Albania

Dilema amerikane për Shqipërinë dy muaj para çlirimit të saj. Publikohet për herë të parë memorandumi i DASH, 16 pikat kundër dhe 20 pro njohjes së qeverisë komuniste

Hyrje e Redaksisë

Me rastin e përvjetorit të 76 –të të çlirimit të Shqipërisë dhe të vitit jubilar të 75 vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, “Dita” i kërkoi Prof. Dr. Paskal Milo, historian dhe ish-ministër i Jashtëm i Shqipërisë, një kontribut nga “thesari” i tij arkivor i Luftës.

Profesori iu përgjigj ftesës tonë dhe dërgoi në redaksi një dokument të marrë prej tij në arkivin historik të Departamentit të Shtetit 26 vite më parë, në 1994 dhe që botohet për herë të parë.

Është fjala për një memorandum të përgatitur nga Divizioni i Çështjeve të Evropës Jugore të Departamentit të Shtetit me titull “Problemi i njohjes shqiptare“ i datës 7 tetor 1944 dhe që i drejtohej udhëheqjes së institucionit.

16 argumentet kundër njohjes së qeverisë së re shqiptare dhe 20 argumentet pro njohjes: Qëndrimi amerikan për Ahmet Zogun dhe forcat kolaboracioniste me pushtuesit; pse nënvizohet nga amerikanët se “Kupi, Balli Kombëtar dhe shumë ish figura politike të mirënjohura, janë katranosur me furçën e kolaboracionizmit, ata do të jenë zero politike në sytë e popullit”; cilat janë rezervat e amerikanëve ndaj Enver Hoxhës dhe qeverisë së tij afro dy muaj para çlirimit të vendit.

Më poshtë, shkrimi i plotë i profesor Milos dhe faksimilet, botuar sot si kopertinë e gazetës:

Faqja e parë, DITA

Nga Paskal Milo

Botuar në DITA

Çështja e njohjes së qeverisë së përkohshme të Frontit Nacional Çlirimtar (F.N.Ç) të formuar në Kongresin e Përmetit në maj 1944, kishte filluar të diskutohej që në muajin korrik të atij viti në Departamentin e Shtetit.

Kërkesën “zyrtare” për njohje e paraqiti në Shtabin Aleat të Mesdheut në Kazerta të Italisë delegacioni i Shtabit të Përgjithshëm të U.N.Çl i kryesuar nga Bedri Spahiu në fund të muajit korrik.

Kërkesa të tjera do t’u bëheshin tri Fuqive të Mëdha të Kombeve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik. Dy organizatat shqiptaro – amerikane “Vatra” dhe “Shqipëria e Lirë” nga fundi i verës 1944 filluan të braktisin idenë e krijimit të një qeverie shqiptare në emigracion të udhëhequr nga mbreti Zog dhe trokitën në dyert e Departamentit të Shtetit duke kërkuar njohjen e qeverisë së përkohshme shqiptare të krijuar në Përmet.

Po kështu vepruan individë si Fan Noli, Konstandin Çekrezi, Qerim Panariti në Uashington dhe Tajar Zavalani e të tjerë në Londër.

Luftës po i vinte fundi në Ballkan, rrjedhimisht edhe në Shqipëri dhe kjo ishte e qartë në fundin e verës 1944. Departamenti i Shtetit që u paraprinte ngjarjeve edhe në këtë kohë u angazhua në studimin e dosjes shqiptare për t’u përgatitur për zhvillimin e pritshme të ngjarjeve. Memorandumi që po botohet sot në DITA është pjesë e këtyre përgatitjeve. Përmbajtja e tij e plotë është si më poshtë:

Interesi në njohje dhe politika amerikane:

Në muajt e fundit vëmendja e Departamentit ka qenë tërhequr në mënyrë të përsëritur në çështjen nëse do të duhet të ketë ndonjë formë të njohjes që mund t’i jepet nga kjo qeveri grupit të rezistencës F.N.Ç në Shqipëri apo të një Komiteti kombëtar ose qeverie në emigracion nëse shqiptarët jashtë arrijnë të bashkohen dhe formojnë një trup të tillë.

Në momentin kur çlirimi i Shqipërisë po afrohet dhe skena politike shqiptare brenda dhe jashtë vendit po aktivizohet, kjo çështje ka tërhequr vëmendjen e Departamentit nga grupe dhe individë të interesuar me një frekuencë dhe peshë në rritje .

