TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Një ndërhyrje e rrallë në zemër tek një i porsalindur është kryer me sukses në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, duke i shpëtuar jetën një foshnje vetëm pak ditëshe.

Lajmin e mirë e ka dhënë Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila shprehet se për herë të parë është përdorur një procedurë e veçantë tek një foshnje 3 ditëshe.

“Një ndërhyrje e rrallë në zemër tek një i porsalindur është kryer me sukses në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, duke i shpëtuar jetën Anrit të vogël. Traspozicioni i arterieve të mëdha, ndërhyrja e komplikuar në zemër që kryhet në klinikat më të mira në Botë, është realizuar me sukses nga prof. Altin Veshti, prof. Arben Baboçi, dr, Saimir Kuçi dhe dr. Alfred Ibrahimi. Menjëherë pas lindjes është identifikuar patologjia e rrallë dhe për herë të parë është kryer procedura hemodinamike e Rashkind tek një fëmijë vetëm 3 ditësh, falë punës së jashtëzakonshme të dr. Aurel Demiraj dhe Albert Koja, për të stabilizuar parametrat jetësor të Anrit të vogël. Pak ditë më vonë është kryer me sukses ndërhyrja e rrallë në zemër nga ekipi fantastik i Kardiokirurgjisë”, – tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu thekson se “një super punë në ekip i stafeve të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, ekipit të Kardiokirurgjisë dhe Pediatrisë në QSUT që i kanë dhënë një jetë të dytë Anrit”.

/k.s//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.