TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Berat, u shpreh se e ardhmja pritet të jetë shumë e mirë, duke u ndalur tek investimet që pritet të nisin shumë shpejt.
Kryeministri Rama tha se e rëndësishme në këtë moment është dalja nga kthetrat e pandemisë.
“Në turizëm, ne kemi një ndryshim shumë të madh të qasjes dhe kemi patur shumë investime në këtë katërvjeçar. Numri i hoteleve të ndërtuara që janë kryesisht të sipërmarrjes shqiptare, ka çelur rrugën për invesitmet e huaja dhe këtu mund t’ju them se investimi që do të nisi shumë shpejt tek porti i Durrësit është investimi më i madh i realizuar ndonjëherë në vendin tonë. Kanë ardhur të gjitha dokumentet dhe falë marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara pritet të nis puna shumë shpejt”,- tha Rama.
“Investimet në Vlorë në portin turistik të Vlorës, në portin e ri tregtar të Vlorës, investimi tjetër, në portin e ri turistik të Sarandës, që nis së shpejti. Investimi në Aerportin e Tiranës nis së shpejti, nuk është investim i huaj, por nga ndërmarrja që bleu aeroportin nga pala kineze. Një investim shumë i domosdoshëm dhe i vonuar në kohë, që ka të bëjë me terminalin e ri, zgjerimin e pistës”,- tha Rama.
Ai njoftoi se po negociohet dhe për çmimet e udhëtimit. “Është duke u bërë një negociim dhe do ketë ulje çmimesh dhe s’do jetë më një nga aerportet më të shtrenjta të Europës dhe Botës, por do ketë çmime normale. Aeroporti i Vlorës po ashtu është një investim shumë i rëndësishëm”,- tha Rama.
“Kemi dhe investimet këtu në Berat. Kemi investim të rëndësishëm të Shellit, flitet për një pasuri të madhe të zbuluar që së shpejti do jetë në dispozicion të ekonomisë shqiptare. Një tjetër investim i huaj ka nisur në sektorin e gazit e të naftës po nga kompania amerikane. Kemi investimin tjetër për Skavicën, nga kompani amerikane, që do jetë një ndryshim i madh i profilit të të prodhimit të energjisë, pasi do kemi atë që mungon në kaskadën e Drinit, mundësinë për ruajtur ujin në rast teprice, duke e përdorur atë në rast thatësie, duke na larguar kështu nga lidhja skllavërore që kemi patur me qiellin për sa i takon reshjeve. Po ashtu kjo do na ndihmojë në uljen e importit dhe rritjen e eksportit”,- shtoi Rama
“Investimi në korridorin blu për të ndërtuar gjithë autostradën e standardeve europiane nga Muriqani në Milot e pastaj deri në Fier. Procedura mbaron këto ditë, por në listë është tuneli i Llogorasë. Pra investime kemi në çdo fushë, në infrastrukturë, energji, në të gjithë pjesën e rëndësishme të ekonomisë sonë, prandaj kemi arsye shumë të forta se e ardhmja do jetë vërtet e mirë. Duhet të dalim sa më shpejt nga pandemia, se kjo ka ndikimin e vet pa diskutim”,- theksoi Rama. /j.p/
