Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

BM – Johnson: I tronditur nga vrasja e deputetit Amess

LONDËR, 16 tetor /ATSH-AA/ – Kryeministri britanik, Boris Johnson në deklaratën e tij të parë pas vrasjes së anëtarit konservator të parlamentit, David Amess deklaroi se zemra e tij ishte e mbushur me “tronditje” dhe “trishtim”.

Në një deklaratë, Johnson tha se Amess ishte një nga njerëzit “më të butë” dhe “më të sjellshëm” në politikën britanike.

“David ishte një njeri që besonte me pasion në këtë vend dhe të ardhmen e tij”, tha ai.

“Ne kemi humbur sot një nëpunës të mirë publik dhe një mik dhe kolegë shumë të dashur”, shtoi Johnson.

Johnson gjithashtu u shpreh se të gjithë ishin ”thellësisht të tronditur dhe të goditur thellë në zemër”.

Sekretarja e Brendshme Priti Patel shkroi në Twitter se “po diskutohet siguria” e parlamentarëve pas vdekjes së Amessit.

Ajo tha se do të siguronte përditësime “në kohën e duhur”, duke shtuar se ishte “e shkatërruar” nga vrasja e Davidit, të cilin e kishte ”mik të mirë dhe besnik”.

Amess u vra në një sulm me thikë teksa po takohej me votuesit e tij në një kishë në Leigh-on-Sea.

Policia e Essexit tha se një 25-vjeçar u arrestua nën dyshimin për vrasje pasi konfirmoi identitetin e viktimës.

“Me keqardhje mund të konfirmojmë se personi që vdiq në Leigh-on-Sea sot ishte deputeti  David Amess”, thuhet në një njoftim të policisë në Twitter./  /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.