Albania

Akuzat e botuesit të njohur ndaj deputetit e ministrit të Financave të Zogut: Keni abuzuar me fondet, ngritët një vilë dhe punësuat kunatin tuaj arkëtar…

Memorie.al publikon historinë e panjohur të konfliktit të ashpër që u zhvillua në shtypin e Monarkisë së Zogut në mesin e viteve ’30-të ndërmjet drejtorit të gazetës “Vatra”, Timo Dilo (me origjinë nga Labova e Zhapës së Gjirokastrës) dhe Abdurrahman Dibrës, deputetit të Parlamentit dhe ish-ministrit të Arsim-Kulturës dhe Financave, që në atë kohë ishte dhe drejtor i gazetës “Besa” që botohej në Tiranë. Të gjitha akuzat e ndërsjellta në mes dy botuesve të cilat patën një jehonë të madhe asokohe në qarqet politike dhe ato intelektuale, si dhe prononcimi i publicistit të njohur, Nebil Çika, që mbajti anën e kolegut të tij, Dilo…

Nga Dashnor Kaloçi

Gjatë viteve të periudhës së Monarkisë së Zogut (1925-1939) regjimi në fuqi i asaj kohe, kishte implementuar dhe adoptuar një legjislacion tepër modern për kohën, i cili nuk i linte asgjë mangut edhe legjislacioneve të shteteve më të përparuara të Perëndimit që kishin një demokraci të konsoliduar prej dhjetra dekadash. Një nga ato ligje të Monarkisë së Zogut ishte dhe ai i shtypit, i cili funksiononte më së miri duke sanksionuar dhe garantuar lirinë e shprehjes së fjalës për këdo shtetas shqiptar apo të huaj, gjë e cila ekzistonte jo vetëm në letër (në Kushtetutën e Mbretërisë), por edhe në fakt në jetën e përditshme. Nisur nga ajo liri e plotë shtypi, (ligji bënte përjashtim vetëm për familjen Mbretërore, e cila nuk mund të atakohej në shtyp), në gazetat e asaj kohe kishte mjaft artikuj, peticione, dhe shkrime të ndryshme që atakonin direkt zyrtarët më të lartë të shtetit, duke filluar nga kryeministri, kryetari i Parlamentit, deputet, prefektët, e deri tek nënpunësit më të thjeshtë të administratës vendore të Mbretërisë.

Në ato shkrime, zyrtarët e lartë të shtetit apo ministrat dhe deputetët, akuzoheshin hapur për marrje ryshfetesh, përfitime të paligjshme dhe abuzime të ndryshme që ata bënin me financat e shtetit apo me postet që mbanin dhe kishin mbajtur dikur gjatë viteve të regjimit të Monarkisë së Zogut. Pjesa më e madhe e këtyre shkrimeve, që atakonin direkt zyrtarët e lartë, bëheshin kryesisht nga gazetarët dhe botuesit e gazetave, të cilët ishin në korent dhe kontakte të përditëshme me njerëzit e jetës politike e publike. Një nga ato debatet të ashpra që u zhvilluan në shtypin e atyre viteve, ishte ai ndërmjet drejtorit të gazetës “Vatra”, Timo Dilo (me origjinë nga Labova e Gjirokastrës), dhe drejtorit të gazetës “Besa”, Abdurrahman Dibra, i cili gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, ishte dhe deputet i Parlamentit dhe anëtar i disa kabineteve ministrore duke mbajtur portofolet e Financave, Arsimit e Kulturës.

Pa pretenduar të mbajmë anën e njërit apo tjetrit në atë debat që u zhvillua asokohe në mes tyre, por me qëllimin e vetëm për pasur një ide më të plotë për atë liri shtypi dhe shkallë emancipimi që ekzistonte në Shqipërinë e atyre viteve, një pjesë të asaj polemike, Memorie.al po e publikon të plotë dhe pa i ndryshuar asgjë, duke e konsideruar atë si një realitet të shoqërisë shqiptare të asaj kohe.

