Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në mbledhjen e sotme ka skualifikuar nga gara 3 kandidatë për 2 vende vakante në Gjykatën Kushtetuese.
Bëhet fjalë për Aldona Sylajn, Ardita Bunën dhe Shaqir Hasanajn të cilët ishin kandidatët për vakancën e shpallur nga presidenti Ilir Meta për vendin e Besnik Imerajt. Sakaq, Ardita Buna ishte njëkohësisht kandidate për vakancën shpallur nga Kuvendi, për vendin e Fatos Lulos.
Ndërkohë, KED ka lënë në fuqi kandidimin e 3 gjyqtarëve Sonila Bejtjan, Altin Binajn dhe Aleksandër Tomës.
Kujtojmë se vetëm një ditë më parë, ambasadorja Yuri Kim gjatë një takimi me drejtuesen e KED, Vitore Tusha, i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese deri më 31 dhjetor.
Pra, SHBA kërkon që gjykata Kushtetuese të bëhet funksionale brenda këtij viti, por që një gjë e tillë të ndodhë do të jetë shumë e vështirë.
“Kandidatët për të cilët është vendosur ndalimi, kanë patur mangësi të një apo disa kushteve të parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji. Kandidatët kanë të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, jo më vonë së 5 ditë nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
Në mbledhjen e sotme Këshilli miratoi përfshirjen në rendin e ditës, mbi propozimin e një anëtari, edhe te diskutimeve mbi ecurinë e vakancës së shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019 dhe të vakancës së shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 28.08.2018 dhe rishpallur në datat 21.08.2019 dhe 24.09.2020 duke vendosur të informojë këto organe të emërtesës mbi gjendjen ku ndodhet secila nga vakancat e shpallura prej tyre.
Gjithashtu, ky këshill do të njoftojë organet e emërtesës edhe se do të fillojë të kryeje veprimet paraprake të fazës pasardhëse në referim të nenit 240 të ligjit 115/2016 dhe Vendimit nr.5 të KED, të datës 02.04.2019 (i ndryshuar)” deklaron KED.
h.b/dita