TIRANË, 9 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një takim me studentët përfitues të programit të ri të bursave të studimit sa një pagë minimale e përmuajshme, se shumë shpejt paga minimale do të shkojë 40 mijë lekë.

“Dua t’ju them një sekret, jemi këtu midis nesh dhe mbase është gjëja e duhur që të ndaj me ju. Paga minimale shumë shpejt do të shkojë në 40 mijë lekë dhe kur them shumë shpejt, çështje disa javësh, dhe do të fillojë të aplikohet brenda pak muajsh për të gjithë. Ne nuk duam të ketë një pagë poshtë 40 mijë lekëve si në sektorin publik dhe privat”, u shpreh Kryeministri Rama.

Kryeministri tha se “nëse bëmë një përpjekje shumë serioze për të mbështetur 1 milion shqiptarë, nga pensionistët te kategoritë e tjera më në nevojë dhe të gjithë ata që kontribuojnë për shtetin, mbeti pa u adresuar pjesa e atyre më në nevojë që kontribuojnë në sektorin privat”.

“Ne besojmë se kjo rritje është e duhura. Ne besojmë se duke kontribuar edhe ne, qeveria, me një mekanizëm që jemi duke e përfunduar, paga minimale do të rritet në vijim dhe duam që brenda 2 viteve ajo të shkojë në 45 mijë lekë. Ju që sapo nisni shkollën, kini parasysh se me çdo rritje të pagës minimale ju do të merrni shtesën mbi pagën minimale që e filloni shkollën”, tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.