Albania

Atentatet e bujshme ndaj politikanëve të lartë shqiptarë jashtë vëndit, ku vetëm Enveri s’u rrezikua kurrë

Memorie.al publikon disa nga incidentet më të bujshme të ndodhura ndaj politikanëve më të lartë shqiptarë jashtë vëndit, duke filluar nga vrasja me atentat në Paris e gjeneral Esat Pashë Toptanit në vitin 1920 nga Avni Rustemi,  vrasja e Avniut më 23 prill të vitit 1924 nga njerzit e Toptanit që paguan një njeri nga familja tiranase Reçi, vrasja e Luigj Gurakuqit në vitin 1925 në Bari të Italisë nga kushëriri i tij, Baltjan Stambolla,  vrasja e Ceno Beg Kryeziut në 14 tetor të vitit 1927 në Pragë të Çekisë nga studenti elbasanas Alqivjadh Bebi, atentati i dështuar ndaj Mbretit Zog në 20 shkurt të vitit 1931, ku mbeti i vrarë adjutant i tij besnik, major Llesh Topollaj, vrasja e Hasan Prishtinës në Selanik të Greqisë, më 14 gusht 1933, nga shqiptari Ibrahim Çelo, e deri tek rrëmbimi i ish-kryeminist, Koço Kota në Selanik të Greqisë i urdhëruar nga Enver Hoxha dhe i realizuar nga Sigurimi i Shtetit që udhëhiqej nga Koci Xoxe. Nga të vetmit politikanë të lartë të Shqipërisë që “s’i ka hyrë gjëmb në këmbë” në vizitat e tij jashtë vëndit, mbetet Enver Hoxha, edhe pse mbi të rëndonin “një mal” me krime dhe vrasje?!

Nga Dashnor Kaloçi

Po të kthehemi pas në histori dhe të shikojmë ato se çfarë kanë ndodhur gjatë këtyre 120 viteve të fundit, do të vëmë re se me politikanët tanë jashtë Shqipërisë, kanë ndodhur ngjarje të rënda, me vrasje, plagosje e rrëmbime të disa kryeministrave, ministrave, etj., pasi politikanët shqiptarë, kanë preferuar për t’i “zgjidhur” problemet e tyre, me “grykën e pushkës”. Madje plumbat e politikës nuk kanë munguar as ndaj vetë Mbretit të Shqipërisë, Ahmet Zogut, të cilit i është bërë një atentat në Vienë, ku i’u vra adjutanti i tij besnik i tij, major Llesh Topollaj. Nga të vetmit politikanë të lartë Shqipërisë që nuk kanë pësuar incidente në vizitat e tyre jashtë vëndit, ka qenë ish-diktatori komunist, Enver Hoxha, të cilit “s’i ka hyrë gjëmb në këmbë”, edhe pse mbi të rëndonte “një mal” me krime edhe vrasje.

1920 Vrasja e Esat Pashës në Paris

Historia e incidenteve me politikanët shqiptarë jashtë Shqipërisë, e ka zanafillën në vitin 1920, kur Avni Rustemi qëlloi me revolver në Paris dhe la të vrarë gjeneral Esat Pashë Toptanin, një nga politikanët më të njohur të asaj kohe, i cili kishte shërbyer si Komisar i Policisë në Selanik, deputet në Parlamentin e Turqisë dhe më pas si Ministër i Brendshëm në Qeverinë e Princ Vidit në Shqipëri, si dhe kishte marrë pjesë në një nga delegacionet shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris. Avni Rustemi, pas vrasjes u kap nga policia franceze dhe ndonëse gjatë seancave gjyqësore e pranoi vrasjen, ai u lirua nga Gjykata parisiene në rrethana që kanë mbetur të paqarta edhe sot. Mbas asaj ngjarje, Avni Rustemi u kthye në Shqipëri, ku u prit si hero dhe zgjodh edhe deputet në Parlamentin shqiptar. Në atë kohë, thuhet se Ahmet Zogu i dërgoi fjalë Avni Rustemit, duke e paralajmëruar që ai të ruhej, pasi Toptanasit do e gjenin një njeri për ta paguar për vrasjen e tij dhe për atë gjë do të akuzohej Zogu si kundërshar politik që e kishte.

