Albania

Disa foto të rralla dhe fakte të tjera për veprimtarinë antikombëtare të mërgatës politike shqiptare. Rolet që kanë luajtur Mit’hat Frashëri, Abaz Kupi, Hasan Dosti e të tjerë

Intervistoi Xhevdet Shehu

Dje u takova sërish me Hasan Luçin, një nga oficerët më të lartë të Zbulimit shqiptar (ish-Sigurimi i Shtetit), i cili ka tërhequr vëmendjen e lexuesve tanë për intervistat që ai ka dhënë lidhur me penetrimin e Sigurimit të Shtetit në radhët e mërgatës ballisto-zogiste gjatë regjimit komunist. Rrëfimet e tij nga ajo kohë janë në kufijtë e të pabesueshmes dhe zoti Luçi është një rrëfimtar i rrallë dhe shumë i besueshëm, pasi është një dëshmitar i dorës së parë.

Dje ai më solli dy fotografi të rralla të agjentit të Sigurimit të Shtetit, Andon Konomit, i cili jo vetëm hyri në oborrin e Ahmet Zogut, por edhe u bë një nga njerëzit më të besueshëm të ish-Mbretit. Dy fotot që po botojmë sot paraqesin Andon Konomin duke mbajtur fjalim në ceremoninë varrimit të Ahmet Zogut dhe tjetra gjatë dasmës së Leka Zogut në Madrid.

***

Hasan Luçi, që e ka njohur nga afër dhe e ka patur mik Andon Konomin, më thotë se ai ishte një burrë simpatik dhe shumë i zgjuar. Ishte zagorit dhe kishte shumë humor, shpesh fliste me bejte dhe e bënte shpesh Ahmet Zogun për të qeshur. Prandaj dhe ai e futi në rrethin e njerëzve më të besuar të tij. Sikurse shihet edhe në këtë fotografi, ai mbajti një nga fjalimet kryesore dhe “më prekëse” kur vdiq Zogu në prill të vitit 1961. Ua kam thënë se ai dhe Cufe Mullai kishin shtrydhur qepë në mëngjes dhe duke mbajtur fjalimin fshinte sytë herë pas here. Lotët vuuu.  Kurse gallatën më të madhe ai e bëri kur u martua Leka Zogu në Madrid. Ne i blemë një frak dhe ai tërhoqi vëmendjen e të gjithë të pranishmëve…

Hasan Luçi

Në tetor 1975 princi Leka Zogu, i vetëshpallur në prill 1961, u martua, me miratim të kryesisë së Legalitetit e të Abaz Kupit. Dasma u bë me bujë të madhe në Madrid të Spanjës, me pjesëmarrje të përfaqësuesve diplomatikë perëndimorë, mbretër në fuqi e në mërgim, veç të arratisurve legalistë, kosovarë e nga diaspora ekonomike.

Po në këtë dasmë bëri bujë “mbretërori hamall”, Andon Konomi, të cilin e kishim veshur me frak, papijon, borsalinë e dorashka, dy-tre unaza floriri në duar, ora që vezullonte dhe këpucë të zeza me lustër.

Trup mesatar i shëndoshë, ai sillej andej këndej në sallon, duke përshëndetur me buza gaz e shkelje syri të njohurit e të panjohur. Shumë kureshtarë  pyesnin: po kush qenka ky, zotëri, më shiku këtu?

Leka i buzëqeshte Andon Konomit se ishte mik i parapëlqyer i të atit për humorin e mençurinë. Edhe mbretëresha Geraldinë e simpatizonte goxha zotin Konomi…

E pyes Hasan Luçin nëse ka ndërruar ndopak mendje pas kaq shumë vitesh nga përmbysja e regjimit komunist dhe për shërbimet që ai ka bërë si oficer zbulimi. Përgjigja e tij është e prereë dhe lakonike:

– Jo. E kam kryer atë detyre me ndërgjegjen më të lartë dhe nuk kam asnjë brerje në ndërgjegjen time. Kam kryer një shërbim për atdheun tim me maksimumin e ndërgjegjes dhe përkushtimit. Nuk më mundojnë aspak ata që më anatemojnë. Unë kam disa dëshmorë në familjen time dhe të gjithë ata e dhanë jetën për një ideal të madh, të cilit unë vazhdoj t’i besoj… Ua kam thënë dhe herë të tjera kur kemi biseduar për këto çështje: As kam qenë dhe nuk do të jem kurrë tolerant dhe i mëshirshëm me këtë kategori që e njoh shumë mirë. Kam arsye të forta për këtë. Në radhë të parë se shumicën e gjëmave Shqipëria dhe shqiptarët e kanë pësuar nga kjo kategori njerëzish pa ideale as humane dhe as kombëtare. Prandaj dhe them se sidoqoftë është një fat që mërgata politike shqiptare e sidomos kriminelët e luftës janë në shuarje e sipër, se janë të përkohshëm, si rezultat i vdekjes e asimilimit në vendndodhje, për të mos iu bërë ferrë shërimit të plagëve shqiptare që morën në vitet ’90 dhe përparimit demokrat në të gjitha fushat e jetës së vendit në shekullin e ri, mijëvjeçarin e tretë.

