Albania

I KUJT ËSHTË SHTETI?! Ballshi dhe morali ynë politik, çfarë mundet dhe çfarë duhet të bëjë shteti shqiptar me naftëtarët

Nga Viktor Malaj / DITA

Nëse dikush kërkon të njohë fytyrën e vërtetë të kapitalizmit shqiptar të këtyre tridhjetë viteve, ajo çfarë ndodh me industrinë e naftës në Ballsh është një nga provat më domethënëse.

Së pari aty dëshmohet qartë pafytyrësia dhe amoraliteti i politikës “demokratike” shqiptare lidhur me trajtimin e pronës së përbashkët të të gjithë shqiptarëve jo vetëm si pronë natyrore, por edhe si investim gati shekullor i mundit dhe djersës së popullit shqiptar.

Mendoj se, për të gjykuar moralin dhe vlerat/antivlerat e politikanëve njëri prej kritereve më të rëndësishëm është mënyra se si ata sillen dhe e trajtojnë pronën e përbashkët të popullit të qeverisur prej tyre.

Ashtu si pothuajse të gjitha pronat e tjera shtetërore (në të vërtetë, popullore, pasi shteti duhet të jetë thjesht administrator) edhe industria e naftës u konsiderua dhe trajtua si “mall pa zot” i cili mund t’i jepej atij që jep më shumë. Jo atij që jep më shumë për popullin, por atij që jep më shumë për partinë apo politikanët e radhës.

Në kuadrin e privatizimeve, që rezultuan “vjedhje të ligjshme” të pasurisë së popullit, edhe industria e naftës iu dha individëve pa integritet moral dhe pa kurrfarë prestigji drejtues.

Si rezultat i mungesës alarmante të përgjegjësisë qytetare dhe kombëtare të klasës politike shqiptare edhe kjo industri kaloi dorë më dorë dhe sot ndodhemi në situatën kur, pas tridhjetë vitesh, as niveli teknologjik i nxjerrjes dhe përpunimit të naftës nuk i afrohet atij perëndimor, ndërsa punëtorët e kësaj dege të industrisë trajtohen si ardhacakë apo “emigrantë të paligjshëm” në vendin e tyre.

Prej disa ditësh, shumë punëtorë dhe punonjëse të kësaj industrie ndodhen në grevë urije dhe i bëjnë thirrje Qeverisë t’i ndihmojë në zgjidhjen e problemit të mosdhënies së rrogave për muaj dhe vite të tërë.

Qeveria “premton” se do t’i ndihmojë por vetëm pasi të dalin nga greva, të lënë ultimatumet dhe “të vijnë të merremi vesh”. Për çfarë të merremi vesh?!- do të ishte pyetja e parë kur dihet qartë që horrat e pasur, spekulantë dhe hajdutë “të ligjshëm”, janë tallur dhe vazhdojnë të tallen me të drejtat e punëmarrësve.

Çështja është sa e thjeshtë aq edhe e ndërlikuar. Është e thjeshtë pasi dihet se punëdhënësit nuk iu janë përgjigjur detyrimeve kontraktore dhe kanë shkelur ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare të trajtimit të punëmarrësve, duke mos paguar për punën e kryer.

Punëtorët kanë bërë padi në gjykatë dhe kanë fituar gjyqin. Nga ana tjetër, bazuar në ligjet e kapitalizmit, marrëdhëniet midis palëve, punëdhënës-punëmarrës, janë private dhe shteti nuk merr përsipër shlyerjen e pagave.

Mirëpo, i kujt është shteti? Nëse shteti, dhe fjala është për shtetin si vazhdimësi qysh nga privatizimi në vitet ’90, nuk ndërton një legjislacion të plotë, të qartë dhe të drejtë që të mbrojë të drejtat e punëtorëve nga spekulimet, shfrytëzimet dhe padrejtësitë e punëdhënësve, atëherë ai pushon së ekzistuari shtet i asaj pjese të shoqërisë që quhen punëtorë.