Por Rustemi jo vetëm që nuk ruhej, por tepër krenar dhe fodull, ai shëtiste rrugëve të Tiranës, me brucën e barijve të Labërisë që e mbante krahëve mbi kostumin shik të deputetit. Dhe ashtu ndodhi vërtet, Avniu u vra më 22 prill 1924, nga njerzit e afërm të Esat Pashë Toptanit, që paguan një njeri, i cili qëlloi kundër tij teksa ai ishte duke shetitur me mikun e tij të ngsuhtë, Hoxha Kadri Prishtinë, pikërisht në atë vënd ku sot qëndron busti në sheshin që mban emrin e tij, te Pazari I Ri. Ajo vrasje i shërbeu opozitës së asaj kohe që e shfrytëzoi politikisht dhe me arkivolin e tij në krah të organizonte një kryengritje të armatosur për të rrëzuar me forcën e armëve qeverinë e ligjshme të Shefqet Vërlacit e dalë nga zgjedhjet e lira të Parlamentit të asaj kohe. Ajo ngjarje, nga historiografia dhe propaganda e regjimit komunist të Enver Hoxhës, është njohur si “Revolucioni i Qershorit” i 1924-ës, që solli në pushtet Qeverinë e Fan Nolit.

1925: Vrasja e Luigj Gurakuqit në Bari

Vrasja tjetër me atentat ndaj politikanëve shqiptarë jashtë Shqipërisë, u shënua në 2 mars të vitit 1925 në Bari të Italisë, ku mbeti i vrarë Luigj Gurakuqi, i cili ishte një nga politikanët më të njohur shqiptarë që nga Qeveria e Ismail Qemalit në 1912-ën, kur mori portofolin e Ministrit të Financave. Më pas ai mbajti dhe portofolin e Ministrit të Arsimit dhe në vitin 1924, ishte krahu i djathtë i Fan Nolit në “Revolucionin e Qershorit” që e solli atë në pushtet. Pas riardhjes së Zogut në pushtet në dhjetorin e vitit 1924, ashtu si dhe shumë politikanë të tjerë që kishin marrë pjesë dhe kishin udhëhequr kryengritjen e armatosur të qershorit të 1924-ës, edhe Gurakuqi u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Bari të Italisë. Njeriu që qëlloi mbi Gurakuqin, ishte djali i tezes së tij, Balto Stambolla, të cilin thuhet se e nxiti Ministri i Brendshëm i Zogut, Ceno Beg Kryeziu, duke shfrytëzuar disa mosmarveshje familjare që ata kishin pasur në mes tyre. Në atë kohë, opozita antizogiste që kishte mërguar jashtë Shqipërisë, për vrasjen e Gurakuqit, bëri fajtor Ahmet Zogun, por në gjyqin e zhvilluar në Itali, nëna dhe vëllai i Gurakuqit, deklaruan se Zogu nuk kishte fare gisht në vrasjen e djalit e vëllait të tyre.

1927: Vvrasja e Ceno Beg Kryeziut në Pragë

Një nga incidentet e tjera që u shënua me politikanët shqiptarë jashtë Shqipërisë, ishte ajo që ndodhi në kryeqytetin e Çekisë, Pragë, me vrasjen e ambasadorit shqiptar, Ceno Beg Kryeziu, të cilit po atë ditë, i ishte firmosur dekreti nga Mbreti Zog si Ministër fuqiplotë i Shqipërisë pranë Republikës Çeke. Ceno Beg Kryeziu ishte nga familja e njohur e Kryezijve të Kosovës dhe ishte martuar me njërën nga motrat e Ahmet Zogut, me të cilin kishte dhe një djalë, të quajtur Tati. Ceno Begu ishte një nga njerzit që mbështeti rikthimin e Zogut në pushtet në dhjetorin e vitit 1924 dhe në qeverinë e krijuar në janarin e vitit 1925, kryeministri Ahmet Zogu i dha atij postin e Ministrit të Brendshëm. Gjatë kohës që Ceno Begu ishte në atë post, ndodhën vrasjet e Bajram Currit dhe Luigj Gurakuqit, të cilat nuk kaluan pa lënë pasoja në politikën shqiptare, ku opozita e asaj kohe akuzoi Mbretin Zog, që kishte urdhëruar Ceno Begun për eleminimin e dy politikanëve të njohur. Pas disa kohësh, Mbreti Zog i prishi mardhëniet me Ceno Begun dhe pasi e shkarkoi nga posti i Ministrit të Brendshëm, e emëroi atë Ministër fuqiplotë të Shqipërisë në Beograd.

