TIRANË, 12 maj /ATSH/ Qeveria po mbështet financiarisht, përmes një programi vetëpunësimi, të papunët e regjistruar që kanë një ide biznesi.

Programi subvencionon për të gjithë të përzgjedhurit si përfitues grantin për ngritjen e biznesit deri në masën 500 mijë lekë.

Agjencia Kombëtar e Punës dhe Aftësive, organizoi sot në Tiranë ceremoninë e firmosjes së kontratave nga përfituesit e këtij granti.

Për rajonin e Tiranës nga ky program e përfituan 20 punëkërkues të papunë, ndërsa  pjesëmarrësit u informuan për zbatimin e mëtejshëm të programit dhe mënyrën sesi do të bëhet financimi.

Programi i vetëpunësimit zbatohet për herë të parë nga AKPA dhe është pilotuar në 4 rajone: Tiranë, Shkodër, Dibër dhe Kukës.

Ky program ka si qëllim nxitjen e vetëpunësimit nëpërmjet krijimit të sipërmarrjeve të reja të punëkërkuesve të papunë të interesuar.

Për të aplikuar në këtë program, aplikuesi duhet të jetë punëkërkues i papunë i regjistruar në strukturën vendore të punësimit, të këtë një ide biznesi, e cila nuk është në kundërshtim me kriteret e konkurrueshmërisë, të përcaktuara në dispozitat e Kodit të Punës. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.