TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Banka e Shqipërisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave organizojnë trajnimin me temë ”Masat kundër financimit të terrorizmit (TF) dhe zbatimi i sanksioneve ndërkombëtare të KSKB (TFS)”

Në këtë trajnim morën pjesë përfaqësues nga rreth 44 institucione financiare jobanka (IFJB) si dhe shoqëri kursim-krediti (SHKK) në ditën e parë, dhe nga 50 zyra të këmbimit valutor (ZKV) në ditën e dytë.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të detyrimeve ligjore dhe nismave e aktiviteteve të vazhdueshme që Banka e Shqipërisë ndërmerr për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave si pjesë e ndërveprimit institucional, si dhe në kuadër të zbatimit të rekomandimeve të ekspertëve në raportin e vlerësimit të raundit të pestë të Shqipërisë nga Komiteti Moneyval i KiE-së.

Nё kёtë trajnim të përbashkët të dy institucioneve, në fokus ishin masat kundër financimit të terrorizmit dhe zbatimi i sanksioneve ndërkombëtare të KSKB.

Gjithashtu, trajnimi u fokusua mbi kuptueshmërinë dhe zbatimin në praktikë të detyrimeve ligjore dhe rregullative, standardeve më të mira ndërkombëtare të fushës, në kushtet kur fenomeni i pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe masat për parandalimin e tyre kanë njohur një dinamikë të spikatur në vitet e fundit në nivel global.

Ky trajnim u vlerësua nga pjesëmarrësit si një kontribut mjaft i rëndësishëm për ndërgjegjësimin e subjekteve nën juridiksionin rregullativ të Bankës së Shqipërisë, mbi çështjet e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit./a.gjonaj//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.