Mardhëniet në mes Zogut e kunatit të tij, u ftohën akoma dhe më shumë, për shkak se Ceno Begu filloi të ndiqte një politikë pro-jugosllave në dëm të interesave të Shqipërisë dhe vetë Zogut. Pas kësaj, Zogu e emëroi Ceno Begun si Ministër fuqiplotë në Republikën e Çekisë, ku pas pak ditësh, ai u vra nga një student shqiptar, i quajtur Alqiviadh Bebi nga Elbasani. Vrasja e tij ndodhi më 14 tetor të vitit 1927 në orën dhjetë të natës, teksa Ceno Begu ishte duke hyrë në kafenenë e tij të preferuar “Passage”, që ndodhej në sheshin “Vaclavski Namesit”. Studenti shqiptar Alqiviadh Bebi, që ishte futur më përpara aty dhe po pinte i vetëm në tavolinë, e qëlloi disa herë me pistoletë në trup dhe në kokë, duke e lënë të vdekur në vend. Pas vrasjes, studenti elbasanas nuk u largua dhe personeli i lokalit e kapi dhe i’a dorzoi policisë.

Ajo vrasje në atë kohë bëri bujë të madhe dhe u publikua nga shumë gazeta të Europës, të cilat dhanë versione nga më të ndryshmet për motivet e saj, ku nuk munguan dhe akuzat ndaj Zogut, i cili sipas tyre kishte paguar studentin shqiptar që ta vriste kunatin e tij. Atë ditë që në Pragë filloi gjyqi ndaj Alqiviadh Bebit, i cili e pranoi se atë vrasje e kishte bërë për motive politike, pasi sipas tij Ceno Begu kishte tradhëtuar Mbretin Zog, ndodhi dhe vrasja e tij brenda në sallën e gjyqit, nga Zija Vuçiterni nga Kosova, që shërbente si adjutant i Gani Beut (vëllai i Cenos) i cili e qëlloi disa herë me pistoletë Bebin, që ra i vdekur mbi tavolinën e gjykatësit dhe plumbat e tjerë plagosën edhe një gazetar italian. Zija Vuçiterna e pranoi autorsinë e vrasjes në gjyqin e tij që u zhvillua po në Pragë, duke deklaruar: “Mora hakun e vëllait tim, Ceno Begut”.

1931: Atentati ndaj Zogut në Vjenë

Seriali i atentateve ndaj politikanëve të lartë shqiptarë jashtë Shqipërisë, pasoi me atë ndaj Mbetit Zog në fillimin e vitit 1931. Në atë kohë, Mbreti Zog i cili vuante nga një sëmundje e rëndë dhe mjekët i’a kishin bërë shumë alarmante, vendosi që të shkonte për kurim në Vjenë të Austrisë, ku asokohe ishte vendosur një pjesë e mërgatës politike antizogiste, e cila ishte larguar nga Shqipëria në fundin e 1924, kur Ahmet Zogu u rikthye në pushtet. Ndonëse shumë nga njerzit e afërm dhe besnikë Mbretit, e këshilluan atë se vajtja në kryeqytetin austriak do të kishte pasoja, ai nuk i dëgjoi ata dhe për më tepër, vendosi që të shkonte aty për t’ju bërë një sfidë atyre. Pak ditë pasi Zogu kishte shkuar në Austri, më datën 20 shkurt 1931, ai vendosi që të shkonte në Teatrin e Operas së Vjenës, ku atë ditë luhej Opera “Aida” dhe në atë mbrëmje, Mbreti Zog shoqërohej nga Ministri i Oborrit, Eqerem Bej Libohova dhe dy adjutantët e tij, kolonel Zef Serreqi dhe major Llesh Topollaj.

Ashtu dhe siç ishte parashikuar, mërgata politike shqiptare që ishte në Vienë, vendosi që t’a vriste Mbretin Zog dhe për realizimin e atentatit, dolën vullnetarë, Ndok Gjeloshi dhe Azis Çami, dy ish ushtarakë që ishin larguar nga Shqipëria si antizogistë. Po ashtu si mbështetës të tyre në atë atentat, ishte dhe Qazim Mulleti, ish-deputet i Parlamentit shqiptar dhe njeri i afërt i Fan Nolit. Atë natë pasi Zogu dhe njerzit që e shoqëronin u futën në Opera, Mbreti e ndjeu që diçka po përgatitej ndaj tij dhe urdhëroi shoqëruesit, që t’ia sillnin makinën në daljen e mbrapme të sallës së Operas, në mënyrë që ai të largohej sa më shpejt prej andej.