Artikulli i ish-ministrit të Financave, Abdurrahman Dibra, në gazetën ‘Besa’: Jeta plot njolla dhe tradhti e Timo Dilos

Turpi fle, i zoti s’e lë…

Prej ditës që Dilo-ja bëri metamorfozën e tij të shpejtë fët e fët, u tund e u shkund, ndërroj lëkurë e fytyrë, si gjarpri që ndërron lëkurën e tij, nuk kemi dashur, na ka ardhur ndohtë dhe të vjellët, t’a prekim këtë kërmë të fëlliqur të shtrirë në këmbët e atij e këtij dhe të çdo personi që i ka ofruar diçka më tepër. Përpara kësaj kërme të shtrirë kështu plot krimba e plot erë të qelbur, kemi zënë hundën me dorë, dhe me ndohtësi dhe me të vjellë jemi larguar me revoltimin e zorëve të barkut t’onë. Kemi plot tre muaj që këtë kërmë të shtrirë në mes t’onë e nëpër turpin t’onë me erën që na kundërmoj po e durojmë, po shohim dhe po heshtim pse përpara kërmës përveç ndohtësisë as gjë nuk mund të thuhet, as gjë nuk mund të çfaqet pse kërma e ngordhur dhe e kalbur, as prekje duron, as thikë pranon. Kjo e vetëm kjo ka qenë arsyeja e heshtjes s’onë e cila në qoftë se sot po zgjohet, fajin nuk e kemi në se – si thotë populli: “Kur turpi fle, i zoti nuk e lë”, e pra po vazhdojmë.

Mos i hiq petën se i del gjella…

Kështu këshillon populli dhe me plot arsye…se po t’i heqim petën lakrorit do të shohim se përfaqësonjësi i vetëquajtur i “Djalëris Shqiptare”, i dinamizmës, i liberalizmës, i oksidentalizmës etj., etj., nuk është gjë tjetër veçse një këlysh greku i rritur dhe i ushqyer me thërrime e kocka greku dhe gati për çdo shërbim. Dhe ja se si: Timo Dilo-ja, drejtor i “Vatrës”, nuk ka asnjë lidhje, as një verigë, as një marrëdhënie me Shqipërinë t’onë, se pse këtu ka ardh vetëm për tregti, vetëm për spekulim, vetëm për shantazh, vetëm për çkatërrim dhe, pasi t’a plotësojë këtë mision të shenjtë (!) me plot sukses, do të kthehet atje ku e pret me krahë hapur i vëllaj, Rako Dilo-ja, prokuror i Greqisë dhe në shërbim permanent të kësaj për të shkulur dhe gurin e fundit të Shqipërisë. Timo Dilo-n me vëndin t’onë nuk e lidh asgjë prej gjëje, se ky këlysh i rritur me kocka greku në Labovën e poshtme të Gjinokastrës, përveç të vëllait të tij Rakos, që e ka në shërbim dhe në dispozicionin grek, nuk ka njeri tjetër në Shqipëri, e pra për këtë ç’katërrimi, paralizmi, përçarja dhe fundi përmbysja janë ideale të shenjta për t’u realizuar.

Cili është Dilo-ja?

Petën e lakrorit e hoqi vet Timo-ja dhe nën atë petë u duk një gjellë e lloj-llojshme e me shtat qind gjëra brenda; shihni pra:

I vëllaj Rako Dilos – prokuror, agjent e çdo gjë në Greqi – Timo Dilo-ja i rrugëve, i imoraliteteve, pa asnjë kulturë, që i vogël, për të fituar bukën e gojës, ma parë lustraxhi, dhe ma vonë si shërbëtor, shërbente në zyrën e z. Vasil Dilos, e pastaj në shtypshkronjën “Omonia”, ku Timoja sefte kthente rrotën e makinës së shtypshkronjës e pastaj u bë rradhonjës i “Omonia”-s, në gjuhën greke. Shërbëtori i “Omonia”-s, Timo-ja, pas okupimit të Gjinokastrës prej italianëve, me bursën e këtij shteti u dërgua në Milano, në Institutin ‘Bocconi’ ku nuk qëndroi më tepër se gjashtë muaj dhe për imoralitet u çpor nga ky institut dhe hyri në shërbim të Greqisë, në një nga konsullatat e kësaj, prej ku për falsifikime, për imoralitet, u nxuar nga penxherja e jo nga dera. Dhe pastaj Timo-ja i këtyre aventurave e i këtyre imoraliteteve, bën si bën dhe hyn në Ministrinë e Financave të Shqipërisë s’onë, prej ku, pas pak kohe, demaskohet dhe flaket në mes të baltës së gatuar prej tij.

