TIRANË, 3 mars /ATSH – I. Vata/ Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Del Monaco vizitoi sot komisariatin e Policisë nr. 1 në Tiranë për të parë nga afër trajnimin e punonjësve të policisë për rolin e tyre në zgjedhje.

Ai shoqërohej nga drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Gjovalin Loka dhe nga drejtori i Policisë Tiranë, Rebani Jaupi.

1 011 policë janë trajnuar deri tani në qarkun e Tiranës ose 68% e atyre që do të angazhohen me detyra në zgjedhje.

Drejtori Loka e falënderoi ambasadorin Del Monaco për mbështetjen e pandërprerë të Prezencës dhe tha se policia do të ruajë standardet e arritura duke qenë profesionale dhe duke respektuar ligjin.

Prezenca, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit po organizon dhe monitoron trajnime për rolin e policisë në zgjedhje për rreth 6 mijë punonjës policie në mbarë Shqipërinë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.