Pasi makina e Mbretit u afrua tek porta e pasme e sallës, i pari doli majori Llesh Topollaj, i cili ishte veshur me uniformën e Mbretit, dhe Ndok Gjeloshi, i cili kishte zënë pritë në lulishte, duke e pandehur atë si Mbretin Zog, e qëlloi disa herë me pistoletë dhe e vrau në vënd. Në këtë kohë, dhe Azis Çami u afrua për të qëlluar të tjerët që po dilnin, duke shtirë disa herë me pistoletë mbi Zogun dhe Eqerem Libohovën, të cilët dhe ata i’u përgjigjën, duke e qëlluar nga pesë herë me pistoletë. Teksa Azis Çami po qëllonte mbi Zogun dhe Eqerem Beun, atij i ngeci pistoleta dhe adjutanti tjetër i Zogut, Zef Serreqi i’ua afrua dhe e çarmatosi menjëherë. Nga zhurma që u bë aty, mbërriti menjëherë policia vendase dhe i arrestoi dy atentatorët, Çamin dhe Gjeloshin, të cilët dolën në gjyq në Vienë, duke u dënuar për vrasjen e Topollajt e plagosjen e Libohovës.

Kurse ideatori dhe urdhëruesi i atij atentati, Hasan Prishtina, u largua nga Austria pa rënë në dorën e policisë austriake. Ky ishte atentati i dytë i dështuar ndaj Mbretit Zog, pasi atij që i kishte bërë djaloshi i ri nga Mati, Beqir Valteri, në 23 shkurt të vitit 1924, i cili i shtyrë nga Luigj Gurakuqi dhe Avni Rustemi, mundi vetëm ta plagoste në dorë Mbretin Zog. Atentatorin e tij, Mbreti Zog jo vetëm që nuk e dënoi, por pasi ai i tregoi dy njerzit që e kishin shtyrë, i akordoi një bursë shtetërore dhe e dërgoi më stdime në Vienë të Austrisë. Nga ku ai do të kthehej në periudhën e pushtimit të vëndit, duke marrë një post ministri (i Kulturës Popullore), gjë e cila u “shërbeu” komunistëve për ta dënuar me vdekje në Gjyqin Special dhe për ta ekzekutuar.

1933: Vrasja e Hasan Prishtinës në Selanik

Seriali i vrasjeve ndaj politikanëve shqiptarë vijoi më 14 gusht të vitit 1933, me atentatin ndaj Hasan Prishtinës, në Selanik të Greqisë. Hasan Prishtina ishte një nga politikanët e njohur të Shqipërisë që në vitet 1911-1924, i cili ishte i zgjedhur tre herë si deputet që në Parlamentin e Turqisë, e më pas në atë shqiptar dhe kishte mbajtur edhe postin e Kryeministrit të Shqipërisë, në prillin e vitit 1921. Aktivitetin e tij si politikan, Hasan Prishtina e kishte filluar që në Turqi dhe më pas në vëndlindjen e tij në Kosovë e në Shqipëri, ku në 1913-ën, u zgjodh antar i Qeverisë së Ismail Qemalit. Gjatë viteve 1920-’24, Prishtina u shqua si një politikan tepër aktiv dhe pas rikthimit të Zogut në fuqi në vitin 1924, ai emigroi jashtë Shqipërisë, duke qenë një nga kundërshtarët më të vendosur të Mbretit Zog, ndaj të cilit organizoi dhe atentatin në vitin 1931 në Vienë. Hasan Prishtina mbeti i vrarë në Selanik nga një atentat në rrethana të paqarta, i kryer nga një shqiptar i quajtur Ibrahim Çelo, por opozita e asaj kohe atë vrasje i ngarkoi Ahmet Zogut dhe qarqeve serbe, meqënse ai kishte kryesuar Komitetin për Mbrojtjen e Kosovës. Deri aty nga vitet 1960, Hasan Prishtina konsiderohej si tradhëtar në tekstet e Historisë së Shqipërisë dhe më pas ai u rehabilitua, e në vitin 1977, eshtrat e tija u sollën nga Greqia në Shqipëri dhe ai u varros në qytetin e Kukësit.

