Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Ngjarja në Spitalin Infektiv, reagon MSHMS: Dënojmë dhunën ndaj ekipit të mjekëve dhe infermierëve

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dënoi ashpër dhunën e ushtruar ndaj ekipit të mjekëve dhe infermierëve në Spitalin Infektiv, të cilët kanë qenë në krye të detyrës, duke reanimuar një pacient në gjendje të rëndë, teksa janë goditur dhe dhunuar nga familjarët e pacientit.

Me anë të një njoftimi për mediet, mbrëmjen e sotme, MSHMS reagoi ndaj ngjarjes në Spitalin Infektiv ku Policia arrestoi në flagrancë dy shtetas dhe nisi procedimin për 3 të tjerë pasi rreth orës 02:00 të ditës së sotme, në ambientet e një spitali shtetëror, kanë goditur me grushte, për shkak të detyrës, një mjeke të këtij spitali, me pretendimin për neglizhencë mjekësore ndaj një të afërmi të tyre, që mjekohej në këtë spital, si dhe kanë dëmtuar dyert dhe dritaret e këtij institucioni.

“MSHMS e konsideron të patolerueshëm çdo akt dhune ndaj personelit shëndetësor dhe inkurajon organet e drejtësisë të çojnë deri në fund zbardhjen e kësaj ngjarjeje, duke çuar para drejtësisë autorin/autorët që kanë ushtruar dhunë ndaj mjekëve dhe infermierëve në detyrë”, thuhet në reagim.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale siguron qytetarët se shërbimi mjekësor është garantuar dhe do të vijojë të garantohet për çdo qytetar nga personeli shëndetësor i kualifikuar. MSHMS mbështet stafin mjekësor që shërben çdo ditë me përkushtim e profesionalizëm për pacientët dhe dekurajon çdokënd që nxit gjuhën e urrejtjes ndaj mjekëve dhe infermierëve.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.