TIRANË, 28 shtator /ATSH/ Banka e Shqipërisë bën të ditur se, këtë vit, 32% e pronave të shitura në Shqipëri janë blerë nga qytetarë që jetojnë jashtë vendit.

Sipas vrojtimit periodik të publikuar së fundi nga Banka e Shqipërisë, tregu i pasurive të paluajtshme dhe indeksi i çmimeve të banesave tregon se blerësit jorezidentë vazhdojnë të kenë një peshë të konsiderueshme në transaksionet e tregut të pasurive të paluajtshme në vend.

Sipas ekspertëve, investimet infrastrukturore sipas modeleve më të mira dhe zhvillimi i tregut të ndërtimit, kanë rritur vlerën e pasurive të paluajtshme në Shqipëri dhe interesin për blerjen e pronave nga qytetarët vendas dhe të huaj.

“40% blerësve me banim jashtë Shqipërisë raportohen si rezidentë në Bashkimin Europian”, thekson BSH-ja.

Numri i pronave të shitura nga subjektet e anketuara shënoi vlerën e 709 transaksioneve, ose 12% më shumë krahasuar me gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.