Albania

ANALIZA: Si u shkatërrua Libani, “Zvicra” e Lindjes së Mesme?

Edhe pse sot është kthyer në simbolin më të trishtë të shkatërrimit të Lindjes së Mesme, Libani ishte vendi më i zhvilluar i Lindjes dhe shteti i preferuar i europianëve në këtë rajon. Ai ka 400 vite nën sundimin e Perandorisë Osmane. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Libani ishte nën sundimin francez dhe fitoi pavarësinë në vitin 1943.

Vendi ishte mjaft i përparuar, me një ekonomi shumë të zhvilluar, përfshirë turizmin, sistemin bankar, tregtinë dhe bujqësinë. Për shkak të fuqisë financiare dhe stabilitetit gjatë viteve 1950 dhe 1960, Libani u quajt “Zvicra” e Lindjes dhe Bejruti “Parisi” i Lindjes së Mesme.

Sidoqoftë, në 45 vitet e fundit, vendi është zhytur në kriza në krizë. Libani u bë sinonim i shkatërrimit dhe kaosit për shkak të luftës civile në vitet 1980. Megjithatë, kryeqyteti i Bejrutit u ringjall gjatë viteve 90-të, duke rifituar reputacionin e tij si një vend tërheqës për të pasurit dhe një strehë për intrigat politike të Lindjes së Mesme. Edhe pse shumë ndërtesa kanë mbetur me vrima plumbash nga lufta, nuk ka furnizim të rregullt me energji, dhe ndarjet politike nuk janë tejkaluar, Libani për tre dekada ka arritur të tërheqë investime nga rajoni dhe të marrë miliona dollarë nga diaspora. Por “Zvicra” e Lindjes së Mesme nuk është sot as fantazma e asaj që ka qënë dikur.

Tragjedia që ndodhi në Bejrut, është e fundit në listën e gjatë të problemeve që ka Libani, pasi kriza politike dhe ekonomike e ka tronditur vendin për vite me rradhë.

Qytetarët e Bejrutit kanë shprehur pakënaqësi me zyrtarët libanezë, të cilët e pranuan se shpërthimi i fuqishëm, që ndodhi më 4 gusht, ka qenë i parashikueshëm dhe që zyrtarët e portit ishin paralajmëruar në disa raste se duhet të ruajnë në mënyrë të sigurtë ngarkesën e nitratit të amonit.

Deri më tani shpërthimi u ka marrë jetën 150 qytetarëve, ka plagosur mbi 4 mijë të tjerë dhe rreth 300.000 kanë mbetur të pastrehë.

Pasi detajet e hetimit u bënë publike, organet e drejtësisë urdhëruan arrest shtëpiak për zyrtarët e portit, të cilët kishin njohuri se materiali i rrezikshëm ishte ruajtur për gjashtë vjet, pa masat e duhura të sigurisë. Presidenti i Libanit, Michel Aoun tha se arsyeja e shpërthimit ishin 2,750 tonë nitrat amoni, të ruajtura në mënyrë jo adekuate në depo.

Nitrati i amonit u shkarkua në port, në vitin 2013 pasi mbërriti atje nga një anije ruse që kishte probleme teknike. Kreu i portit të Bejrutit dhe shefi i administratës doganore iu tha mediave se ata disa herë u kanë shkruar organeve të drejtësisë, duke kërkuar që kimikatet të eksportohen, ose shiten, sepse porti nuk është i sigurt me një ngarkesë të tillë. Drejtori i Përgjithshëm i Portit, Hassan Korajtem, tha se ata ishin të vetëdijshëm se materiali ishte i rrezikshëm “por jo në këto përmasa”.

Këshilli i Lartë i Mbrojtjes i Libanit insiston të shqiptohen “dënime maksimale” për ata që janë përgjegjës. Ndërkohë, organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International dhe Human Rights Watch po kërkojnë që të zhvillohet një hetim i pavarur. HRW tha se ekzistojnë “shqetësime serioze për aftësinë e gjyqësorit libanez për të kryer një hetim të besueshëm dhe transparent”. Administrata libaneze shpalli një gjendje të jashtëzakonshme dy-javore në Bejrut, duke i dorëzuar ushtrisë, kontrollin e sigurisë në kryeqytet.

