TIRANË, 6 gusht /ATSH/- Këshilli Konsultativ për Punësim, i Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, (AKPA) zhvilloi mbledhjen e parë të tij me fokus programet e reja për nxitjen e punësimit.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, u shpreh se “me pjesëmarrjen e drejtuesve të institucioneve si DPT, ISSH, Inspektoriati i Punës, MSHMS në kuadër të shndërrimit të Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, ky Këshill diskutoi dhe miratoi: Planin 3 vjeçar të AKPA-s, Rregulloret për Zbatimin e Programeve të Nxitjes së Punësimit”.

Denja tha se “Programet e Nxitjes së Punësimit, do të shërbejnë si mbështetje për punësimin, formimin dhe praktikat profesionale, për hapjen e bizneseve të reja apo punësimin në komunitet të punëkërkuesve të papunë”.

Këshilli Konsultativ i Punësimit është organi më i lartë konsultativ i AKPA, i cili kryen këshillime, merr vendime dhe jep rekomandime për AKPA mbi hartimin dhe zbatimin e politikave, të strategjive dhe të programeve kombëtare për nxitjen e punësimit dhe uljen e papunësisë.

Gjithashtu rekomandon përmirësimin e sistemit të punësimit dhe të zhvillimit të aftësive në përputhje me zhvillimet e sektorëve të ekonomisë dhe të standardeve për vlerësimin e cilësisë së programeve të nxitjes së punësimit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.