TIRANË, 24 tetor/ATSH/ Partia Aleanca Agrare përshëndet aktin e Presidentit për kthimin për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë të Kodit Zgjedhor dhe kërkimin e marrjes së Opinionit urgjent nga Komisioni i Venecias.

Në njoftimin për shtyp, PAA thekson se “marrëveshja e 14 janarit dhe 5 qershorit 2020 krijuan premisa për kulturën politike të konsensusit dhe përgjegjësive të përbashkëta për ta nxjerrë vendin nga kriza sociale, kushtetuese dhe politike. Rama me ndryshimet e njëanshme kushtetuese, po deformon vullnetin e zgjedhësve dhe synon të vjedhë zgjedhjet parlamentare”.

PAA thekson se “hapësira që Presidenti i ka dhënë, nëpërmjet rikthimit për shqyrtim në Kuvend, e shoqëruar me kërkesën për marrjen e opinionit urgjent nga Komisioni i Venecias, është jo vetëm një akt i pjekur në vazhdën e traditës politike dhe parlamentare 30 vjeçare, por edhe një mundësi e mirë për të rikthyer gjithë përfshirjen dhe konsensusin politik, si dhe gjetjen e zgjidhjeve teknike për eliminimin e deformimeve të rënda kushtetuese që mbartin ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor”.

PAA bën apel publik se “të gjitha partitë politike duhet të udhëhiqen nga përgjegjësia ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë”.

“Pa zgjedhje të lira, pa frymën e konsensusit dhe kompromiset për prioritetet kombëtare, pa eliminuar ҫdo pengesë në perspektivën europiane, shqiptarët dhe Shqipëria rrezikohen të mbeten të mbërthyer në ciklin e  krizave të rënda ekonomike të ushqyera nga keq-qeverisja e vendit dhe krizat e përsëritura politike”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.