TIRANË, 30 tetor /ATSH/ -“Reforma e sistemit të drejtësisë në Shqipëri është reforma më gjithëpërfshirëse e kryer në Shqipëri në 30 vitet e fundit”.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi sot se, është arritur një mbështetje buxhetore nga Bashkimi Europian me 42 milion euro si dhe është miratuar disbursimi i parë prej 7 milionë euro.

“Në mbështetje të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë dhe Planit të Veprimit, për të siguruar një sistem gjyqësor efektiv, të pavarur dhe transparent, në përputhje me praktikat më të mira europiane, kemi arritur mbështetjen buxhetore nga Bashkimi Europian me 42 milion euro si dhe është miratuar disbursimi i parë prej 7 milion euro”, tha Gjonaj.

“Kontrata sektoriale në Drejtësi me BE-në dhe procesi i disbursimit po ndiqet dhe koordinohet në mënyrë rigoroze nga Ministria e Drejtësisë, aktualisht presim miratimin e disbursimit të këstit fiks prej 2 milion euro dhe këstit variabël prej 6 milion Euro”, u shpreh Gjonaj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.