Albania

Fatos Tarifa: Bashkimi kombëtar dhe socialistët shqiptarë, të djeshmit dhe të sotmit. Pse çdo projekt i madh kombëtar kërkon mbështetje në një arsenal të madh intelektual

Prof. Fatos Tarifa

Pjesa II

Bashkimi kombëtar dhe socialistët shqiptarë (të djeshmit dhe të sotmit)

Qeveria socialiste që doli nga zgjedhjet e vitit 1997, në një periudhë shumë të vështirë për vendin, bëri të qartë se bashkimi kombëtar nuk do të ishte pjesë e axhendës së saj. Në prill të vitit 2001, socialistët deklaruan se nuk e mbështesnin idenë e krijimit të një “Shqipërie të Madhe”. Kryeministri i asaj kohe, z. Ilir Meta, e artikuloi këtë qëndrim zyrtar të qeverisë shqiptare duke u shprehur se “komunitetet e shqiptarëve duhet të integrohen në vendet ku ata jetojnë. Këta vende liberalë dhe demokratikë do të anëtarësohen në Bashkimin Europian, i cili, në të ardhmen, do të mundësojë që Ballkani i sotëm të shndërrohet në një rajon të hapur”. Për Tiranën, bashkimi i territoreve shqiptare nuk ishte një politikë realiste dhe ministri i jashtëm në atë kohë, Paskal Milo, deklaroi se “politika zyrtare e Shqipërisë është për integrimin në strukturat euro-atlantike, jo për bashkimin kombëtar”. Edhe kur përpjekjet e armatosura të shqiptarëve për të drejtat e tyre në Maqedoni, në pranverën e vitit 2001, i bënë shumë njerëz të besonin se rreziku i radhës për rajonin vinte nga bashkimi i shqiptarëve, Tirana ritheksoi se nuk kërkonte ndryshimin e kufijve, por dëshironte të shihte që, një ditë, kufijtë mes shteteve të Ballkanit të bëhen të parëndësishëm.

Kthehem tani sërish te drejtuesi i sotëm i Partisë Socialiste, z. Edi Rama, aktualisht kreministër i Shqipërisë. Gjashtë vite më parë, në prill 2015, siç vura në dukje në krye, ai deklaroi se, për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën ka “dy alternativa”, çdonjëra prej së cilave është “në duart e Europës”. Qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës, deklaroi Rama në atë kohë, preferojnë që bashkimi i të dy vendeve të bëhet përmes anëtarësimit të tyre në Bashkimit Europian. Alternativa e dytë, shtoi ai, do të ishte “mënyra klasike”.

A ishte dhe a është kjo “alternative e dytë” një strategji politike e qeverisë socialiste të drejtuar nga z. Rama? Unë mendoj se jo. Një strategji e tillë, për një vend anëtar të NATO-s, është jo vetëm jorealiste, por edhe e paimagjinueshme dhe z. Rama, sigurisht, e di këtë. Më shumë se një vit para se të vinte në krye të qeverisë, në shkurt 2012, z. Rama ka deklaruar se “Për ne, bashkimi i Shqipërisë me Kosovën do të ndodhë nën qiellin e Europës së Bashkuar”. Me këtë, ai kuptonte një “‘Europë të Madhe’, me të gjithë shqiptarët brenda saj”. Në vijim të asaj deklarate, Rama shtoi se “shqiptarët e Preshevës, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi duhet të jetojnë të lirë e të respektuar në trojet e tyre dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për një rajon ku pakicat janë ura lidhjeje mes shteteve e jo hendeqe vuajtjesh për njerëzit, apo arsye dasish në rajonin tonë”. Një vit pas asaj deklaratë, në prill 2013, ende pa marrë në dorë drejtimin e qeverisë në Tiranë, Rama deklaroi në Prishtinë se “Shqipëria nuk mund të predikojë fantazmën e vjetër të nacionalizimit. Shqipëria është një faktor stabiliteti në rajon”.

Dy gjëra bien në sy në këto deklarata të z. Rama. E para, dekalarata të tilla janë bërë para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, çka do të thotë se, për Partinë Socialiste dhe për vetë z. Rama, bashkimi kombëtar nuk ka qenë një premtim elektoral, siç duket se ka ndodhur me kryetarin e Lëvizjes për Vetvendosje në Kosovë, z. Albin Kurti. E dyta, deklaratat e mësipërme të z. Rama konfirmojnë pas asnjë ekuivok “alternativën e parë” si strategjinë për bashkim kombëtar përmes integrimit në Bashkimin Europian—çka është i njëjti qëndrim që socialistët shqiptarë kanë mbajtur për këtë çështje nga viti 1998 e deri më sot.

Më 2016, më shumë se një vit pas deklaratës së bujëshme mbi “dy alternativat” e bashkimit kombëtar, kryeministri Rama deklaroi sërish se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën “nuk ka qenë asnjëherë qëllim për Shqipërinë”. “Nuk ka qenë kurrë”, u shpreh ai, “sepse unë besoj fort se ‘Shqipëria e Madhe’, ‘Serbia e Madhe’, apo çfarëdo qoftë tjetër ‘e Madhe’ është ajo që na ka lënë e shkuara”.

Nëse Europa dhe Ballkani perëndimor mbeten këta që janë sot, kjo politikë shtetërore e Shqipërisë është e justifikuar dhe e arsyeshme. Por, unë besoj se konjukturat politike dhe realitetet gjeopolitikë në Europë dhe në rajonin tonë mund të ndryshojnë dhe kjo do të thotë se, si Shqipëria, ashtu dhe Kosova, duhe të jenë të përgatitura për një kohë dhe për rrethana kur bashkimi kombëtar i shqiptarëve mund të bëhet realisht i mundur. Rreth kësaj çështjeje flas në mbyllje të kësaj analize.

A ka nevojë Albin Kurti për “zëdhënës” të tillë?

Në nëntor 2019, një autor kosovar, Skënder Kapiti, në një artikull të titulluar “Albin Kurti, Kosova dhe Shqipëria”, me një patetizëm grotesk shkruante se “qëndresa, përkushtimi, serioziteti, ndërshmëria, guximi dhe vizioni i Albin Kurtit për politikën, demokracinë, interesat kombëtare dhe Bashkimin Kombëtar e kanë bërë atë realisht politikanin numër një për të gjithë shqiptaret”!

E habitshme! Si nuk e kemi ditur këtë deri më sot?! Nëse është vërtet kështu, përse të mos i ngremë një monument Albin Kurtit për së gjalli?

Ky “intelektual i shquar nacionalist”, siç e ka cilësuar dikush autorin në fjalë, por që, i diplomuar për agronomi, ai vetë thotë se është filozof, historian dhe “studiues i së drejtës romake, bizantine, osmane, britanike, amerikane dhe franceze” (ka kohë që nuk çuditem kur dëgjoj për njerëz të tillë, të ditur në kaq shumë fusha; kemi edhe në Shqipëri njerëz të tillë, “gjithologë”), pra ky njeri, z. Kapiti, shkon edhe më tej në atë artikull kur thotë se: “edhe në Shqipëri, opinioni për Albinin është i tillë, që njerëzit [në Shqipëri] besojnë se Albini duhet edhe këtu”!

Kjo është edhe më e habitshme! Cilët njerëz mendojnë kështu në Shqipëri? Uroj që vetë z. Kurti të mos ushqejë këtë iluzion. Por, nëse është vërtet kështu, atëherë monumenti i Albin Kurtit mund të ngrihet në Tiranë!

Kam parë e dëgjuar shumë deri më sot, por nuk kam parë, as kam dëgjuar një “intelektual” të kalibrit të këtij Skënder Kapitit, i cili, pak ditë më parë, madje, e cilësoi 14 shkurtin 2021, ditën kur “Vetvendosja” e Albin Kurtit fitoi zgjedhjet në Kosovë, si “çlirimin e dytë të Kosovës”! Z. Kapiti thotë edhe këtë (kujdes, lexues të nderuar, përgatituni!): “për herë të parë në historinë e shqiptarëve, që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 1912, është Albin Kurti ai që po punon për ta ngjallur dëshirën, vullnetin, vizionin dhe ëndrrën e rilindësve tanë që shqiptarët të kenë shtetin e tyre kombëtar të bashkuar”.