Dhe kjo pjesë e shoqërisë që quhen punëtorë është aq e madhe saqë asnjë individ apo forcë politike nuk mund të vijë apo qëndrojë në pushtet pa votën e saj. Dhe, nëse dikush nuk i mbron të drejtat e punëtorëve as me legjislacion por as në praktikë, atëherë ai “dikushi”, pavarësisht nëse është në pushtet apo duke mjaullitur për pushtet nga llogoret e opozitës, nuk e meriton votën e punëtorëve.

Si mundet një shtet demokratik të ndërtojë një korpus legjislativ që lejon “shitjen” e pronës publike dikuj që s’ka kurrfarë besueshmërie intelektuale dhe provueshmërie praktike menaxhuese që të bindin për ardhmërinë ekonomike të asaj prone dhe trajtimin e ndershëm dhe të ligjshëm të të punësuarve në atë pasuri sot dhe në perspektivë?!

Akoma më keq, si është e mundur që legjislacioni dhe qeverisja demokratike të lejojnë shitjet e pronës (biznesit) privat nga një kompani tek tjetra kur kompania (individi) blerëse nuk ka asnjë garanci teknike dhe ligjore që ta trajtojë pronën dhe të punësuarit në të me dinjitet dhe ligjshmërisht?!

Si mund të lejohet kalimi i një prone të tillë, që ka qindra apo mijëra të punësuar, tek një tjetër pronar pa shlyer shitësi të gjitha detyrimet ndaj punëtorëve?! Ku kanë qenë dhe ku janë sindikatat e punëtorëve? Apo, pasi u pasuruan me disa prona të sindikatave (bashkimeve profesionale të para 1990), tani janë kthyer nga mbrojtës të punëtorëve në “dashnorë” të pasanikëve të pashpirt?!

Çfarë ka ngrënë ujku, nuk e zë gjarpëri, thotë populli. Pra, sot ndodhemi në kushtet ku shumë gjëra nuk mund të ndreqen dhe as të bëhen të pandodhura.

Faqja e parë DiTA

Atëherë çfarë mund dhe duhet të bëjë shteti shqiptar me naftëtarët? Ndoshta, gjëja e parë do të ishte bllokimi i pasurive të kompanisë dhe i llogarive të saj bankare duke përdorur si instrument organet e drejtësisë. Zbatimi i vendimit gjyqësor të formës së prerë që i njeh kompanisë detyrimin e pagimit të dhjetëra pagave të prapambetura, duhet të jetë hapi i parë dhe i menjëhershëm qeveritar.

Çfarë do të kishte bërë shteti sikur një apo më shumë punëtorë t’i merrnin “bosit” të kompanisë makinën luksoze vetjake, të blerë me fitimet marramendëse të nxjerra nga shfrytëzimi i pronës së gjithë shqiptarëve dhe nga puna e keqpaguar apo e papaguar e punëtorëve?

Me siguri, do t’i kishin arrestuar dhe burgosur. Pse nuk arrestohen dhe burgosen “bosët” hajdutë që iu marrin pasurinë qindra punëtorëve nëpërmjet mospagimit për punën e kryer?!

A mundet shteti shqiptar, i cili humb çdo vit dhjetëra miliona euro nga shpërdorimet e zyrtarëve dhe shmangiet nga pagimi i taksave, t’i paguaj momentalisht pagat e këtyre punëtorëve dhe pastaj shumën e paguar t’ia marrë pronarit mashtrues?

Dikush mund të thotë se kjo do të ishte e paligjshme dhe një precedent i dëmshëm për të ardhmen. Duhet ditur se punëtorët grevistë po kërkojnë një të drejtë që ua ka njohur edhe gjykata dhe nuk po kërkojnë luks dhe favore qejfi.

Gjithashtu, duhet ditur dhe pranuar (përveç pronarit mashtrues e hajdut), se edhe shteti shqiptar iu ka borxh grevistëve për shkak të lëshimeve dhe favorizimeve që qeveritë shqiptare, njëra pas tjetrës, iu kanë bërë dhe iu bëjnë bosëve të pasur që, shpesh, i quajmë oligarkë.

Pse bëhen “prokurime” me procedurë të përshpejtuar dhe akordohen fonde shtetërore për “kontrollin” e kontrollit të kontrollit të zbatimeve të investimeve madhore kur shteti shqiptar ka institucione dhe mekanizma për kryerjen e këtyre punëve dhe nuk iu shlyhen rrogat (nënkupto paratë e bukës së fëmijëve), disa punëtorëve të shfrytëzuar paturpësisht dhe paligjshmërisht nga përfituesit e pandershëm dhe diskreditues të sistemit?

Shlyerja e këtyre detyrimeve private nga shteti me një akt të veçantë administrativ dhe pastaj ndjekja e të gjitha rrugëve ligjore, me procedurë të përshpejtuar, për vënien përpara përgjegjësisë civile dhe penale të abuzuesve me pronat e shqiptarëve dhe me mundin e djersën e tyre, do iu kallte datën edhe shumë sipërmarrësve të tjerë shqiptarë që keqpaguajnë apo nuk paguajnë të punësuarit prej tyre, ndërkohë që ata vetë notojnë në luksin e krijuar duke shkelur çdo kod moral të shoqërisë dhe çdo kod civil e penal të shtetit.

Paratë që shteti shqiptar iu fal herë pas here të pasurve në formën e heqjes së detyrimeve mbi fitimin apo faljes së taksave e gjobave, do të mjaftonin dhe tepronin për shlyerjen e pagave të disa njerëzve të varfër, të shtypur e të pambrojtur, të cilët ende besojnë se shtetin shqiptar e kanë mbrojtës të njëllojt si ata edhe zhvatësit e tyre kriminelë.

Është më demokratik ai shtet që ulet në bisedime dhe ndihmon të varfërit e grabitur nga horrat e pasur se sa ai shtet që shtrohet në bisedime dhe premton të ndihmojë mafjozët milionerë dhe batakçinj të futbollit.

Në mënyrë që të dëshmojë realisht përgjegjësi morale, demokratike dhe kombëtare, Qeveria shqiptare duhet ta “shkelë” ligjin këtë herë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme që çojnë në plotësimin e të drejtave të naftëtarëve dhe pastaj të mbajë qëndrimet e duhura ligjore ndaj pronarëve ligjshkelës.

Qeveria as mundet dhe as duhet t’i ikë problemit me arsyetimin e gjithkundpërdorur të sistemit kapitalist se “kjo është një marrëdhënie midis privatëve”. Nëse shteti nuk e mbron privatin nga privati, punëtorin nga punëdhënësi dhe të grabiturin nga grabitësi, atëherë çfarë duhet ky shtet?!

Në të vërtetë, karakteri i shtetit duket mjaft qartë, ndër të tjera, edhe në qëndrimet që mban ndaj palëve në konflikt, ndaj palës dhunuese dhe asaj të dhunuar. Nga qëndrimi që mban në këto raste dëshmohet qartë se i kujt është realisht shteti, i shumicës së dhunuar (shtet demokratik) apo i pakicës dhunuese (shtet oligarkik).

Le të presim dhe të mësojmë pasi një veprim ka më shumë rëndësi dhe domethënie se njëqind parulla, leksione apo mitingje politike.

——–

Botuar sot si kopertinë e DITA. Ndalohet ribotimi i plotë apo i pjesshëm pa lejen e redaksisë dhe pa citimin korrekt e të dukshëm të burimit

Football news:

Steve McManaman: Real Madrid are an aging team. They need new players if they want to reach their previous heights
ISCO could move to Sevilla in January. Lopetegui is personally Interested
Bilyaletdinov about the Champions League: Loco can leave the group. Unmotivated Bayern can be beaten in the 6th round
Zlatan Ibrahimovic: I Thought about retiring, but I wanted to change the mentality of Milan
Vasco da Gama sports Director: Balotelli will be like Maradona for us
Real Madrid won't buy Mbappe in the summer of 2021 due to the crisis (Le Parisien)
Ibra scores in 39, Buffon drags in 42, Ronaldo has no plans to finish. Is football really getting old?