PRISHTINË, 17 maj /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ciklin e takimeve me disa nga presidentët e rajonit në kuadër të Samitit Brdo-Brijuni në Slloveni, e ka përmbyllur me presidentin e Maqedonisë Veriore, Stevo Pendarovski.

Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet të dy shteteve fqinje janë vlerësuar të mira, ndërkohë që të dy presidentët janë angazhuar për thellimin e mëtejmë të tyre, sidomos në sferën e shkëmbimit tregtar e ekonomik, arsimit, kulturës e turizmit.

Në këtë takim është bërë e ditur se në kuadër të bashkëpunimit ndërshtetëror, së shpejti do të mbahet një takim i përbashkët i Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë Veriore.

Presidenti Pendarovski e ka njoftuar homologen Osmani se shteti i tij do ta rrisë prezencën në kuadër të trupave të KFOR-it, teksa i ka dhënë mbështetje liberalizimit të vizave, rrugës evropiane të Kosovës si dhe anëtarësimit në NATO.

Osmani dhe Pendarovski kanë kundërshtuar idenë e ndryshimit të kufijve në rajon, duke theksuar se rajonit i nevojitet stabilitet. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.