“Sigurisht ka më shumë (viktima) nën rrënoja dhe ne po pranojmë dhjetëra informacione për njerëz të zhdukur”, tha ministri i Shëndetësisë Hamad Hassan. Gati 300,000 njerëz mbetën të pastrehë, pasi shtëpitë e tyre ishin të dëmtuara nga shpërthimi. Ministri i Shëndetësisë, Hamad Hasani tha se në spitale nuk ka shtretër të mjaftueshëm dhe pajisje mjekësore. Guvernatori i Bejrutit, Marwan Abud, i tha BBC-së se vendi kishte nevojë për ushqim dhe shumë pasisje të tjera.

“Bejrutit i duhen rroba, shtëpi, materiale për të rindërtuar shtëpitë. Bejrutit i duhen hapësirë për refugjatët, për banorët e tij”, shtoi Abud. Shumë organizata ndërkombëtare, dhe vende, kanë ofruar ndihmë humanitare. Tre aeroplanë francezë me 55 anëtarë të ekipeve të shpëtimit, pajisje mjekësore dhe një spital të lëvizshëm ku mund të mjekohen 550 pacientë, kanë arritur në Bejrut.

Presidenti Francez, Emanuel Macron, ishte udhëheqësi i parë botëror që arriti në Liban.

Libani ka qenë koloni franceze. BE-ja, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Katari, Tunizia, Turqia, Irani dhe shumë vende të tjera gjithashtu po dërgojnë ndihma.

Shpërthimi ndodhi afër vendit, ku në vitin 2005 u vra kryeministri i Libanit Rafik Hariri. Gjykata e përkrahur nga Kombet e Bashkuara, kishte planifikuar të publikonte ditën e premte vendimin për katër persona që akuzohen për vdekjen e Haririt. Por, Tribunali Special për Libanin ka njoftuar se e ka shtyrë për në 18 gusht vendimin. Më 2005, shumë besuan se Siria ishte prapa këtij atentati, sepse Hariri, si një politikan suni, kërkoi tërheqjen e forcave siriane, të stacionuara në Liban që nga viti 1976. Pas vrasjes, pati protesta masive, rënie të qeverisë libaneze pro-siriane dhe Damasku vendosi që pas gati 30 vjetësh të largojë trupat.

Qytetarët e Libanit akuzojnë autoritetet për korrupsion, neglizhencë dhe keqmenaxhim jo vetëm për shkak të kësaj tragjedie, por edhe krizës që ka tronditur Libanin për shumë vite.

Kjo është arsyeja pse pati një zënkë në qendër të Bejrutit, midis një grupi demonstruesish dhe truprojave të ish-kryeministrit Saad Hariri, i cili, siç shkruan “Guardian”, ilustron zemërimin që ndiejnë qytetarët ndaj politikanëve. Shpërthimi ndodhi në një moment shumë të ndjeshëm në Liban. Numri i personave të sëmurë me COVID-19 po rritet, kështu që spitalet ishin të mbingarkuara edhe para kësaj tragjedie. Në të njëjtën kohë, vendi po kalon krizën më të keqe ekonomike që nga lufta civile 15-vjeçare që përfundoi në 1990.

Në periudhën e fundit ka pasur protesta masive të qytetarëve kundër korrupsionit dhe varfërisë. Në qytetet e Libanit, ka mungesë të shpeshtë të energjisë elektrike gjatë ditës, ujit të pijshëm, ndërsa shërbimet shëndetësore publike janë të kufizuara. Pjesën më të madhe të produkteve ushqimore, Libani i importon, kështu që shumë njerëz janë të shqetësuar se do të ketë mungesë të ushqimit pasi një sasi e madhe gruri ishte ruajtur në port, i cili u shkatërrua gjatë shpërthimit.

Depoja kryesore, e cila mund të mbajë 85% të drithërave të vendit, është shkatërruar. Është i pasigurtë fati i portit të shkatërruar, i cili është shumë i rëndësishëm për ekonominë.

Libani importon 80 për qind të mallrave që konsumon dhe 60 për qind zakonisht kanë kaluar nëpër portin e Bejrutit. Presidenti, Michelle Aun, njoftoi se Qeveria do të ndihmojë drejtpërdrejt me 66 milionë dollarë, por vlerësohet se pasojat ekonomike të kësaj tragjedie do të jenë afatgjata.

Borxhi publik i Libanit në raport me prodhimin e brendshëm bruto është i treti më i madh në botë. Papunësia është 25 për qind, dhe gati një e treta e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë. Qytetarët akuzojnë elitën qeverisëse, e cila ka mbizotëruar prej vitesh, për korrupsion.

Sipas “Washington Post”, miliarderët libanezë zotërojnë 20 për qind të të ardhurave të vendit, gati është dy herë më shumë sesa në Shtetet e Bashkuara.