Pas kësaj shuplakeje të fortë të nacionalizmës shqiptare, kur Timo-ja po vinte vërdallë i shushatur e i mahnitur po ushtronte profesionin e tij të hershëm, erdhi Banka Greke në Durrës, e cila njëherësh e mori në gjirin e saj dhe e mbajti me pekulet dhe përkëdhelit e meritueshme gjer sa kjo mbylli dyert e saj. Pas perëndimit të kësaj ëndërreje, Timo-ja u hoth në piqini e atij e këtij dhe më në fund vendosi e u bë çiraku, shegerti, bashkëpunëtori i pandarë i Çekrezit të famshëm, me të cilin bashkëpunoj, bashkëveproj si jashtë edhe brenda në burg, edhe pas lirimit të këtij, edhe kur ky u nis për të përgatitur tragjedinë komike të Fierit. Timoja i Çekrezit dhe kujdo tjetër që i tregon lëpushka e para, mbajti ison e qeveris së parë dhe u tregua nga “Papa…, më Papë…”, gjer sa i’u ble shtypshkronja, gjer sa i’u dhanë me mijra e me mijra franga ari, për të ngrehur shtëpinë e tij, e gjer sa paguhesh subvencioni e sipër këtyre edhe uzoja, edhe mastika greke edhe mezeja e artikujve plot elozhe, plot lëvdata, plot tituj e plot epitete në çdo rast. Dhe me të vërtetë këto i ç’përbleu e qëndroj besnik…Pra ka plotësisht të drejtë sot fletën ta kthej nga ana tjetër…mjaft më…ja ky është Timo Dilo-ja, sot e të shohim nesër…!

Këtu mbillet, jashtë korret…!

Në qoftë se ky Dilo i këtyre turpeve, i këtyre tradhëtive, i këtyre llucave sot e tre muaj po shkumbëzon jargë pa pushim, këtë nuk po e bën as për të mirën e “Djalërisë Shqiptare”, as për të mbrojtur Qeverinë e sotme, as për të luftuar ata që i kanë mbushur xhepat… as për gjë tjetër, por vetëm e vetëm për të diskretituar Shqipërinë, për të çnderuar shqiptarët dhe për të vërtetuar mos kapacitetin t’onë për një jetë të lirë dhe indipendente, pikërisht ashtu siç e duan dhe e ëndërrojnë armiqtë t’anë. Pra, përçarjet epitetet, adjektivet, ç’pifjet e lloj-llojshme që po mbjell këtu Dilo-ja, pa tjetër mundohet t’i korrë përtej kufijve, sepse për të Tirana është njerkë dhe vënd i premtuar nënë. Dhe pikërisht ky besim, ky mentalitet e shtyn Dilon në numrin e pardjeshëm të lëveres së tij (gazetës së tij, shënimi ynë), të bëjë një krahësim në mes Stambollit dhe Tiranës dhe në vëndin t’onë, siç e cilësojnë gjith armiqtë t’anë – ta quaj një Turqi të vogël, por gabohet se ata që ay mundohet t’i diskretitojë nuk i ngjajnë Dilos e kompanisë së tij që mbiellin këtu për të korrur gjetkë.

Nuke katafere (!) dot Qir Dilo!

Rrëmuja që ka krijuar trimi i këtyre turpeve dhe i këtyre njollave të zeza rreth personit të Abdurrahman Dibrës, është një furtunë brenda një kupe uji, sepse Timo-ja, sipas zakonit të tij për shantazh e mashtrim, pik së pari me fraza t’errta e me nënkuptime tha se: Z. Salih Vuçiterni kishte më dorë një letër të drejtuar per Z-it A. Dibra dhe në këtë e denoncoi duke pyetur se ç’ishte teksti i saj. Kësaj gënjeshtre kaq groteske, menjëherësh i’u përgjegj Z. Vuçiterni, i cili gënjeshtrën i’a përplasi në fytyrë dhe i tha: shpif se as më ka dërguar, as kam ndonjë letër të këtillë!