Në dritën e këtyre zhvillimeve si dhe të konsideratave të tjera, çasti i tanishëm kritik mund të jetë oportun për një rishikim dhe rishqyrtim të politikës tonë në lidhje me këtë aspekt të çështjeve shqiptare.

Faksimile e Memorandumit

Argumente kundër njohjes:

Disa nga konsideratat të cilat e bëjnë të padëshirueshme njohjen ose mbështetjen tonë të çdo grupi politik shqiptar janë si më poshtë :

1. Pozita e Shteteve të Bashkuara në lidhje me Shqipërinë ka qenë e përcaktuar qartë nga Sekretari në një numër rastesh, dhe politika jonë e mos ndërhyrjes në çështjet e brendshme politike të vendeve të tjera është e mirënjohur dhe e bazuar. Qëndrimi ynë, siç është përcaktuar, plotëson të gjitha kërkesat në situatën shqiptare ashtu siç është zhvilluar për tani dhe për të ardhmen e afërt.

2. Çdo formë e njohjes ose mbështetje politike për F.N.Ç do të përbënte qartë ndërhyrje në çështjet e brendshme politike të Shqipërisë.

3. F.N.Ç është në thelb një organizatë komuniste dhe së paku është e dominuar nga komunistët. Raportet tregojnë se lidershipi i tij është anti – britanik, anti – amerikan, dhe pro – sovjetik.

4. F.N.Ç përfaqëson vetëm një pjesë të popullsisë shqiptare, në vizat vertikale dhe horizontale. Kështu që ai nuk është në kuptimin e plotë përfaqësues i të gjithë popullit shqiptar ose i një segmenti karakteristik.

5. F.N.Ç përfshin shumë pak figura të shquara ose të pjekura politike.

6. Situata politike në Shqipëri për aq sa ka lidhje me çështjen e politikës amerikane të njohjes nuk mund të vëzhgohet me saktësi derisa gjermanët të jenë nxjerrë nga vendi.

7. Njohja e F.N.Ç do të thellonte dhe ashpërsonte ndarjen politike në të gjithë Shqipërinë. Kjo, për rrjedhim do të rriste rrezikun e luftës civile.

8. Njohja e F.N.Ç do të vendoste grupe të tjera shqiptare pro Aleate si dhe individë të veçantë në një disavantazh të madh politik.

9. Gjithë planifikimi amerikan dhe Aleat për Shqipërinë deri këtu ka qenë bazuar në hipotezën se asnjë grupi të veçantë politik në Shqipëri nuk do t’i jepej njohje politike. Të jepet një njohje e tillë në çfarëdo forme tani do të komplikonte shumë çështjen.

10. Njohja e F.N.Ç do të shkatërronte krejtësisht çdo shans për kthimin e mbretit Zog. Shqipëria do të humbiste kështu shërbimet e figurës politike më të aftë të prodhuar nga Shqipëria për shumë vite.

11. Njohja e F.N.Ç nga Shtetet e Bashkuara do të hapte rrugën për intrigë ndërkombëtare në çështjet e brendshme të Shqipërisë dhe do të stimulonte manovra politike egoiste nga na e Fuqive të Mëdha. Përpjekje të tilla për të ushtruar brenda vendit influencë nga jashtë do të rezultonte vetëm në mënyrë shkatërrimtare për pavarësinë e Shqipërisë.

12. Çfarëdo detyrimi moral që Aleatët mund të kenë për F.N. Ç në këtë fazë të ngjarjeve për rezistencën e saj të guximshme kundër armikut të përbashkët ka qenë shlyer në formën e furnizimeve ushtarake dhe të mbështetjes.

13. Ka disa personazhe politike dhe patriotike të rëndësishme që ende mund të jenë në Shqipëri. Në interesin më të mirë të vendit, ne nuk duhet të rrezikojmë që t’i privojmë ata nga një mundësi për të marrë pjesë dhe për të ushtruar influencën e tyre politikisht dhe të japin këshilla të mençura në rikrijimin e shtetit shqiptar.

14. Hoxha dhe klika drejtuese e F.N.Ç nuk mund të besohet nga amerikanët dhe britanikët. Ata janë të papërgjegjshëm (p.sh episodi me BLO) dhe ka të ngjarë të jenë shërbëtorë të Moskës.

