Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

FOKUS – Ukraina refuzon heqjen dorë nga anëtarësimi në NATO

KIEV, 3 dhjetor /ATSH-AFP/ – Ukraina refuzon kategorikisht të heqë dorë nga plani i saj për t’u bashkuar me NATO-n dhe çdo garanci tjetër të kërkuar nga Rusia, tha ministri i saj i Jashtëm, Dmitro Kouleba duke u kërkuar aleatëve të tij të bëjnë të njëjtën gjë.

”Kievi, për të cilin një premtim i tillë nuk është një opsion, u bën thirrje SHBA dhe aleatëve të saj që të refuzojnë kërkesat e formuluara nga Moska për të lehtësuar tensionet në kufijtë ruso-ukrainas”, theksoi Kouleba.

“Unë e hedh poshtë idenë se ne duhet t’i garantojmë ndonjë gjë Rusisë. Unë këmbëngul se është Rusia ajo që duhet të garantojë se nuk do të vazhdojë agresionin e saj kundër asnjë vendi”, tha ai.

”Një angazhim nga Ukraina për të hequr dorë nga plani i anëtarësimit në NATO – i ofruar në 2008 nga aleanca perëndimore, por që mbeti në harresë që atëherë – nuk është një opsion”, shtoi Kouleba duke theksuar se anëtarësimi në NATO dhe në BE janë në kushtetutën e Ukrainës.

“Është absolutisht e papërshtatshme që Rusia të ketë ndonjë ndikim mbi vendimet e marra nga një vend tjetër sovran, Ukraina, dhe nga një organizatë ndërkombëtare, NATO”, tha ministri.

Gjatë një takimi në Stokholm, kreu i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov kërkoi dje nga homologu i tij amerikan Antony Blinken garanci sigurie në kufijtë rusë.

Moska po bën thirrje veçanërisht për një ngrirje të përparimit të NATO-s drejt Lindjes.

Dmytro Kouleba u bëri thirrje aleatëve të tij perëndimorë që të mos bëjnë ndonjë marrëveshje të tillë me Moskën duke paralajmëruar se Kievi nuk do ta njohë kurrë.

“Ne kemi një rregull të artë në politikën e jashtme të Ukrainës: asnjë vendim për Ukrainën pa Ukrainën”, tha ministri i Jashtëm ukrainas./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.