Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Veliaj për protestën e opozitës: Demokracia funksionon te kutia e votimit

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj komentoi protestën e opozitës, e cila është planifikuar për këtë të shtunë.

Në një intervistë televizive, Veliaj theksoi se demokracia funksionon te kutia e votimit. Ai shtoi se politika e djegies dhe e bllokimit ka treguar se sjell vetëm humbje.

“Edhe ata kanë kuptuar që kjo është një politikë që jo vetëm nuk sjell vota, përkundrazi pakëson edhe ato vota që kanë. Është diçka që nuk ka sjellë fitoren e askujt dhe nuk më rezulton që është një taktikë që funksionon. Kështu që, patjetër që protestat duhet të lejohen, por të thuash që ik ti, të vij unë pa votë, ja ku i kemi zgjedhjet, 14 maji. Të kandidojë vetë Saliu, Iliri e kush të dojë, e të provohet. Legjitimiteti buron nga kutia e votimit, ku njerëzit lidhin një kontratë. Në qoftë se ata janë me këtë filozofi, të mbushim sheshet, por kutitë bosh, ky është problemi i tyre. Ky nuk është një problem i demokracisë apo Shqipërisë, se Shqipëria dhe demokracia funksionon te kutia e votimit. Po s’i ke votat, hidhu përpjetë sa të duash, blloko, digj, por nuk është diçka që funksionon se s’ka funksionuar deri tani, që të legjitimohet kjo sjellje”, tha ai.

Veliaj shprehu bindjen se të shtunën, më shumë kuriozitet do të ketë për Luizin dhe Kiarën e Big Brother se sa për Saliun dhe Metën.

“Ne kemi marrë një kërkesë nga PD, unë jam shprehur që do e aprovojmë, por duhet të na thonë orën e mbarimit. Nuk mund të thonë që do marrim bulevardin pa limit. Së pari, sepse gënjejnë veten. Unë besoj se të shtunën në darkë do ketë shumë pak kuriozitet a puthet Iliri me Saliun dhe më shumë kuriozitet a puthet Luizi me Kiarën”, deklaroi Veliaj. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.