Pra llustraxhiu Timo – si thotë vetë – nuk ekataferioi (përtypi), dot këtë punë dhe prandaj u hoth në një degë tjatër: përftoj prej harresës së z. Vuçiterni dhe i’a nisi avazit krejt ndryshe, por prap nuk ekataferi dot, sepse informata mbi letrën, gjoja e dërguar prej Z. A, Dibrës, të afërmeve të tij e që Z. Vuçiterni e kallzon se e paska dëgjuar nga z. Sul Shehu dhe ky i bazuar në dëgjimin e të tjerëve, nuk i përshtatet së vërtetës: Z. Vuçiterni ka qenë Prefekt në Dibër më 1921-‘922 dhe më 22 Dhjetor 1922, pas rrëzimit të deputetëve të Drinit, bashkë me Zz. Abdyl Sula, Fazlli Frashërin, Fiqri Rusin, Mehmed Pilkun, Rexhep Matin, është zgjedhur deputet i Dibrës dhe në këto zgjedhje Z. A. Dibra nuk ka qenë kandidat.

Në zgjedhjet e filluara më 26 nëntor 1923 për Asamblenë Konstituante, Z. Vuçiterni nuk ka qenë prefekt në Dibër. Dhe vetëm në këto zgjedhje të Asamblesë, kur zëv. Prefekt në Dibër ka qenë Z. Qazim Matraxhiu, populli i atjeshëm ka vënë kandidaturën e Z. A. Dibrës, i cili me unanimitet është zgjedhur miss (deputet) i Kuvendit Kushtetues dhe që n’ë atë kohë ka ardhur në Shqipëri, jo në mënyrë provizore si nënpunës i Turqisë, por si përfaqësonjës i popullit shqiptar, duke ç’këputur çdo marrëdhënije edhe me të vogël me Turqinë, ku ka pasur nënpunësira në gradë Prefekti, dhe qysh atëhere është vendosur definitivisht këtë me gjithë familjen.

Guri i math mbi të voglin

Por për krimbin e verdhë mbi kohë të zezë që ngjitet kudo e rron me se do nuk kanë ndonjë rëndësi kto: Timoja ka një mision: t’i vërë pishën edhe njëherë tjetër Shqipërisë, pikërisht ashtu siç ia vunë të afërmit e shokët e tij më 1914 dhe për këtë ideal po përpiqet dhe për këtë qëllim, një këmbë e ka këtu, e tjetrën gjetkë, dhe prandaj ndan e përçan, dhe prandaj ndez zjarr e shtyn urat…! Dhe sikur nuk mjaftonin urat e ndezura gjer më sot prej tij në kërthizën e Shqipërisë dhe për të përvëluar ekzistencën e kësaj, po ja edhe një zjarr tjetër: Dibranizma…! E nën këtë fshehur kantonizma me drejtim për n’Epirotizmë për Timon e kompani, gur i math mbi të voglin, vetëm shkreti e vetëm çkatërrim dhe për këtë benzin e spica…! Në qoftë se Z. A. Dibra ka mbrojtur e ka përkrahur dibranët, brenda caqeve të ligjeve, tradhti paska bërë, dibranizmë paska ngjallur?

Po dibranët, këta fatzezë të djegur, të shkretuar, të masakruar sa e sa herë prej tipeve të Timos nuk kanë të drejtë ekzistence në këtë Shqipërin e ngrehur edhe me kockat edhe me eshtrat edhe me gjakun e tyre? Apo Timoja shqiptarëve pa distenksion krahine e klase, u’a mohon të drejtën e rrojtjes e të përfitimit legal në Shqipërin e lirë, pikërisht si u’a mohuan këtyre këtë të drejtë shokët e tij më 1914 në Jugë dhe më 1912 në Dibër e në Kosovë? Ay që nuk e ka humbur ndërgjegjen përpara këtyre krimbave të propagandës së huaj, revolton dhe me tërbim thërret: Hosht, zagar e mos leh më…, për hesapin e atyre që të hedhin kocka vetëm për diskreditimin e çkatërrimin e Atdheut t’onë.

Përgjigjia e drejtorit të gazetës “Vatra”, Timo Dilo: “Letër e hapët z. Abdurahman Dibrës, pronar i gazetës ‘Besa”

Zoti Dibra

E kënduam artikullin, e reklamuar me mjeshtëri kundrejt drejtorit t’onë që botuat në gazetën juaj pardje më të Shtunë. Kur i lind njeriu në mëndje se ju, që pohoni një fjalor si ay që keni përdorur ose keni lejuar të përdoret botërisht në gazetën tuaj, keni pas qenë dikur Ministër i Arsimit që ka për qëllim edukimin dhe moralin e brezit të ri të Shqipërisë, nuk është e mundur që të mos tundij kokën për disa minuta, dhe të lërë vështrimin të lirë nga sy gjysëm të mbyllur për t’u shëpërndarë pastaj në hapësirë…! Na ndan një distance e madhe z. Dibra, një epokë, një botë e tërë. Ne nuk zbresim, dhe nuk mund të zbresim në atë nivel që u ulët zotnia juaj me artikullin e pardjeshëm. Shumë arsye nga pengojnë për të ndjekur këngën tuaj. Le të përmëndim vetëm dy.

E para: edukasjoni. Respekti kundrejt publikut e dyta. As atje tutje në Turqinë e vjetër, atje ku keni jetuar sa u bëtë 11 vjeç, më i vogël nga çka jeni sot, nuk besojmë që të kenë vënd në gazeta me botue artikuj me ato fraza të ndyra që servirët të Shtunë mbrëma e-rinis shqiptare, e cila priste përkundrazi dhe me të drejtë, tue dhënë kredi premtimi juaj, me zbulime sensacionale tradhtie kundër një gazetari që ushtron profesionin gadi për 10 vjet rresht dhe i cili gjer atë ditë nëse s’njifej për patriot, por s’diktohej prej kurrkujt për tradhëtor. Ne j’u atakuam z. Dibra vetëm për jetën politike dhe nëse përmëndëm akraballëkun tuaj, e bëmë se kishim qenë shtërnguar për t’ju provuar faktet mbi të cilat mbështetnim atakimet t’ona.

Në jetën private nuk ju prekëm. Nuk përdorëm fjalë të dobta. Kemi qenë sa ishte më e mundur, korrekt. Ndonjëherë kemi qenë të rreptë, simbas gjykimit tuaj. Por edhe rreptësia justifikohet ku ju paraqiteni si shampjon (kampjon, shënimi ynë), i patriotismës, kur ju keni pretendime që të paraqiteni si tradhëtorë të Atdheut, ata që s’bashkohen me mejtimet e juaja, kur ju investoni një mijë e një çpifje dhe bëni shantazhe kundër atyre që ju favorizojnë situatën e sotme, e cila u pranua me entuziasmë nga i gjithë populli shqiptar. Se ju z. Dibra keni nga të gjithë më pakë të drejtë të paraqiteni si i tillë dhe të veproni dhe të shkruani sa keni shkruar. Ju u kthyet në Shqipëri vetëm në vitin 1923, ahere kur kishin kaluar të gjitha rreziqet që u paraqitën gjer në atë kohë dhe që vënin në dyshim ekzistencën e shtetit shqiptar, ahere kur përpjekjet heroike të shqiptarëve në moshën tuaj kishin përfunduar me sukses, ahere kur Shqipëria ishte më e njoftuar zyrtarisht dhe solemnisht nga të gjitha shtetet e botës. Ahere u kthyet ju z. Dibra.

Dhe ahere që u kthyet, u kthyet përsëri me konditë. Një patriot i vjetër, Salih Vuçiterni, që s’iu a kishte dëgjuar kurrë emrin gjer në minutën që u kthyet në Shqipëri, vërteton se ju, po të mos zgjidheshit deputet, do të ktheheshit përsëri në Turqi, për të vazhduar detyrën tuaj si kryetar i Bashkisë së një lagjeje të Stambollit. Dhe një personi që kthehet me të tilla kondita dhe një personi që kthehet në këtë kohë, ne kemi plotësisht të drejtë që t’i kontestojmë pretendimin se munt të ketë një pozitë më të ç’quar nga ata që atakohen sot. Por ne ju atakuam dhe kontestojmë këtë pretendim edhe për arsyet që ju thamë pardje dhe që i përsërisim edhe sot.

