TIRANË, 16 prill/ATSH-Maela Marini/ “Mandati i tretë nuk është personal, nuk është për mua personalisht dhe as nuk po luftoj për rekordin, por është kyç për Shqipërinë dhe është jetik për rrugën e vendit”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, i ftuar në një studio televizive, ku deklaroi se, “nëse ka diçka që lidhet me mua personalisht është se unë duhet patjetër të tejkaloj veten dhe të jem kryeministri i të gjithëve”.

“Kryeministër i të gjithëve jo thjesht në punën që bëj, pasi unë s’i ndaj majtas e djathtas kur bie tërmeti, kur bëhen vaksinat, kur ndërtohen shtëpitë, por kryeministri i të gjithëve në një tjetër qasje”, tha Rama.

Ai tha se, “gratë e këtij vendi që kanë një barrë shumë të madhe nuk e meritojnë ta fillojnë mëngjesin në orën 7 me Bashkimin dhe klithmat që dëgjohen në telefonat e Bashkimit që janë klithma që i ka stimuluar politika e një dite më parë, e më pas ta vazhdojnë me konferenca shtypi me baltë dhe gurë, t’u ngecë dreka në fyt kur dëgjojnë parlamentin dhe në darkë të terrorizohen nga helmi i klubeve mediatike që përsëri e kanë burimin te politika”.

“Jua kemi borxh njerëzve një lehtësim të barrës që u vëmë mbi kurriz çdo ditë”, tha Rama.

Rama tha se “politika këtu është një stres i madh për njerëzit, një stres i kotë dhe unë dua të jem kryeministri i të gjithëve”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.