Kryenegociatori i Shqipërisë për negociatat me BE-në, Zef Mani, në një intervistë për emisionin “Real Story”, në “News 24”, u ndal tek kontributi i partive politike, në integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Sipas Manit, partitë politike duhet të ulin tonet dhe të gjithë bashkë të kontribuojnë në këtë aspekt, pasi ajo që fiton në fund është vetëm Shqipëria.

“Ky është një projekt madhor. Kjo është në të mirë të vendit. Në institucionet ndërkombëtare nuk integrohen partitë politike, por vendi. Kur u integrua Shqipëria në NATO, unë isha ambasador në Londër. Në krye ishte PD, por u fut Shqipëria jo partia. Duhet të dihet se përafrimi me korpusin ligjor që ka marrë vendim unioni që nga ’57-a e këndej, rrok 15 kapituj e mijëra faqe. Duhet të bëhen të gjithë bashkë për këtë punë, është në interes të vendit tonë. Për këtë gjë, që unë kam nderin të kontribuoj, duhet të ndihmojnë të gjithë, e jo me fjalë e retorikë. Ka ardhur koha të ulen tonet dhe të bashkëpunohet. Projekti i integrimit, që ka nisur vjet, që të hapen negociatat për Shqipërinë, nuk ka hapje politike, është hapur. Ne presim që të ulemi dhe të diskutohet me unionin. Sa më shumë ne të mos kemi kujdes për pikërisht hedhjen baltë, aq më shumë do të ndikojë në mendimin e politikanëve karshi nesh”, u shpreh kryenegociatori.

Ndër të tjera Mani tha se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe kërkesat e vendosura nga BE. Sipas tij, tashmë pritet vetëm mbledhja e Konferencës Ndërqeveritare për një hap të mëtejshëm.

“Nuk dua të flas në emër të unionit, roli i negociatorit është mbi strukturat dhe rolet e partive. Unë kam takuar presidentin që kur kam ardhur në punë, ai ka shprehur interes dhe gatishmërinë që të më ndihmojë. Por të ndërhyjë në pozicionin që kam që e shoh mbi strukturat partiake, sepse i tillë është. Motivacioni është që vendi të hyjë në union. Janë katër kushte që janë plotësuar dhe 11 kërkesa që janë plotësuar. Kushtet kanë qenë katër për të kryer para hapjes së konferencës së parë ndërqeveritare, këto katër janë: kodi elektoral, zgjedhor, funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese dhe e katërta ngritja e institucioneve në luftën ndaj korrupsionit. Këto kushte janë plotësuar nga vendi ynë. Në të tëra këto ka rezultate konkrete. Po ju them se janë rreth 20 komisionarë që janë në procedurë penale për zgjedhjet e 2017-ën. Është një prokuror që është në ndjekje, ka shifra. Që nga fillimi i SPAK-ut, kjo strukturë ka 15 prokurorë në hetim, është funksional. Byroja Kombëtare për hetimin po ashtu është funksionale. Procesi i VETING-ut kërkon pak kohë, janë të lidhura të gjitha elementët dhe rezultatet janë”, u shpreh Zef Mazi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb