TIRANË, 26 shtator /ATSH/ Me rifillimin e kontrollit mjekësor bazë, më shumë se 30 mijë qytetarë përgjatë këtij muaji, i janë drejtuar qendrave shëndetësore për të kryer falas analizat e plota.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e cila thekson se, “kontrolli mjekësor bazë është pa pagesë, për çdo qytetar 35-70 vjeç, në çdo qendër shëndetësore në vend”.

Ky kontroll mjekësor rekomandohet për arsye depistuese për një sërë sëmundjesh që mund të prekin këtë moshë në mënyrë ndoshta edhe të fshehtë nga ana klinike.

Mjekët e familjes kanë të evidentuar të gjithë grupmoshën nga 35 deri në 70 vjeç që përfitojnë falas këtë shërbim dhe bëjnë njoftimin e tyre në mënyrë graduale për të shmangur edhe grumbullimet.

Njoftimi bëhet sipas prioriteteve, duke nisur me të sëmurët kronikë apo pacientët post-COVID me komplikacione të ndryshme.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.