TIRANË, 26 shtator /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e shoqëruar nga Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, bëri një vizitë në ndërmarrjen e agropërpunimit “KB Krushë”, në Krushë të Madhe, të Kosovës.

Ndërmarrja është krijuar nga gratë e veja, të cilat humbën burrat e tyre gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.

Për themelimin e ndërmarrjes ka kontribuar edhe Ambasadori Qemal Minxhozi.

Në këtë ndërmarrje punojnë kryesisht gra dhe vajza. Ndërmarrja përpunon produktet bujqësore të destinuara jo vetëm për tregun vendas, por edhe për eksport në Gjermani, Austri, Zvicër, Francë e deri në SHBA.

Kryeparlamentarja Nikolla i përgëzoi gratë dhe vajzat e Krushës, të cilat i mbijetuan masakrave të serbëve, përballuan dhimbjen e vështirësitë dhe gjetën forcë të krijojnë këtë ndërmarrje, që tregon shpirtin e rezistencës, fuqinë dhe vitalitetin e tyre.

/a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.