TIRANË, 27 mars/ATSH/ Autoriteti i Mediave Audiovizive reagoi sot për sulmin me armë zjarri ndaj Top Channel duke theksuar se, “goditja e një mjedisi mediatik është një goditje ndaj demokracisë, ndaj lirisë së fjalës dhe mendimit”.

Në një deklaratë për shtyp, AMA tha se, “ngjarja e mesnatës së kaluar, kur godina e televizionit Top Channel ishte objekt i një sulmi me armë zjarri, me pasojë humbjen e jetës së një punonjësi të sigurisë, po përcillet me shumë shqetësim nga Autoriteti i Mediave Audiovizive”.

AMA shpreh ngushëllimet për familjen e punonjësit që humbi jetën nga ky agresion i papranueshëm dhe qëndron në krah të të gjithë ekipit të televizionit në këto momente të vështira.

AMA kërkon nga institucionet ligjzbatuese që të përparojnë me shpejtësi për ndriçimin sa më pare të rrethanave dhe autorët të vihen para përgjegjësisë ligjore.

Rreth orës 01:00 të pasmesnatës persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel. Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën roja i sigurisë shtetasi P. K., 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve).

/k.s/ /gj.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.