TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Xhamia Mbret ose Xhamia e Sulltanit, një nga xhamitë kryesore të Beratit ndodhet në qendër të qytetit si pjesë e një kompleksi arkitekturor ku veç saj janë dhe teqeja Helvetive me gjithë konakët, si dhe ajo e Sheh Qerimit.

Kryeministri Edi Rama në rubrikën e tij “Shqipëria e bukur”, publikoi sot pamje nga restaurimi që po kryhet në këtë monument kulture.

Në kuadër të programit të Ministrisë së Kulturës “Rrugët e Besimit”, Xhamia Mbret i është nënshtruar ndërhyrjeve restauruese, të financuara nga Agjencia Turke për Zhvillim (TIKA) dhe e mbikëqyrur nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Projekti i restaurimit është hartuar në bashkëpunim me specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe parashikon restaurimin e plotë të xhamisë.

Xhamia Mbret është një nga objektet e kultit islam më të rëndësishëm në qytetin e Beratit dhe monument kulture i kategorisë I i shpallur që në vitin 1948. Ajo është pjesë e kompleksit të Qendrës Islamike dhe është ndërtuar nga Sulltan Bajaziti II në fund të shekullit XV./k.s//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.