KANSAS, 25 nëntor /ATSH/ – Shenjat vitale të një të prekuri 30-vjeçar nga COVID-19 nuk ishin të mira dhe spitali i qarkut Kearny në zonën rurale Lakin, në Kansas, thjesht nuk ishte i pajisur për të trajtuar rastin, shkruan Reuters, në një reportazh të gjatë lidhur me gjendjen e vështirë të spitaleve amerikane përballë pandemisë së koronavirusit.
Miller, zyrtari kryesor mjekësor i Kearnyt, u kërkoi spitaleve më të mëdha një shtrat për 30-vjeçarin.
Por, me rastet e koronavirusit që ishin të shumta në të gjithë Kansasin, ai nuk mundi të gjente një shtrat të vetëm.
Në ditën që një shtrat u gjet diku tjetër, i riu ishte afër vdekjes. Për 45 minuta, Miller dhe stafi i tij i bënë shtypje të gjoksit, në një përpjekje të dëshpëruar për ta shpëtuar atë.
‘’Pacienti u dërgua me një ambulancë në institucionin më të madh të shtetit, rreth 40 kilometra larg.
“Është me të vërtetë një mrekulli që ai ka mbijetuar”, tha Miller.
Pasi goditi qytetet e mëdha të SHBA në pranverë, COVID-19 tani ka përfshirë Amerikën rurale dhe qytetin e vogël dhe duket se po depërton në çdo cep të vendit.
Sipas intervistave me më shumë se një duzinë ofruesish të kujdesit mjekësor dhe zyrtarëve të shëndetit publik në zemrën e vendit, në shumë spitale mungojnë shtretër, pajisje dhe ajo që është më e rëndësishme personeli mjekësor duke përfshirë specialistë dhe infermierë.
Më të prekurat janë Ohajo dhe Dakota.
Normat e rasteve të raportuara janë më shumë se dyfishi i çdo rajoni tjetër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nga mesi i qershorit deri në mes të nëntorit, rastet e raportuara në Midwest u rritën më shumë se njëzetfish./ a.jor.
