Kur në shkurt të 2016 Edi Rama tha “unë jam feminist se jam socialist, po duan s’duan jam edhe artist”, fjalia tingëlloi bukur duke bërë xhiron e mediave. Ishte takimi i madh i Forumit të Grave Socialiste dhe gjysma e parë e frazës së famshme që ishte artikuluar fillimisht nga ish Kryeministri spanjoll Jose Luis Zapatero, e ngriti entuziazmin në atë sallë të stërmbushur me gra e vajza. Ishin vitet që po ndryshonin njëherë e përgjithmonë, historinë e vendit ballkanik, dominuar nga kultura maskiliste.

Vetëm 5 vjet pas kësaj, Shqipëria do të futej në top 10 vendet e para të botës, që kanë më shumë gra në qeveri. Ndaj Valentina Leskaj nuk kishte si të mos ndihej krenare, ndërsa shihte të realizohej para syve të saj, njëra prej kauzave që i kishte kushtuar jetën. E kishte nisur angazhimin e saj disa dekada më parë si gazetare, për ta vijuar si aktiviste e të drejtave të njeriut, e drejtuese e shoqërisë civile. Anëtare qeverie e deputete. Kryetare e Grupit Parlamentar të PS dhe nën Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë.

Një grua e angazhuar në rreshtin e parë të përpjekjeve për emancipim shoqëror, nuk mund të ndihej plotësisht e realizuar, nëse nuk do ta linte të shkruar “testamentin” e saj. “Politika si ide” është libri prej 400 faqesh, që shndërrohet sapo e përfundon, në një busull për këdo që është i interesuar për zhvillimet kyçe që kanë shënjuar jetën shqiptare. E ke të lehtë ta gjesh rrugën për atje, kur bazohesh tek përvojat personale të autores, harmonizuara me eksperiencat dhe ajkën e mendimit botëror.

Bashkëbisedimi i Valentina Leskajt me Alda Bardhylin, na ndihmon që të kemi një vështrim 360 gradësh, për ngjarjet dhe fenomenet që kanë shënjuar identitetin e ri shqiptar. Fati e ka dashur që të udhëtojë herët dhe përgjatë gjithë jetës. Ajo ka shkuar nga jugu në veri të vendit, nga poli i veriut e deri në skajin më të largët të Afrikës së Jugut, nga lindja në perëndim të Shqipërisë, nga Japonia në SHBA rreth e rrotull globit,- duke u shndërruar në një eksploratore të së ardhmes, që ka shqisën e veçantë për të nxjerrje kudo mësime nga e shkuara.

Edhe kur është ndalur në rrugë për të folur me nënën e varfër të 10 fëmijëve që punonte tokën, edhe kur është takuar me më të fuqishmit e këtij planeti, edhe kur ka medituar në qelinë ku kaloi 27 vitet e jetës së tij unikale Nelson Mandela, Valentina Leskaj duket sikur ka patur të njëjtin preokupim. Të njëjtin shqetësim. Të njëjtën shtysë. Të njëjtën ndjesi. Të njëjtën përgjegjësi: Si mund ta shndërrojmë çdo sfidë, në një mundësi të re, për të ardhmen e përbashkët të gjithëkujt.

Edhe kur flet për historikun e feminizmit, edhe kur përshkruan rrugën brenda vetes, edhe kur analizon të majtën e të djathtën, teknologjinë e demokracisë dhe kulturën e saj, reformat e strukturën e qeverisë, ministrinë e Punës e të Çështjeve Sociale që ka drejtuar, sistemin politik, luftën e brezave dhe sfidat e gruas në politikë, Valentina Leskaj nuk e konsideron lexuesin nxënës por bashkëudhëtar të denjë.

Në këtë libër me qajse gati gati Presidenciale, ju mund të kuptoni fare qartë sesi idetë e saj të majta, nuk inteferojnë për ta eklipsuar në mënyrë partizane optikën gjithpërfshirëse. Rrallëkush nga njerëzit e angazhuar në një kahje politike në Shqipëri, ia del ta ruajë ekodistancën edhe me kundërshtarët më të egër, përmes një qasje përbashkuese në interes të publikes.

Edhe pasi ka takuar Sekretarin e Përgjithshëm të OKB dhe Presidentët e SHBA, edhe pasi shtërngon duart me Hillari Klinton, Madeleine Albright dhe fitueset e çmimit Nobel, Kryeministra, Princër, Mbretër e Mbretëresha,- Valentina Leskaj është e njëjta. Është po ajo kolegia që kam patur fatin të jem në të njëjtin grup parlamentar, që të fton natyrshëm të jesh pjesë e takimeve të rëndësishme politike, apo fqinja e derës ngjitur pranë zyrës së një media online, ku banon në një pallat modest në Tiranë.

Edhe kur shkruan për pushtetin e fjalës, apo gjuhën e urrejtjes, tolerancën fetare e politike, zhvillimet demografike, varfërinë, punësimin dhe zhvillimin social,- ajo imponohet përmes ideve, argumentave shteruese dhe një qasje ndryshe. Vali Leskaj nuk ka patur nevojë të ulërasë a të godasë ndokënd poshtë brezit, për tu bërë ajo që është. Sepse tek qytetaria dhe urtësia, fshihet sekreti i suksesit të saj, përmes një jete të jashtëzakonshme.

Kam qenë përballë saj kur iu drejtua Sali Berishës emrin e të cilit e ka evituar në tekst: “Harroje që mund të më ndryshosh standardin tim me gjuhën tënde, se nuk do ta ndryshoja kurrë, për asnjë arsye e nga asnjë presion”. Është një standard që e ka ruajtur dhe lartësuar si kurrë më parë, edhe në këtë libër, që do të jetë për një kohë të gjatë një tekst referimi që i kishte munguar bibliotekës sonë jo vetëm politike.

Libri Leskaj
Libri Leskaj
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb