Albania

“Të dashur amerikanë, këlyshi ourellian që vetë e toleruat, sot po ju tregon dhëmbët”. Shkrimi profetik i të ndjerit Andrea Stefani në 2016 në DITA që duket sikur është shkruar sot

Nga Andrea Stefani

Botuar në DITA, 17 qershor 2016

Ish-ambasadori amerikan, Uilliam Rajerson, promovuesi i parë i Sali Berishës si “lideri demokrat që përmbysi diktaturën komuniste”, u bëri thirrje deputetëve të PD të  çlirohen nga kapja që ju ka bërë Berisha dhe të votojnë me vullnetin e tyre të lirë reformën në drejtësi. Ky është një nga ato zhvillime thuajse sureale në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane rrjedhojë e faktit që Berisha, beniamini për mbi dy dekada i SHBA, ka nisur të shohë këto ditë.

Konflikti për reformën në drejtësi mes Sali Berishës nga njëra anë dhe SHBA në anën tjetër është bumerangu që diplomacia e demokracisë më të fuqishme në botë e vuan sot për shkak të tolerimit 25 vjeçar të trashjes së kultit të liderit absolut në krye të PD. Në funksion të llogarive apo lloj-lloj interesash të tjera më strategjike SHBA toleruan, madje nxitën, fabrikimin e mitit të Berishës si përmbysësi i komunizmit, si sjellësi i demokracisë, si kryelideri i shqiptarëve në rajon apo “burri i madh i shtetit”.

Aq e madhe ka qenë mbështetja e lobeve amerikane ndaj Berishës, sa në vitin 2005 ai u rikthye në pushtet pasi qe larguar duke e shpënë vendin në një luftë civile që u shmang me ndërhyrje ushtarake ndërkombëtare. E rikthyen në pushtet amerikanët “demokratin” edhe pse kish kryer një grusht të armatosur shteti.

Ndërkaq të gjithë ne, ata pak zëra që kundërshtuam këtë rikthim të autokratit kinse të “ndryshuar”, u injoruam si ekstremiste apo jo realiste. Mjerisht, ato që parathamë 20 vjet më parë, që ja këshilluam plot sinqeritet amerikanëve dhe ndërkombëtareve, u vërtetuan. Dhe po vazhdojnë të vërtetohen.

Amerikanët gabuan duke mbështetur një kult dhe jo sistemin e demokracisë. Por aty ku mbin kulti i liderit absolut aty edhe nënshtrimi është absolut. Madje kaq shumë është zhvilluar paranoja prej lideri të pagabueshëm e Saliut, saqë pasi ka nënshtruar tërë oborrin e politikanëve të PD, gjakon të nënshtrojë edhe SHBA dhe BE! Bëni si dua unë apo si them unë (siç volo, siç jubeo!) u thotë Berisha amerikanëve. Dhe ky është thelbi i krizës së sotme.

Amerikanëve po ju ngjet me Saliun si në fabulën e avokatit me hajdutin. Këtë të fundit e hodhën në gjyq për një vjedhje por avokati me mjeshtëri e nxori të pafajshëm. Kur po dilnin nga salla e gjyqit i thotë avokati hajdutit: Më thuaj tani e bëre vjedhjen apo jo? Para gjyqit mendoja se isha unë fajtori por pasi të dëgjova ty besoj që nuk jam unë! – u përgjigj hajduti. Vetë keni thënë se jam burrë shteti, sjellës i demokracisë, demokrat, prandaj si mund të bëj unë gjëra në dëm të demokracisë? – ironizon Berisha amerikanët ndërsa është shndërruar në pengesën kryesore për shtetin ligjor, reformën në drejtësi, integrimin dhe lirinë në Shqipëri.

Por puna nuk është vetëm tek sofizmi përqeshës që Berisha përdor kundër amerikanëve. E keqja më e madhe është piramida e nënshtrimit që ai ka krijuar në PD. Pas 26 vjetësh lider absolut, Berisha është investuar të pjellë, ushqejë dhe rrisë langonjtë e tij që lehin dhe kafshojnë me t’i urdhëruar “skape”! Me poste, me karriera, me privilegje. Ironia është se pikërisht në këtë oborr puthadorësh të Berishës, amerikanët janë vënë në kërkim të disidentëve që mund të dalin kundër Berishës për të votuar reformën ne drejtësi. Por kam frikë se do dështojnë.

Pothuaj të gjithë deputetët e PD ja dinë për nder Berishës që janë aty ku janë. Ndryshe do qenë askushi. Edhe disa me karrierë që në nisje të tranzicionit që kanë patur mosmarrëveshje me Berishën më fund të ditës, kanë përfunduar kompromise të qelbura me të që sot nuk mund të mos i pengojnë të dalin kundër udhëheqësit. Nuk besoj që në atë kënetë puthadorësh e servilësh të pasuruar nga favoret dhe korrupsioni i qeverisë berishiste, mund të dalin mjaftueshëm zëra në favor të një reforme për një drejtësi që në fund të fundit, nuk mund të mos hetojë edhe pasuritë e tyre të dyshimta.

Dhe mos harroni edhe një element tjetër të piramidës së kultit, masën e fanatikëve dhe elektoratit besnik që nuk mund të mungojë aty ku krijohet kulti i liderit të jashtëzakonshëm. Sepse ky i fundit ka fuqi për gjithçka, të bën të fitosh një tender disa milionësh, të jep një vend pune duke flakur një tjetër, te lë të konsumosh energji pa paguar, të pushtosh truall dhe ndërtosh pa leje apo të kultivosh kanabis.

Të gjithë këta stimuj antishtet deri edhe me natyrë mafioze, kanë krijuar shtresën sociale të berishizmit, thuajse klasën e tij. Prandaj edhe zhvillimet politike janë konfliktuale, plot mllef e urrejtje si në një luftë të ashpër klasash. Deputetët demokratë do ta kenë shumë të vështirë të votojnë kundër Berishës edhe pse kanë frikë se i hidhet ne fyt populli “demokrat” i pjellë nga politikat antishtet të berishizmit. I tillë është mekanizmi, struktura dhe pasojat e kultit të individit që nuk çrrënjosen dot aq kollaj pas 26 vjet tolerimi madje edhe mbështetjeje.

Përballja e një lideri autokrat si Berisha me SHBA nuk mund të mos ndodhte. Vetëm në rast se SHBA do pushonin së qenuri demokraci. Berisha nuk mund të mos konfrontohej me SHBA për reformën në drejtësi. Është konflikti tipik mes një autokrati të kriminalizuar dhe korruptuar dhe klanit të tij që nuk do drejtësi nga njëra anë, dhe demokracisë liberale që nuk bën dot pa drejtësi në anën tjetër.

Të fitojë autokrati do te thotë të marrë fund demokracia dhe që të fitojë demokracia duhet të marrë fund autokrati. Është një përballje finale që në Shqipëri duhet të qe zgjidhur nja 15 vjet më parë por që nuk ka ndodhur edhe për  faj të një realpolitike të SHBA që ka injoruar parimet universale të lirisë dhe demokracisë, injorim që sot po e vuan si një bumerang. Këlyshi ourellian që e toleruan është rritur në përbindësh dhe sot po ju tregon dhembët amerikanëve.

Por mos u trembni të dashur amerikanë nga kërcënimet e tij. Shikojani mirë gojën, vetëm një dhëmb i ka mbetur!

*****

Foto kryesore: Ish Ambasadori Amerikan ne Tirane, William Ryerson, gjate nje takimi me ish-kryetarin e PD, Sali Berisha

KY SHKRIM ËSHTË BOTUAR NË DITA NGA I NDJERI ANDREA STEFANI NË 17 QERSHOR 2016. CITONI NË MËNYRË KORREKTE BURIMIN NËSE SHPËRNDANI SHKRIMIN NË RRJET

Football news:

Rüdiger is ready to move to Bayern. He wants to receive more than 10 million euros a year
Ashraf Hakimi: Playing with Messi is a dream. He is simple-minded, taciturn, I was amazed by his behavior
Koeman will not be fired in the next few days. The key matches will be 3-with Levante, Benfica and Atletico
Gerard Pique: Barca has 5 games with a two-day rest. Champions League, match with Atletico. We are people
Sulscher on Ronaldo: His discipline has affected the Manchester United players. He knows that he will not go out in every match
Donnarumma is unhappy at PSG, he wants to play more often. Messi, Neymar and other Latin Americans support Navas
Cavani has recovered from the injury. Manchester United forward has not played for almost a month