– Mirëpo janë kryer edhe krime në kohën e regjimit tuaj?

– Natyrisht. Na kanë vrarë dhe ne kemi vrarë. Ishte një luftë për jetë a vdekje. Ne kishim idealet tona, ata të tyret. Se kush kishte të drejtë do ta tregojë historia.

– Pse jeni i bindur se ju keni pasur më shumë të drejtë se kundërshtarët tuaj?

– Sepse realiteti historik e ka provuar këtë. Kundërshtarët tanë politikë në mërgim ishin kryesisht ballistë e zogistë që kishin kryer krime të pashembullta gjatë luftës. Ata vinin herë pas herë në Shqipëri me thikë në dhëmbë. PërveՎse armiq të regjimit, ata kanë kryer dhe veprimtari antikombëtare, prandaj dhe janë të dënuar nga historia me një turp të përjetshëm. Po ju flas me fakte: Nga fundi i vilit 1944 dhe gjatë vitit 1945 reaksioni shqiptar priste ndërhyrjen e aleatëve nga jashtë për të ndryshuar gjendjen në Shqipëri, prandaj filluan grupimin e këtij reaksioni ku anglo – amerikanët bënë tentativa për krijim partish pro tyre si brenda vendit tonë si p.sh. opozitën me Gj. Kokoshin e Mirash Ivanajn etj. dhe pas vajtjes së Zogut në Kajro të një “qeverie shqiptare” dhe me Komitetin e Shqipërisë së Lirë më 1949. Në fillim anglo – amerikanët dolën me kartën e Zogut, prandaj shumica e kriminelëve shqiptare mbështetën propagandën zogiste. Megjithëkëtë, atëherë aleatët kishin shumë shpresa në reaksionin e brendshëm shqiptar. Zbulimet armike iu vunë punës, që me mbeturinat e tij jashtë të krijonin një opozitë politike, në fillim pa ia përcaktuar formën organizative të saj, duke vënën në lëvizje krerët kriminelë kryesorë sidomos ata në Itali Mit’hat Frashërin, A. Këlcyrën, H. Dostin etj. Mehmet Konica luante rolin e ndërlidhësit të këtyre krerëve me ambasadat e huaja si atë amerikane, angleze, franceze, turke, greke etj. në Romë. Por atëherë nuk u gjet një rrugdalje se gjithkush ruante përkatësinë organizative, që kishte pasur më parë sidomos ballistët e legalistët (zogistët). Në 1945 në Itali kishte 750 të arratisur, nga të cilët 80 vetë ishin indipedentë (bashkpunëtorë të fashistëve italianë), 350 ballistë dhe 300 zogistë në kampet, ku i trajtonin anglo – amerikanët, të tjerët ishin në Greqi, Turqi, Austri, Gjermani Perëndimore etj.

– Megjithatë, mund të ishit më të mëshirshëm në sjelljen apo goditjen e këtyre kundërshtarëve tuaj politikë të regjimit që i keni shërbyer…

– Jo, ata nuk ishin thjeshtë kundërshtarë. Ata ishin armiq dhe këtë nuk e luan topi. Ata ishin të pamëshirshëm ndaj nesh dhe të tillë ishim edhe ne kur i goditëm dhe fituam ndaj tyre. Unë ju flas me fakte. Kur zbulimet e huaja vendosën për ta përdorur emigracionin politik kundër RPSH, këto zbulime thonë se hasën edhe në disa “vështirësi” për zgjedhjen e shefave të veprimtarisë terroristo – diversioniste për shkak të grindjeve e rivaliteteve mes zbulimeve e krerëve reaksionarë. Por këto zbulime sidomos CIA e SIS-i si kriter të parë vunë besnikërinë e kriminelëve ndaj tyre si garancia kryesore për ta dhe për manipulimin e tyre sipas nevojave të kohës. Për këtë qëllim spiunazhet e huaja kishin dosje të fryra shumë për ta, kështu që ata ishin të lidhur këmbë e kokë me veprimet e tyre të këqia me këto spiunazhe. Kështu që zbulimet armike kishin në dorë mjaftë elementë për të vlerësuar kandidatët për drejtimin e përbërjen e bandave terroriste – diversioniste e agjenturore. Kështu u zgjodhën kapiteni Zenel Shehu, ish shef i gardës personale të Zogut e specialist i veprimeve ndëshkimore të tij; Hamit Matjani, i cilësuar si “Tigri” për veprimtari të gjatë diversioniste e banditizëm; kolonel Muharrem Bajraktari, ish shef i milicisë kuislinge e ministër i brendshëm gjatë pushtimit fashist; ish ministrat Ihsan Toptani, Gaqo Goga e Hasan Dosti; Alush Leshanaku, agjent e diversant i vjetër etj. Nga krerët kryesorë u zgjodhën Abaz Kupi, të cilin Filbi në kujtimet e tij e cilëson si “… përgjithësisht i armatosur deri në dhëmb … një kopuk i vjetër”, dhe kriminelët Abaz Ermenji, gjeneral Preng Previzi, kryefashisti shqiptar Koi Bib Mirakaj etj. Këta ishin poliagjentë e përfaqësonin të gjitha rrymat e reaksionit shqiptar, ata kishin dhënë prova për antikomunizmin e tyre.