Përse, ende deri më sot, nuk i kemi ngritur një monument madhështor Ismail Qemalit që pranë tij të ngremë dhe një për Albin Kurtin?!

Majft me “gjithëditurinë” e këtij “intelektuali të shquar nacionalist”. Këtu e ndiej të nevojshme të them pak fjalë për “heroin” e tij, z. Albin Kurti dhe premtimet e tij për bashkimin kombëtar të shqiptarëve, edhe pse vetë z. Kurti, veç retorikës, asnjëherë nuk ka ofruar një program, ose platformë për të na thënë se si mund të arrihet kjo.

Bashkimi i dy shteteve shqiptarë në ligjërimin politik të z. Kurti

Një pjesë e mirë e shqiptarëve në Kosovë besojnë se Albin Kurti e bëri çështjen e bashkimit të Kosovës më Shqipërinë “misionin e jetës” së vet. Unë nuk di ndonjë pohim të drejtpërdrejtë të z. Kurti që ta konfirmojë këtë. Por di që ai, në shumë raste, të paktën qysh nga viti 2010, e ka vlerësuar bashkimin kombëtar si “një detyrë në interesin e të gjithë shqiptarëve dhe që e duan të gjithë shqiptarët”. Qysh atëherë, ai është shprehur madje se, “të gjithë aktorët politikë shqiptarë duhet të nisin njësimin e kuadrit ligjor dhe të [punojnë për krijimin] e kohezionit shoqëror”. Në atë kohë besohej gjerësisht se hyrja e “Vetëvendosjes” në politikën kosovare nuk kishte si qëllim thjesht njohjen e sovranitetit të munguar të Kosovës, siç është shpehur vetë z. Kurti në mëse një rast, por realizmin e qëllimit final të bashkimin kombëtar.

Në vitin 2010, kur “Vetvendosja” synonte të afirmohej si një faktor politik në Kosovë, Albin Kurti deklaronte: “Ne duam që Kosova t’i bashkohet Shqipërisë. Për këtë qëllim, duhet që qeveritë në Tiranë dhe në Prishtinë të harmonizojnë ligjet dhe veprimet politike e strategjike, në mënyrë që, një ditë, sa më parë aq më mirë, të organizojmë paralelisht referendume në Shqipëri dhe në Kosovë për bashkim”. “Qysh sot”, pohonte ai më 2010, “nuk kemi asnjë dyshim se cili do të ishte rezultati i këtyre referendumeve. Vullneti dhe interesi i shqiptarëve janë për bashkim”. Një vit më vonë, më 2011, z. Kurti deklaronte sërish: “Duam që Kosova të jetë sovrane [dhe] të ketë…të drejtën për t’iu bashkuar Shqipërisë, sepse vetëm kështu do të bëhemi të barabartë me kombet dhe me shtetet e tjerë të zhvilluar demokratikë e përparimtarë të botës”.

Si një formë ligjërimi politik, këto deklarata ishin mjaft të gjetura për një individ, i cili, pasi kishte krijuar një organizatë politike, përpiqej të bëhej pjesë e konstelacionit politik në vendin e vet dhe, pse jo, të synonte të marrte drejtimin e qeverisë, siç edhe ia arriti. Por, mua gjithmonë më ka shqetësuar diçka esenciale te ky individ, pra te Albin Kurti. Nuk di të them nëse është një farë megalomanie, një farë naiviteti politik apo, ndoshta, është më shumë demagogjia e tij. Këtë të fundit e kuptoj pasi, shpesh herë, politika dhe demagogjia janë binjake me njëra-tjetrën.

Ajo çfarë mua më ka shqetësuar e më shqetëson tek Albin Kurti është “platforma” e tij për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, nëse mund të flitet për një platformë të tillë, ose, më saktë, naiviteti flagrant i ideve që ai ka dhe shpreh lidhur me këtë çështje madhore, tepër delikate e tepër sensitive, aq sa gjithmonë i bëj vetes pyetjen: Vërtet beson ky njeri në ato që thotë?

Ndoshta z. Kurti ose nuk di më shumë dhe më mirë, ose nuk është i sinqertë me ata që e besojnë dhe e ndjekin pas.

Patetizëm apo solipsizëm politik?

 Albin Kurti beson—siç edhe është shprehur publikisht—se forma e organizimit shtetëror të dy shteteve shqiptarë të bashkuar në një do të jetë federate. “Ne mund të bashkohemi në një federatë me Shqipërinë, ose në një federatë me Bashkimin Europian”, ka deklaruar ai.

E lemë mënjanë për momentin Bashkimin Europian, pasi BE nuk është një shtet federativ. Si një sistem politik supranacional, apo si një formacion ndërqeveritar, Bashkimi Europian në disa aspekte i ngjan një shteti federal, ndërsa në aspekte të tjerë i ngjan një organizate ndërkombëtare, pa qenë as njëri, as tjetra prej tyre. Pra, nuk bëhet fjalë për federmin e Kosovës në BE, por për bashkimin e saj me Shqipërinë, binjakun e saj demografik—dy popuj dhe dy vende “të ndarë mes tyre nga një gjuhë e përbashkët”, siç shprehej George Berndard Shaw kur fliste për dallimet mes Anglisë dhe Amerikës.

Për Albin Kurtin, bashkimi i Kosovës më Shqipërinë duket se mund të jetë një sipërmarrje jo shumë e vështirë. Majftojnë vetëm dy gjëra: së pari, ndryshimi i Kushtetutës aktuale të Kosovës, neni 1.3 i së cilës sanksionon se Kosova “nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti” dhe, së dyti, pas abrogimit të këtij neni, mbajtja e dy referendumeve, një në Shqipëri dhe një në Kosovë, përmes të cilëve shqiptarët të shprehen nëse e duan ose jo bashkimin e të dy shteteve në një shtet të vetëm. “Të bëhet referendum dhe le të vendosin qytetarët”, thotë z. Kurti. “Ne [në Kosovë]”, shpjegon ai, “na kënë vënë pengesë nenin që na ndalon bashkimin [me Shqipërinë], ashtu si Austrisë që nuk i lejohet të bashkohet me Gjermaninë”. Ç’farë analogjie, edhe pse Kosova është a horse of a different color!

Kurti është i bindur se, pa shkelur Kushtetutën e Kosovës, por më parë duke e abroguar atë nen të saj që e ndalon bashkimin e këtij shteti me një shtet tjetër, “dy referendume, në Shqipëri dhe në Kosovë, mund ta zgjidhin” çështjen e bashkimit kombëtar. Të jetë vallë kaq e thjeshtë? Atëherë pse nuk e kemi bërë këtë deri më sot dhe pse duhet të presim edhe më tej? Ai duket se i nënvleftëson, ose i mohon ata faktorë që realisht e bëjnë të vështirë, në mos të pamundur në rrethant e sotme, bashkimin e Kosovës më Shqipërinë, siç janë, kundërshtimi i vendosur i shteteve fqinjë dhe, sidomos, kundërshtimi i fuqive të mëdha.

Si mund të shpjegohet një dritshkurtësi dhe një naivitet i tillë historik, politik e diplomatik?! E drejta e kombeve për vetvendosje? Precedentë të tjerë historikë?

Albin Kurti nuk e elaboron në këtë kontekst konceptin mbi të drejtën për vetvendosje por, me një naivitet të habitshëm, pohon se, ndërsa “faktorët ndërkombëtarë vazhdojnë të përcaktojë shumëçka në politikën shqiptare”, këta faktorë “ndryshojnë varësisht nga ne, varësisht se si lëvizim ne” (nëse i kuptoj drejt fjalët e tij, ato nënkutojnë “në varësi të lëvizjeve që bëjmë ne”). “Kur ne kemi qenë këmbëngulës dhe seriozë”, argumenton Kurti, aktorët ndërkombëtarë “gjithmonë i kanë ndryshuar qëndrimet e tyre”! Me fjalë të tjera, nuk jemi ne, shqiptaret, që bëjmë çfarë kërkojnë nga ne dhe çfarë na thonë aktorët ndërkombëtarë; janë këta të fundit që bëjnë çfarë duam ne dhe çfarë u kërkojmë ne atyre! Është ky patetizëm apo solipsizëm politik?

