TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë gjykon se efekti i pandemisë në ekonomi do të vijë progresivisht drejt reduktimit gjatë tremujorëve në vijim, ndonëse rikuperimi pritet të jetë i ngadaltë dhe balanca e rreziqeve mbetet në kahun e poshtëm.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko u shpreh sot se, “aktiviteti ekonomik do t’i kthehet rritjes në vitin 2021, ndërsa pritet të vijojë ngadalësimi në tremujorin e dytë”.

“Rritja e kërkesës agregate pritet të shoqërohet me rritje të punësimit dhe rritje të pagave e të kostove të prodhimit, duke krijuar premisa për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022”, – deklaroi Sejko.

Sipas tij, ekonomia shqiptare u kontraktua me 2,5% në tremujorin e parë të vitit, ndërsa inflacioni shënoi rritje të lehtë në tremujorin e dytë, duke regjistruar një nivel mesatar prej 1,9%.

“Këshilli Mbikëqyrës, vëren se vijimi i përqasjes pozitive të sektorit bankar ndaj kredisë, e cila është favorizuar dhe nga instrumentet e Garancisë Sovrane, do të jetë një parakusht i nevojshëm për rikuperimin e ekonomisë në të ardhmen”, tha Sejko.

e.xh//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.