Në 10 vjetorin e protestës së 21 Janarit, ku mbetën të vrarë në bulevard 4 protestues, gazetari Sokol Balla deklaroi se pas ngjarjes, ishte bërë gati arrestimi i kreut të opozitës së asaj kohe, Edi Rama, por kjo ‘skemë’ u prish nga pamjet që transmetoi News24, ku shiheshin se nga erdhën plumbat.

Sipas Ballës, Rama nuk ishte në dijeni për këtë fakt.

MERO BAZE: Kur dolën në News24 në 00:00 të natës, pamjet nga gazetari Artan Hoxha, aty pastaj filloi të ndryshojë komplet qasja e tij, pranoi vrasjet dhe filloi skenari i dytë që unë i bëra këto vrasje që ky ishte puc politik dhe filloi të prodhonte ngjarje që ilustronin pucin politik, Bamir Topin, Ina Ramën dhe gazetarët. Krijoi 3 skema qesharake për të krijuar idenë e një puci dhe filloi të mbronte vrasjet. Mjafton ky ndryshim skenari dhe me atë duhet të ketë punë drejtësia. Në orën 8:00 një ish zëdhënës i PD kishte shpikur, montuar në atë zyrën e tij dixhitale një plak që i afrohej Ziver Veizit tek dera e kryeministrisë me çadër, e kishte bërë si film vizatimor herë me ecje të shpejtë dhe herë të ngadaltë dhe provonte sipas tij që ky burri është një nga ata të opozitës dhe se ky plaku ishte një nga ato sovjetikët e vjetër që ishte futur aty për të vrarë dikë. Sipas dëshmive që kam nga Partia Demokratike, nga njerëz që kanë qenë brenda, u mblodhën të gjithë tek shtëpia e ish-zëdhënësit e panë këtë dhe e mori pronari i tv Klan dhe po ta hapni emisionin “Opinion” të orës 09:00, të datës 21 janar, flitet 2 orë se si ai plaku, skenari që vrasjet janë bërë nga opozita ka filluar deri në 00:00 nga të gjitha televizionet e qeverisë, në atë që quhet propagandë e qeverisë. “Kanë qenë të gjithë të bindur se ky version duhet ngulur në mendjen e shqiptarëve dhe nesër mbarojmë punë. Arrestojmë Edi Ramën, opozitën si vrasës të qytetarëvë dhe kjo punë mbaron”.

SOKOL BALLA: Sipas informacioneve që kam unë, gjithçka ishte bërë gati dhe mandat arresti ndaj tij ishte bërë gati. Gjithë skemën e prishi News 24. Z.Rama sigurisht nuk ishte në dijeni. Ai siç ju thashë ishte në një kafe bashkë me Paulin Stërkaj dhe përballë kishte derën e drejtorisë së Policisë ku pas pak me shumë gjasë do të dilnin policët që do ta arrestonin. Nuk besoj se ai kishte dijeni dhe nuk besoj që ai ndjente ndonjë frikë personale ndaj vetes së tij. Mesa di unë, ai në orët, pasi u bllokua në Urën e madhe tek Bulevardi Dëshmorët e Kombit, ishte kthyer më pas është mbyllur dhe e ka ndjekur ngjarjen nga zyra e tij. Ka patur komunikim zero, pasi atë ditë, siç ju e dini celularët atë ditë nuk funksionuan. Me të kam folur vetëm në orët e vona të mbrëmjes, nuk kam folur direkt me të, kam folur përmes telefonit të Paulin Stërkaj. Por besoj se z.Rama nuk ishte fare në dijeni të arrestimit të tij, megjithëse ne të tjerët po e kuptonim, se skema po plotësohej dhe po shkohej drejt këtij akti final. Por siç e thashë në fund fare ishte media dhe gazetarët që e shpëtuan Shqipërinë nga një skenar shumë i errët.

ERVIN DAJA:
Për hir të së vërtetës e dija që ishte material shumë i rëndësishëm por nuk e mendoja që do sillte një kthim të rrotës të historisë kaq të fuqishme. Ato ishin realisht pamje shumë të rëndësishme dhe për mua janë nga pamjet më të rëndësishme që kam xhiruar ndonjëherë jo vetëm sepse ato bën xhiron e botës por sepse ishin një provë e fortë materiale për prokurorinë dhe opinionin publik që vërtetuan se çfarë ndodhi atë natë. Më pas nuk mund të them i frikësuar por presionin e ndjeja vazhdimisht sepse të gjithë flisnin për këtë temë dhe përpiqesha dhe ndonjëherë mes miqsh ta fshija autorësinë e këtyre planeve nga presioni që ndjeja.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb