Albania

HISTORI / Drejtori i Arkivave rrëzon mitin e Skënderbeut: Vdiq nga gripi si ordiner

TIRANË, Lezhë, Venedik – Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shtetit, një tjetër ilustrim i gjallë i karrierave zyrtare shqiptare që fillojnë jetën publike nga lart poshtë që në të njëzetat, dekonstruktoi dje mitin e Skënderbeut, të ashtuquajturit Hero Kombëtar të shqiptarëve.

Drejtori në fjalë, përfaqësues i sindromit të shefizmit pubertar shqiptar, kësaj dukurie klasike që ka parë ministra, kryeministra, deputetë e drejtorë në të njëzetat, të emëruar me parimin e shëndoshë, “hë se i mëson puna vetë”, – ky drejtor pra – bëri të ditur se pas studimeve të thelluara, i rezulton se Skendërbeu është mbivlerësuar kot së koti.

“Nuk e kuptoj fiksimin absurd ndaj figurave të tilla,” deklaroi drejtori, “ky tipi, që në fëmijëri quhej Gjergj dhe më pas Skënder – ekuivalenti mysliman i Aleksandrit të Madh – hëngri bukë dhe u bë njeri në oborrin e Sulltanit, ku e donin të gjithë, por i ktheu kurrizin sapo u bë i famshëm. Të mohosh bazën e fansave që të kanë mbështetur, që të kanë klikuar dhe të kanë bërë like për vite të tëra, është një pabesi e pastër”.

Gjergji në fjalë, i cili po të kishte pasur një fije modestie kur ndërroi emrin, të paktën do këmbëngulte të quhej Sandri, ose Këno, nuk plotëson asnjë parametër heroik, deklaroi drejtori.

“Imagjinoni, ai arriti deri aty sa mblodhi një grup të pakënaqurish, një bandë delfinësh inatçorë që nuk morën poste ose vende deputetësh nga Sulltani, dhe iu kundërvunë duke i kërkuar dorëheqjen sapo Ai humbi betejën e Nishit me Janosh Huniadin në vitin 1443. Edhe pse Sulltan Murati i shkretë paraqiti qindra fakte se Janoshi kishte mashtruar, se kishte shtënë në dorë me para të thata gjithë komisionerët, Kënua e bëri hasha pa ia bërë syri tërr,” arsyetoi drejtori.

Hierarku suprem i institucionit qëndror arkivor shqiptar, në vijim paraqiti argumentin kyç që e zhvesh Kënon nga çdo gjurmë heroizmi.

“Sikur asgjë nga këto që thashë të mos marrim parasysh, mjafton dokumenti ekskluziv që unë kam gjetur, që të rrëzohet gjithë legjenda e ngritur mbi këtë pseudo-hero. Sipas një faksi që një homologu im, drejtori i përgjithshëm i Arkivave venedikase të Kalasë së Lezhës Bidio Arditini ja dërgon qendrës, del se Gjergji vdiq si ordiner nga një palë ethe gripi në Lezhë, territor venedikas.

I kishte të gjitha mundësitë të vritej me pallë në dorë, në shesh të luftës dhe në atdheun e vet. Por jo, mbaroi në një krevat të huaj. Për mendimin tim, ai rrezik ka refuzuar të bëjë dhe vaksinën. Ça të them, komplet ordiner,” deklaroi maja e depozitës historike shqiptare.

P.S. I pyetur për deklaratat e fundit shkencore të kryedrejtorit kryearkivor mbarështetëror, kryeministri Edi Rama saktësoi se drejtori ishte një djalë që kishte lexuar jashtëzakonisht shumë libra dhe kishte një bagazh të hatashëm.

“Aq libra sa ka lexuar ai, ju të gjithë nuk i keni parë bashkë more jezitër,” tha kryeministri, pa saktësuar nëse i përzgjedh zyrtarët e lartë që emëron nga sasia e librave që kanë lexuar, cilësia e librave, çfarë kanë nxënë ata nga këto libra, apo asnjë nga pikat e mësipërme.

——

SHËNIM / Gojët e Liga është një rubrikë satirike që jo vetëm bashkohet me mendimin e drejtorit, por shton se vetë titulli Bej i Skënderbeut, tregon se ai ka qenë një kripto-kulak.

Football news:

Under is Interesting for Leipzig, Bayer and Eintracht. Roma estimates the winger at 15 million euros
Vladimir Petkovic: Switzerland will play in front of 30,000 Turkish fans. We will try to turn this to our advantage
Sociedad forward Isak is Interesting for Real Madrid and Man City. The transfer is estimated at 70 million euros
Bale to Italy: We understand that Wales are an outsider, but we will give our all on the field as always
Glick after 1:1 with Spain: For Poland, the Euro is just beginning
Muller-Gozensu after 4-2 with Portugal: No wonder you only ran for 60 minutes. You are playing in Italy
Spain will be in the play-offs, I'm sure. Alba about the Euro