1946: Ish-kryeministrit Kota rrëmbehet në Greqi

Kur nuk kishin kaluar veçse një vit e ca nga mbarimi i Luftës në Shqipëri, ish-kryeministri Koço Kota, i cili ishte arratisur dhe qëndronte në Greqi që nga viti 1939 kur ishte larguar së bashku me Mbretin Zog, u rrëmbye nga njerzit e shërbimeve sekrete të qeverisë komuniste shqiptare me në krye Nevzat Haznedarin (më ëpas gjeeneral-major) dhe u suall në Shqipëri i hipur në një furgon. Për rrëmbimin dhe sjelljen e tij në Shqipëri, shërbimet sekrete shqiptare u ndihmuan nga komunistët grekë të EAM-it, të cilët në atë kohë kontrollonin një territor të konsiderueshëm të Greqisë, ku banonte edhe ish-kryeministri i Shqipërisë. Koço Kota u nxuarr para Gjyqit Special në Tiranë, së bashku me Padër Anton Harapin, e Sokrat Dodbibën, e ndonëse avokati i tij Dr. Spiro Stringa, argumnetoi me fakte pafajësinë e klientit të tij, që kishte qenë Sekretar i Kongresit të Lushnjes në vitin 1920, ai u dënua me 25 vjet burg, i akuzuar si “tradhëtar i popullit shqiptar”. Koç Kota ndërroi jetë në rrethana tepër të dyshimta në burgun e Burrelit, pak kohë pasi kishte shkuar aty për të vuajtur dënimin.

1946: Enver Hoxha në Paris

Kur nuk kishin kaluar më shumë se një vit e gjysëm nga ardhja e Enver Hoxhës në pushtet, në vitin 1946, ai mori pjesë dhe kryesoi delegacionin shqiptar që u ftua në Konferencën e Paqes në Paris, që përbëhej dhe nga Hysni Kapo, Behar Shtylla e Kahreman Ylli, të cilët shoqëroheshin dhe nga Prof. Petraq Pepo që ishte në rolin e gazetarit. Për të siguruar delegacionin e lartë shqiptar, ishin caktuar dy zv / ministrat e Brendshëm, Myftar Tare e Vaskë Koleci, si dhe atasheu ushtarak, kolonel Pëllumb Dishnica. Që nga mbarimi i Luftës, ishte hera e parë që Enver Hoxha po shkelte në një vend Perendimor dhe vajtja e tij atje, nga ana e Sigurimit të Shtetit që e drejtonte Koci Xoxe, asokohe u konsiderua si problematike, për arsye se në atë kohë në Francë dhe Itali, ishin përqëndruar dhe ndodheshin një pjesë e madhe e emigrantëve politikë antikomunistë, të cilët ishin larguar nga Shqipëria në nëntorin e 1944. Enver Hoxha dhe delegacioni shqiptar pasi u prit në aeroportin “Sharl-Dë Gol” nga njerzit e Sigurimit të Shtetit (Drejtoria e Zbulimit me Jashtë) që ishin dërguar më parë aty të kamufluar nën petkun e diplomatit dhe i kishin marrë të gjitha masat e sigurisë, u shoqëruan më pas dhe u sistemuan në hotelin “Imperial”.

Gjatë tre javëve që Enver Hoxha qëndroi në Paris, ai disa herë bëri vizita në vende e pika të ndryshme turistike dhe nuk pati asnjë problem nga mërgata politike shqiptare antikomuniste që ishte grumbulluar ato ditë atje. Në Paris, ato ditë kishin shkuar për të takuar Enver Hoxhën edhe shumë shqiptarë nga Sent Etjeni, Montpeljeja, Lioni etj., të cilët kishin mërguar aty që nga periudha e Monarkisë. Sipas dëshmisë së colonel Myftar Tares, një prej shoqëruesëve kryesorë të Enver Hoxhës në atë kohë në Paris, udhëheqësi komunist i Shqipërisë, nuk priti asnjë nga emigranët që kishin shkuar për ta takuar, për arsye se rreziku ishte shumë i madh dhe ai kishte frikë se në mes tyre mund të penetronte ndonjë antikomunist i arratisur nga Shqipëria. Sidoqoftë vizita e Enver Hoxhës në Paris, kaloi pa asnjë problem, dhe ai mbeti i vetmi politikan i lartë i Shqipërisë, që gjatë vizitave të tij jashtë vëndit deri në vitin 1960, nuk pësoi asnjë incident.

Football news:

The Bayern coach who destroyed Barca. He was on Lev's staff at 7:1 in Brazil
Barcelona offered Pochettino a 1+1 contract. The club is in contact with Allegri and Henri
Call me Neptune. Ronaldo dived to a depth of 14 meters
Abidal may be dismissed from Barca after Setien. He supports the coach even after 2:8 from Bayern
The city has finally raised a star of its own. Pep calls foden the main talent of his life and is looking for an optimal position for Him
Emre belezoglu finished his career at the age of 39
Barcelona has spent almost a billion euros on transfers over 5 years. That's who the money went to