Argumenti i vetëm që sjell z. Kurti është ky: “Faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë e përkrahën pavarësinë e Kosovës kur panë vendosmërinë tonë. Dhe, të mos harrojmë”, shton ai, “se ata e bënë këtë për interesin e tyre. E përkrahën shpalljen e pavarësisë dhe e njohën atë vetëm atëherë kur kuptuan se nuk ka kurrfarë gjasash për stabilitet në rajon pa e lejuar dhe pa e mbështetur këtë”.

Mund të diskutojmë gjerë e gjatë mbi këtë subjekt, por këtu vetëm dëshiroj t’i kujtoj z. Kurti se Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe shumë shtete të tjerë e përkrahën Kosovën që të jetë e pavarur, jo që t’i bashkohet Shqipërisë, prandaj edhe imponuan në Kushtetutën e Republikës së Kosovës atë nen që e ndalon atë t’i bashkohet një shteti tjetër. Dhe, nëse këtë nuk e lejuan atëherë, çfarë ka ndryshuar, ç’rrethana të reja janë krijuar dhe çfarë arsyesh të reja ekzistojnë sot që këto fuqi të mëdha ta përkrahin e ta njohin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë?

Z. Kurti nuk u jep përgjigje pyetjeve të tilla (sepse ai nuk ka përgjigje për to). Përkundrazi, vetëm dy javë para zgjedhjeve të 14 shkurtit të këtij viti, ai deklaroi se “nuk ka ndërmend që të nisë një luftë për të bashkuar Kosovën me Shqipërinë”. Pse e pa të domosdoshme ta theksojë këtë, kur kjo luftë do të ishte për një kauzë, të cilën, sipas tij, fuqitë e mëdha, pasa së gjithash, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, mund ta përkrahin nëse ne, shqiptarët, “i bindim” ose “i detyrojmë” ata me qëndrimin tonë?! A nuk është kjo e tëra një hipokrizi e shkallës më të lartë?

Dy pyetje të shjeshta kërkojnë doemos përgjigje:

Së pari, cila fuqi e madhe do të pranonte—në rrethanat e sotme dhe në kontekstin e sotëm gjeopolitik rajonal e global—që për të bashkuar dy shtetet shqiptarë në Ballkan, pra për të krijuar një federatë shqiptare, të zhbënte 3-4 shtete ekzistues, pra të prishte ekuilibrat—edhe kështu të brishtë—në marrëdhëniet mes shteteteve të këtij rajoni, pa rrezikuar që “fuçia e barutit” të mos mbetej thjesht një metaforë, por të bëhej shkak për t’u kthyer në të kaluarën tragjike të këtij rajoni?

Së dyti, cili vend i rajonit do të donte t’i shihte Shqipërinë dhe Kosovën të bashkuara në një shtet të vetëm? Serbia? Maqedonia e Veriut? Mali i Zi? Greqia? Bullgaria?

A ka Albin Kurti përgjigje për këto pyetje? Apo ato nuk kanë rëndësi nëse Kosova abrogon një nen të kushtetutës së saj dhe në Kosovë e në Shqipëri organizohen dy referendume për çështjen e bashkimit kombëtar.

(vijon nesër)

––

©Copyright Gazeta DITA

Ribotohet me rastin e 20 shkurtit. Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Football news:

Courtois on 2:1 with Barca: Real showed that they can fight
Messi has not scored against Real Madrid since May 2018
Zinedine Zidane: Real Madrid beat Barca deservedly. You can't blame everything on the judge
Ronald Koeman: The referee should have taken a clear penalty. But Barca will have to accept it again
Sergi Roberto on Braithwaite's fall: I was surprised that the referee immediately said that nothing had happened. He did not address VAR
Ex-referee Iturralde Gonzalez believes there was a penalty on Braithwaite. Andujar Oliver thinks not
Casemiro got 2 yellow cards in a minute and will miss Real Madrid's game with Getafe