15. Meqenëse F.N.Ç është kaq pro – sovjetike, edhe nëse njohja jepet, aty nuk do të ketë as sigurinë më minimale se prestigji dhe influence e demokracive perëndimore do të mund të zgjerohej.

16. Situata në Shqipëri akoma nuk është zhvilluar deri në atë pikë ku çdo kurs i tillë si njohja të jetë i dëshirueshëm nga pikëpamja jonë. Më tepër ne duhet t’i drejtojmë përpjekjet tona duke iniciuar një armëpushim midis elementëve besnikë përfaqësues me qëllim që të pengohet çdo përplasje civile në shkallë të gjerë.

Faksimile e Memorandumit

Argumentet për njohje:

Më poshtë janë argumentet dhe konsideratat të cilat flasin në favor të dhënies së një forme njohjeje F.N.Ç:

1. Me që F.N.Ç është tashmë një forcë politike e zhvilluar mirë, mungesa e një farë forme të njohjes nga ana jonë mund ta çonte në një ndjenjë diskurajimi e frustrimi në një pjesë të gjerë të popullsisë shqiptare. Kjo do të dobësonte shumë vendin dhe do të rriste mundësinë e dizintegrimit politik. Shkalla e unitetit të kohës së Luftës i arritur brenda F.N.Ç do të humbiste. E gjithë shpresa për qëndrueshmëri politike do të zhdukej dhe Shqipëria mund të rrëshqiste në anarki politike për vitet në vijim.

2. F.N.Ç ka fituar të drejtën për një farë forme të njohjes nga rezistenca e saj efektive kundër gjermanëve. Lufta ka qenë testi i ashpër i patriotizmit dhe i bindjeve demokratike të njerëzve në të gjitha vendet. Elementët jorezistues nuk kanë të drejtë morale për konfidencë të njëjtë Aleate në detyrat politike që i presin shqiptarët.

3. Aleatët e kanë mbështetur F.N.Ç ushtarakisht kështu që kanë ndihmuar indirekt në zhvillimin e tij si forcë politike. Kjo forcë politike tani është një realitet dhe duhet përballuar në një mënyrë pozitive.

4. Nëse Shtetet e Bashkuara nuk japin një farë forme të njohjes ose të mbështetjes F.N.Ç, ky i fundit ka të ngjarë të lidhet vetëm me Rusinë ose të paktën të vihet së pari nën influencën sovjetike.

5. Nëse ne nuk ndërmarrim veprim për të ruajtur një influencë më pozitive ne FNÇ dhe t’i japim atij një drejtim dhe inkurajim të paparagjykuar, Rusia mund të veprojë.

6. Duke shmangur realitetin praktik të problemit të njohjes mbi bazën e mos ndërhyrjes në çështjet e brendshme të Shqipërisë, ne jemi duke vepruar negativisht dhe aktualisht ndihmojmë dhe mbrojmë ata që kundërshtojnë FNÇ. Kjo është ndërhyrje.

7. Mosndërhyrja në punët e brendshme të një vendi është iluzion në shumë mënyra. Në shërbim të kësaj politike janë hartuar kufizime të mirënjohura. Presidenti dhe Sekretari, të dy bashkë kanë deklaruar publikisht se fashizmi mund të shkojë kudo. Kjo është ndërhyrje. Pozita e Fuqive të Mëdha ndaj një vendi si Shqipëria është kaq e fuqishme sa që refuzimi i njohjes për një grup mund të ketë efekt politik në një sens negativ përafërsisht të barabartë me atë të shkaktuar në një sens pozitiv nga njohja e grupit.

8. Vonesa ose refuzimi i një farë forme të njohjes mund të ndihmoj për të provokuar gjendjen e luftës civile dhe përçarjen të cilën ne kërkojmë ta shmangim.

9. F.N.Ç është përfaqësuesi më i gjerë i elementëve patriotikë shqiptarë. Grupet e tjera kanë patur shansin, por ato nuk i kanë rezistuar armikut.

10. Ka disa tregues se F.N.Ç tani është duke ndjekur një politikë më bashkëpunuese e pajtuese ndaj grupeve të tjera që kanë vullnetin të bashkohen në rezistencën ndaj gjermanëve (Kupi përjashtohet).