– Megjithatë, zoti Luçi, nuk janë të paktë ata që ju kontestojnë dhe anatemojnë. Ju quajnë ish-sigurims etj, etj. Kështu e quajnë edhe Nasho Jorgaqin… A mërziteni nga këto etiketime?

– Aspak. Unë i Sigurimit kam qenë dhe ndihem krenar që kam kryer maksimalisht detyrën time. Është njëlloj sikur të mërziten ata të Ballit pse u thonë ballistë, apo ata të Zogut pse i quajnë zogistë. Kjo është një çështje perceptimi dhe këndvështrimi. Ua kam thënë edhe herë të tjera gjatë intervistave të mia: Ato që kam thënë nëpër intervista unë, apo ato që ka shkruar Nashua janë tërësisht të vërteta. Nashua ka bërë një vepër artistike realiste e cila do t’i irritojë përjetë disa individë si Tufa e ca pak pleshta të tjerë, pinjollë të asaj mërgate që u bë kavie e agjenturave të huaja. Unë kam qenë konsulent i Nasho Jorgaqit për romanin “Mërgata e qyqeve”, të cilin e shoqërova gjatë vizitave në Bruksel e Paris për t’u njohur me mjediset përkatëse. Ai është treguar krejtësisht korrekt për ato që ka shkruar dhe nuk është faji as i Nashos dhe as imi që disave u përvëlojnë shumë këto të vërteta. Ne e kemi bërë detyrën tonë me përkushtim dhe jemi krenarë që e realizuam me sukses atë detyrë. Por ju them se janë shumë e shumë më tepër ata që na falënderojnë dhe urojnë edhe sot e kësaj dite, se sa ata që na sulmojnë. Nashon e sulmojnë për të vërtetat që thotë, por ata nuk kanë argumente sepse të gjitha faktet flasin kundër kësaj mërgate qyqesh që na shfaqet si fantazmë herë pas here. Por ju jap një këshillë juve të DITA-s: mos u merrni më me Agron Tufën dhe pleshta si ai. Mos e ulni nivelin e gaztës në gjirize që nuk ju bën nder.

– Sidoqoftë ju keni derpërtuar shumë thellë në historitë e kundërshtarëve tuaj, apo jo?

– Po. Por kështu veprojnë zbulimet në mbarë botën. Historia jonë është e papërfillshme në krahasim me ato të vendeve të tjera. Superfuqitë qëndrojnë në krye. Se kanë edhe më shumë para. Për shembull, Zbulimi i Departamentit të Shtetit amerikan (BIR), që më parë quhej INR, është nga zbulimet më të vjetra si zbulim politik i lidhur me funksionet e organeve të politikës së jashtme amerikane, përfshi përfaqësitë, konsullatat, misionet etj. Ky shërbim drejtohet nga një ndihmës sekretar shteti. Ai bën zbulim, sipas zonave gjeografike,ku janë vendosur ambasadat etj. Një zyrë e rëndësishme e këtij zbulimi është dega e kërkimit të jashtëm, e cila bashkërendon veprimet e lidhjet me institucionet shtetërore për zbatimin e diplomacisë amerikane; duke i mbajtur në dijeni mbi ngjarjet ndërkombëtare dhe u jep udhëzime; bën kërkime e zhvillon luftë psikologjike. Po kështu vepron edhe dega e informatave biografike, që mbledh të dhëna mbi persona të huaj, në fushën politike, ekonomike, kulturore, shoqërore etj. me interes për politikën e jashtme amerikane. Presidenti amerikan influencon tepër mbi punën e këtij shërbimi në përputhje me strategjinë e Uashingtonit.

– Zoti Luçi, gjithë kjo histori që po më tregoni është marramendëse. Unë nuk jam i kësaj fushe. Është një shpjegim që unë nuk e marr vesh se si funksionon. Mund të ma shpjegosh më troç këtë histori?

