TIRANË, 24 qershor/ATSH/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë rihapi garën ndërkombëtare për tunelin e Llogorasë, një vepër e cila i përgjigjet strategjisë sonë të turizmit duke shkurtuar distancën drejt bregdetit të jugut për të gjithë vizitorët vendas e të huaj, si dhe duke i dhënë hov zhvillimit të mëtejshëm turistik të rivierës shqiptare.

Me ndërtimin e kësaj vepre, aksi Orikum-Palasë do të përshkohet në vetëm 10 minuta.

Tuneli hap një portë të re në jug të vendit, që synon ta kthejë jugun e Shqipërinë në një atraksion turistik jo vetëm për vendin por për të gjithë rajonin dhe pse jo edhe për Mesdheun.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e hapi për herë të parë garën për ndërtimin e këtij tuneli në mesin e muajit dhjetor të vitit 2020, por në mbyllje të garës asnjë nga 5 kompanitë që morën pjesë nuk përmbushën kriteret.

“Pas një vëzhgimi shumë të detajuar ka rezultuar se asnjë nga pjesëmarrësit nuk përmbush kushtet për sa i përket dokumentacionit ligjor dhe teknik. Gara do të rihapet menjëherë mbas përfundimit të kohës së ankimimeve”, sqaroi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku pak pas mbylljes së garës.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.