11. Dy organizatat më të rëndësishme shqiptare në Shtetet e Bashkuara, Vatra dhe Shqipëria e Lirë, tani janë bashkuar dhe nxisin Shtetet e Bashkuara të njohin grupin e rezistencës të F.N .Ç. Vatra, kjo mund të risillet në vëmëndje, për një kohë të gjatë ka mbështetur mbretin Zog.

12. Raporte të ndryshme që janë marrë së fundi tregojnë se ekziston mundësia që F.N.Ç “të pastrojë vendin” në çdo rast, me ose pa njohjen e Aleatëve. A nuk do të ishte pozita jonë më e mirë, thjesht nisur nga pikëpamja e vetë – interesit nëse ne i paraprijmë kësaj me një gjest të arsyeshëm të njohjes?

13. Kupi, Balli Kombëtar dhe shumë ish figura politike të mirënjohura, janë katranosur me furçën e kolaboracionizmit. Ata do të jenë zero politike në sytë e popullit. Përdorimi i vetëm i tyre është të nxisin luftën civile. Ata nuk duhen inkurajuar me politika negative nga ana jonë.

14. F.N.Ç është një lëvizje popullore, shenja e parë reale se Shqipëria është duke u pjekur politikisht). Të injorohet apo të diskurajohet një lëvizje e tillë është e rrezikshme për të gjithë dhe jo realiste.

15. Që kur Aleatët janë angazhuar të sigurojnë se populli shqiptar do të zgjedh lirisht formën e tij të qeverisjes pas luftës, F.N.Ç ka nevojë të mos jetë i frikësuar për këtë çështje. Ndërkohë, si një trup i përkohshëm ai mund të kontribuojë në stabilitetin dhe ruajtjen e rendit.

16. Zona nën kontrollin efektiv të F.N.Ç vlerësohet përafërsisht nga gjysma deri në dy të tretat e vendit. Kjo është një bazë solide për pretendimin e tij për të qenë autoritetet përfaqësues.

17. Duke inkurajuar F.N.Ç dhe ngarkuar atë me një shkallë përgjegjësie zyrtare, do të bëhet e mundur të sigurohet më tepër progres i rregullt në Shqipëri drejt një qeverie të përkohshme përfaqësuese me bazë të gjerë, dhe mbrojtjes të së drejtës së popullit shqiptar për të ushtruar zgjedhjen e lirë eventuale.

18. Koha kur në Shqipëri do të ketë një vakum politik (zyrtarisht), kaos dhe luftë civile, ose një farë autoriteti për të filluar punën për rindërtimin kombëtar po afrohet me shpejtësi. Një farë forme e njohjes për F.N.Ç mundet në mënyrë të kuptueshme t’i kursejë Aleatët nga turbullirat dhe shpenzimet e një pushtimi të gjatë të një shteti jo armik.

19. Çfarë grupi tjetër patriotik dhe jo kolaboracionist ekziston në Shqipëri? Nëse nuk ka një grup të tillë, me cilin mund të lidhemi ne në analizë të fundit me përjashtim të F.N.Ç ?

20. Nga sa është e njohur në lidhje me politikat e F.N.Ç ndaj shteteve fqinje dhe për çështjet e kufijve, qëndrimi i F.N.Ç duket të jetë më konstruktiv dhe i qartë se ai i elementëve irredentistë e nacionalistë.

Faksimile e Memorandumit

Forma e njohjes

Forma e njohjes e F.N.Ç mund të marrë çdonjërën prej formave si më poshtë:

1. Si qeveri e përkohshme e pjesëve të çliruara të Shqipërisë;

2. Si autoritet i përkohshëm në zonat nën kontrollin e tij efektiv;

3. Si qeveri e përkohshme për të gjithë Shqipërinë;

4. Si një grup rezistence që thjeshtë ka kontrollin efektiv të disa zonave të veçanta, etj.

——

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Football news:

Chelsea will give Drinkwater the third rent - Kasimpasa. He has not played since February
Neymar: I became an icon and idol in football. Courage is my main advantage
Ole Gunnar Solskjaer: Liverpool want to beat everyone. Manchester United knows that they can beat anyone
Messi missed today's Barca training session
There are three candidates left in Barca's presidential race (one more starred in tears). Here are their programs and plans for Messi
Rashford - Rooney: One of the greatest. Playing with you was a dream come true
Zlatan did not allow Kalul to play in gloves: How can a young defender make his debut like this? He will definitely not scare the strikers