Zoti Dibra, ju si ministër i Financave keni abuzuar

Kur drejtonit dikasterin e Financave, kini ndihmuar në mënyrë skandaloze rrethin tuaj. Muart kunatin tuaj që shërbente në një dikaster tjetër dhe e emëruat Arkëtar të Përgjithshëm pa eksperiencën e duhur. E emëruat pa respektuar as ligjin që cakton se: transferimi i një nënpunësi të një dikasteri në tjetrin, duhet bërë me pëlqimin e të parit. E emëruat t’ue shkelur skandalozisht të drejtat e kaq nënpunsave të karrierës, me të gjith cilësitë për të zënë vëndin vakant të Arkëtarit të Përgjithshëm. E emëruat tue përbuzur të gjithë opinionin publik që u revoltue me këtë emrim. Dhe kur ju z. Dibra emëruat kunatin tuaj në këtë vënd, dhe kur asnjë pagesë s’bëhej pa kaluar nga kontrolli juaj dhe me autorizimin tuaj, menjëherë filloj një referim pagesash në personat që kishin akraba (akraballëqe, këtu ka kuptimin: të korruptuar), kaq sa ky referim, ishte bërë objekt bisedimi plot animozitet midis kaq e kaq kreditorëve të tjerë të Arkës Shtetnore, të cilët kishin prioritetin.

Ndofta ju do të bëni buzën në gaz kur do të këndoni rradhët e fundme. Se jini i pasur me gjithë që punën e përbuzni, siç e vërtetoni edhe një artikullin tuaj kundër drejtorin t’onë. Kini një vilë që ua kanë zili – por jo smirë,- gjithë sa ju njohin. S’kini patur pra nevojë të prisni me padurim pagesën e ndonjë mandati. Po ju sigurojmë se revoltohet me të vërtetë shpirti kur njerit i paguhet mandati me njëherë – kemi shumë raste që paguheshin me mijra franga ari brenda në 24 orë mbas paraqitjes së mandatit – dhe tjatrit që ka litarin në grykë, i shtyhet pagesa për kohra të gjata, kur edhe ky ishte bir i këtij vatani. Revoltohet, revoltohet shpirti z. Dibra dhe kur u larguat ju nga Ministria e Financave, gjithë ajo botë jo e preferuar dhe bashkë me të një popull i tërë, u gëzua pa masë se të atilla referime janë të dëmëshme dhe sjellin përçarje.

Prandaj edhe ne, interpret i këtij opinioni, e ndejtëm për detyrë, me rastin e parë, që t’jua atakojmë edhe personalisht – po në jetën politike – se sa dëshirojmë që të mos ktheheni më në fuqi, që të mos kini më në dorë asgjë, se na pranuat se kur dispononi nonjë mjet e përdorni për përçarje. Mbaruam, zoti Dibra. Ndofta vetëm për sot. Ju ndofta do t’i hidhni prapa krahëve sa ju thamë më sipër, ndofta dhe do të guxoni t’i përgënjeshtroni, nuk përjashtohet dyshimi se ndofta edhe munt të na përgjigjeni me mënyrën e pardjeshme se, -të gjitha bëhen, – ay fjalor munt të mos ketë mbaruar vetëm me aq dhe ta kini akoma dhe më të pasur. Mbaruam, dhe siç e shihni, s’u ndoqëm dot në rrugën e juaj. Ju siguruam që më parë: na ndan një botë e tërë me gjith që dikur keni qenë edhe Ministër i Arsimit që ka qëllim edukimin dhe moralin e brezit të ri të Shqipërisë. Dhe kini qenë, në mos gabohemi dy herë. Dy herë, ahere, duhet tundur koka për disa minuta dhe të lihet vështrimi i lirë nga sytë gjysëm të mbyllur për t’u shpërndarë pastaj në hapësirë….! ”VATRA”

Football news:

Pioli about Milan: We are proud that we have a young team, but we need stability
Laporta became president of Barcelona again. Under him, the club took 6 trophies in 2009
Mourinho on 4-1 with Palace: Good week. At half-time, he said he was happy to concede a goal, the players thought I was crazy
Liverpool dropped to 8th place in the Premier League, on lost points - 9th
Xavi won the 6th trophy in his coaching career. His Al-Sadd became the champion of Qatar
Laporta is ahead of Font and Freixa according to the results of the poll of those who voted in the election of the president of Barca
Solskjaer won all 3 matches with Manchester United in the away match against Man City. This is a club record