BERLIN, 4 gusht /ATSH-AFP/ – Berlini hoqi pjesërisht sot paralajmërimin për personat që dëshirojnë të udhëtojnë në Turqi, e cila varet shumë nga turistët gjermanë.

“Aktualisht, është hequr paralajmërimi zyrtar për udhëtimet turistike në provincat e Antalias, Izmirit, Aidinit dhe Muglas, të gjitha të vendosura në bregdetin perëndimor dhe veçanërisht të njohura nga turistët gjermanë”, njoftoi Ministria e Jashtme në faqen e saj të internetit.

Deri më tani, Turqia ka qenë në listën e 160 vendeve jashtë Bashkimit Europian dhe zonës Shengen, për të cilat paralajmërimi i udhëtimit është akoma i vlefshëm deri më 31 gusht.

Ministria theksoi, gjithashtu, se e kishte hequr paralajmërimin e saj me kushtin që të respektohet rreptësisht koncepti i përgjithshëm i turizmit dhe higjienës, i dekretuar nga qeveria turke./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.