Në fillim të tetorit të vitit 2019, për shkak të mungesës së valutave të huaja, monedha libaneze filloi të humbiste vlerën. Importuesit e grurit dhe karburantit kërkuan të paguheshin në dollarë, që do të thoshte një rritje të çmimeve të këtyre produkteve. Në këtë situatë sindikatat bënë thirrje për grevë.

Ndërkohë zjarret kapluan malet në perëndim të vendit, duke shpërfaqur mungesën e investimeve në shërbimin e zjarrëfikësve. Në mes të tetorit, qeveria propozoi tarifa të reja për duhanin, karburantin, dhe madje edhe aplikacionin WhatsApp. Sidoqoftë, vendimi për këto masa u tërhoq, për shkak të protestave të qytetarëve.

Më përhapen e koronavirusit, demonstratat u pezulluan. Pandemia e përkeqësoi situatën ekonomike dhe tregoi ndjeshmërinë e sistemit shëndetësor. Shumë qytetarë humbën vendet e tyre të punës. Më pas u zgjerua hendeku midis kursit zyrtar të këmbimit dhe vlerës së tij në tregun e zi dhe bankat shtrënguan kontrollin mbi kapitalin e tyre. Për pasojë, filluan rritjet e çmimeve, duke e bërë më të vështirë për shumë familje edhe blerjen e gjërave themelore.

Kriza e ekonomike çoi në protesta të reja. Qeveria, ndërkohë, ka miratuar një plan rimëkëmbjeje dhe pret të marrë 10 miliardë dollarë ndihmë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në momentin kur kufizimet e vendosura për shkak të pandemisë filluan të lehtësohen në muajin maj, çmimet e disa produkteve ushqimore u rritën pothuajse dyfish. Kryeministri paralajmëroi për rrezikun e thellimit të krizës.

“Shumë libanezë tashmë kanë ndaluar blerjen e mishit, frutave dhe perimeve, dhe së shpejti mund të jetë e vështirë të sigurojnë edhe bukën”, shkroi Diab në Washington Post.

Ndarjet sektare konsiderohet si një arsye kryesore pse Libani nuk mund të dalë nga kriza. Vendi ka zyrtarisht 18 bashkësi fetare, katër myslimane, 12 të krishtera, druze dhe hebreje.

Sipas marrëveshjes së vitit 1943, kur Libani fitoi pavarësinë, tre funksione kryesore – kreu i shtetit, presidenti i parlamentit dhe kryeministri – u ndanë midis tre bashkësive më të mëdha: të krishterët , myslimanët shiitë dhe sunitë. Të krishterët përbëjnë 41 për qind të popullsisë dhe myslimanët 54 për qind. Ekzistojnë gjithashtu 128 vende në parlament për të krishterët dhe muslimanët, përfshirë pakicën druze. Kjo strukturë komplekse shpesh çon në bllokada politike dhe lejon ndërhyrjen e aktorëve të huaj, siç është Irani, i cili mbështet Hezbollahun shiit, i cili konsiderohet grupi më i fortë ushtarak dhe politik në Liban.

Që nga përfundimi i luftës civile, të gjithë liderët politikë janë përpjekur të ruajnë pushtetin përmes grupeve të interesit në përpjekje për të ruajtur interesat e komunitetit që ata përfaqësojnë, ndërsa në këmbim kanë ofruar stimuj financiarë. Kjo është arsyeja pse në raportin e Transparency International për vitin 2019, Libani u rendit në vendin e 137 nga 180 vendet.

Në 30 vitet e fundit, Libani është përpjekur me çdo kusht të ruajë një sistem ekonomik absurd, i cili mund të përshkruhet si një “përzierje toksike” e sektarizmit, territorializmit dhe kapitalizmit të tregut. Prandaj, sektori publik po përdoret si një mekanizëm për të blerë besnikëri dhe vota politike, pa investime të konsiderueshme në shëndetin publik, arsim dhe programe të tjera të nevojshme.(gazetaSI)

Football news:

Godin will terminate his contract with Inter and move to Cagliari (Fabrizio Romano)
Wolverhampton made red and green uniforms to make the 12 Portuguese players at the club feel good. New level of care 🔴 🟢
Jose Mourinho: I have too many players at Tottenham. I don't like it
FIFA allowed players to change the national team if they played one official match other than the world Cup
Tiago is still in Liverpool: he came for a new challenge, and Klopp won't even have to sell anyone
Tiago on moving to Liverpool: I Want to win as many trophies as possible. I will give my heart to the field
Ex-agent of Levandovsky sued the player's company and demands about 9 million euros