– Po. Miku im Xhevdet, po të flas troç. Gjithë veprimtaria e shërbimeve sekrete amerikane drejtohet nga presidenti amerikan nëpërmjet Këshillit të Sigurimit Kombëtar (NSC-National Secyrity Council), i cili është krijuar në 1947, si organ politik  e ushtarak. Ai përbëhet nga presidenti e ndihmësit e tij kryesorë për përcaktimin e politikës së jashtme, sekretari i shtetit, ai i mbrojtjes, shefat e shtabeve ushtarke të tri armëve, nga shefat e zyrave të armatimeve, të kërkimeve shkencore e të burimeve strategjike etj. Ky organ u ngarkon detyra të gjitha organeve qeveritare, duke përfshirë edhe shërbimet sekrete.Presidenti i merr vendimet vet, pas debateve pa i hedhur në votë, për të gjitha aspektet e hartimit e zbatimit të politikës së jashtme e të brendshme të ShBA. Ky këshill ka edhe një komitet të vetin, me personel të paktë,që kryesohet nga ndihmësi i presidentit për çështjet e sigurimit ose këshilltari i sigurimit kombëtar, që i raportojnë presidentit. Presidenti ka edhe një këshill presidencial të zbulimit, që merret kryesisht me mbrojtjen e tij. Drejtori i CIA dhe kryetari i shtabit të përbashkët të shefave të ushtrisë janë edhe në rolin e këshilltarëve të presidentit.

– Ju po më tregoni se si funksionon shërbimi sekret amerikan?

–  Po. Si ka funksionuar dhe si funksionon aktualisht. Përndryshe SHBA nuk mund të jenë në krye të botës. Rreth presidentit të ShBA ka edhe disa organizma zbuluese. Këshilli Kombëtar i zbulimit të jashtëm (NFIB), që kryesoret nga drejtori i CIA-s dhe i përmbledh krerët e të gjitha agjencive të zbulimit të ShBA. Ai vepron si këshill e miraton vlerësimet zyrtare. Grupi i planifikimit kombëtar është organ kryesor në administratën e presidentit, i përbërë nga presidenti e këshilltarët e vet më të lartë në politikën e jashtme, përfshi  sekretarin e shtetit, të mbrojtjes e drejtorin e CIA. Në ndonjë rast ky grup zhvendos edhe Këshillin Kombëtar të Sigurimit në marrjen e vendimeve të planifikuara me kohë. Në të merr pjesë edhe përfaqësuesi i ShBA në OKB, siç ishte Xhejn Kerkpatrik, ambasador në vitet ’80. Këshilli konsultativ i presidentit për zbulimin e huaj është një grup paparti, prej 14 amerikanësh të rëndësishëm, që punojnë për zbatimin e politikës për presidentin. Ky grup përzihet edhe në polemikat lidhur me veprimtarinë e zbulimit në ShBA e gjetkë. Kështu zhvillimi i shërbimeve sekrete të ShBA, CIA tregon më qartë se çdo shërbim tjetër zyrtar i sistemit të administratës amerikane për veçoritë e zhvillimit historik, të superfuqisë amerikane, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore në fushën e shtrirjes në botë, e cila po i përshtatet kushteve të reja postkomuniste.

Le të kthehemi në rastin në fjalë. Le të flasim, fjala ven për Andon Konomin, pasi më dhatë këto fotografi të mrekullueshme?

– Më bëhet qejfi që i quani fotografi të mrekullueshme. Andon Konomi ishte njëri nga ata që mund të quhet një hero i heshtur. Në të vërtetë për mua ato janë fotografi historike. Nasho Jorgaqi nuk kishte si t’i fuste ato në romanin e tij. Mërgata është një vepër artistike, emrat janë ndryshuar, pavarësisht se ngjarja është krejtësisht reale… Nashua është një patriot i madh dhe nuk ka të bëjë me sërën e armiqve të Shqipërisë. Nuk mund të rrinë bashkë atdhetarët dhe delenxhinjtë, apo kodoshët e historisë, sikurse i quante me të drejtë historiani Xhelal Gjeçovi pak ditë më parë ata që kanë punuar dhe punojnë kundër interesave kombëtare.

——

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Football news:

Kramaric scored the 74th goal in the Bundesliga, breaking Olic's record among Croats
Suarez has 12 goals in his first 15 games for Atletico - the best start in La Liga for a new club since Ronaldo
16-year-old Small - the youngest player in the history of Everton
Solskjaer on 3-2 with Liverpool: Manchester United won on their own terms. It's a good feeling
Hames scored 10 (3+7) points in Everton's home matches. Away - 0
Suarez scored his 12th goal of the La Liga season. Messi has 11
Miller on the Manchester United defeat: Devastated. There is no second chance in knockout football