrin në kohë reale dhe me të njëjtën formë gjuhësore të njëjtin informacion si Presidenti i Republikës së Shqipërisë në Tiranë, si Presidentja e Kosovës në Prishtinë, si të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në mbarë hapësirat që përçohen nga valët e drejtpërdrejta ose satelitore të radiove e të televizioneve shqiptare. Po japim vetëm një shembull domethënës: një  i huaj nga Suedia, Ul Mar Kuik, i mirënjohur si përkthyes nga shqipja në suedisht, autor  i shumë artikujve për Shqipërinë e shqiptarët dhe i një Antologjie të letërsisë shqiptare për mjedisin suedez, e ka mësuar shqipen shumë vjet më parë duke dëgjuar Radio-Kukësin. (Ashtu siç e kanë mësuar italishten dikur shumë shqiptarë, duke dëgjuar programet e RAI-t). Këtë fakt kemi pasur parasysh kur kemi pohuar  se folësit më të mirë të radios e të televizioneve shqiptare kanë qenë e mbeten jo vetëm gazetarë, por edhe mësues  të shqipes, modeldhënës të shqiptimit, intonacionit, diksionit dhe përgjithësisht të të folurit bukur të shqipes. Natyrisht, kjo i ngarkon të gjithë edhe me përgjegjësinë që ta kenë kurdoherë të qartë se të shkruarit e të folurit e tyre shërben edhe si model për të gjithë ata që i lexojnë gazetat e revista, apo që i dëgjojnë e i shikojnë programet radiotelevizive.

Ndaj gabimeve e shkeljeve të pafalshme e të përditshme të rregullave të shqipes së shkruar e të gramatikës së gjuhës sonë, po tregohemi të pandjeshëm e, madje, neglizhues. Shqiptarët e Maqedonisë, ndonëse janë pakicë gjuhësore e etnike, kanë krijuar inspektoriatin gjuhësor dhe po kërkojnë e po punojnë me ngulm për mbrojtjen e shqipes dhe zbatimin e gjuhës shqipe në të gjithë praktikën shkrimore e botuese.

Ne duhet patjetër të krijojmë, së paku në Akademi, një komision a grup pune pikërisht për mbrojtjen e gjuhës, duke mos lejuar gjendjen e pakujdesisë dhe gabimeve trashanike që po bëhen në faqet zyrtare të institucioneve  shtetërore, në botimin e librave dhe në gazetarinë e shkruar e të folur. Me ngut e me përgjegjësinë e duhur kërkohet të pastrohen e të rishikohen nga ana gjuhësore reklamat e televizioneve dhe titujt e titullimet e rubrikave, shumica e të cilave janë padrejtësisht e pa asnjë motivim bindës vetëm në gjuhë të huaja.

Edhe njëherë, natyrisht, ritheksoj se vendosja e shqipes në Universitetin e Havardit si gjuhë me përzgjedhje është një kumt i gëzueshëm, jo vetëm pse ne shqiptaret “vdesim” për pak publicitet, por mbi të gjitha se është pikërisht koha e duhur për t’i dhënë  rëndësinë e duhur njohjes dhe mbrojtjes së   gjuhës shqipe  në kuadrin e shtrirjes  së jashtëzakonshme të gjuhës sonë në mbarë botën, por kjo vendos përballë përgjegjësive akoma me të mëdha Qeverinë (në fakt qeveritë shqiptare Republikën e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës, në Maqedoninë e Veriut e në Mal të Zi), Akademinë dhe institucionet e tjera që të koordinojnë dhe të nxisin programe mbarëkombetare që synojnë në forcimin dhe rritjen e njohurive të gjuhës shqipe me themele të shëndosha e që, ndër të tjera, të jenë edhe model për të gjitha ato katedra a qendra mësimore a srudimore të shqipes në mbarë botën.

Së mbarmi, por jo për nga rëndësia, pohoj me gëzim të ligjshëm se, kur universitete të popujve të mëdhenj, si Harvardi i SHBA-së, apo Universiteti i Gjuhëve të Huaja  i Pekinit (Kinë), dhe universitete të tjera që përmendëm më lart, i bëjnë vend  gjuhës shqipe në radhën e gjuhëve që meritojnë të njihen e të mësohen, duke pasur edhe mëtimin frymëgjatë e shumë të lakmueshëm për ne: të jetë gjuha jonë edhe si një “derë” e hapur, nëpërmjet së cilës  jo vetëm në Evropë, po edhe në Amerikë, në Kinë dhe e kudo në botë të njihen edhe letërsia

e botimet shqiptare. Gjuha shqipe është gjuha dhe etnolekti të një populli e kombi të vogël në Ballkan, por që ka  fituar njohje e interesim për të në të gjithë botën, kjo, natyrisht, edhe për hir të njerëzve të shquar të letrave e të artit që jetojë e punojnë sot në shumë vende të botës.

Tiranë, 26 maj 2022