Nga: ZONJA KATERINA

Për brumin:
350-400 gr miell
1 lç maja
50 gr gjalpë
1 lgj vaj
1 lç kripë
150 ml ujë të vakët

Për mbushjen:
5-6 qepë të thata
7-8 domate
4-5 lgj vaj ulliri
1 majë luge sheqer
Kripë, piper i zi

Përgatisim brumin. Në një enë hedhim miellin e situr, majanë, gjalpin, vajin dhe kripën. I përziejmë mirë duke shtuar më pas ujin e vakët. E punojmë mirë brumin derisa të lidhet dhe të shkëputet nga duart. E lemë brumin të pushojë për rreth 10 minuta dhe më pas e ndajmë në dy pjesë. I mbulojmë dy topthat e brumit me pecetë kuzhine dhe i lemë përsëri 10 minuta.

Ndërkohë përgatisim mbushjen. Kaurdisim fillimisht qepët me vaj ulliri dhe sapo qepët të ndryshojnë ngjyrë shtojmë domatet të grira pa cipë dhe pa fara. Rregullojmë shijen me pak sheqer, kripë dhe piper dhe i lemë të kaurdisen për pak minuta.

Hapim 2 peta byreku me trashësi rreth 2 milimetra. E ndajmë petën lehtë në 4 pjesë dhe në pjesën e parë të ndarjes hedhim mbushjen e përgatitur me qepë dhe domate. E palosim duke hedhur petën e parë mbi mbushje, e kthejmë edhe një herë duke e kaluar në të tretën dhe kthejmë pjesën e katërt mbi të tretën dhe e puthisim me dorë të bëhet një drejtkëndësh.

E vendosim byrekun në një tavë me letër kuzhine, e presim me thikë në trekëndësha dhe më pas sipas dëshirës mund ta spërkasim me fara susami. E lemë byrekun të qëndrojë për 25-30 minuta dhe më pas e vendosim të piqet në furrë të parangrohur në temperaturën 180 gradë për 20-25 minuta.

(Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb