ROMË, 3 mars /ATSH-ANSA/ – Kryeministri italian, Mario Draghi i kërkoi sot presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, të përshpejtojë përgjigjen europiane ndaj pandemisë, veçanërisht në lidhje me vaksinat, gjatë një interviste telefonike.

“Objektivi përparësor i përshpejtimit të përgjigjes europiane ndaj COVID-19, veçanërisht në lidhje me vaksinat, ishte në qendër të shkëmbimit të pikëpamjeve të tyre”, tha presidenca e Këshillit italian, në një njoftim për shtyp.

Nga ana e saj, von der Leyen bëri një postim në Twitter ku shkruhej se “diskutoi bashkëpunimin për prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave”.

Vonesat në shpërndarjen e vaksinave antiCOVID-19, blerja e të cilave u bashkua dhe u organizua në nivel europian nga KE, janë objekt kritikash në shumë shtete anëtare.

Në njoftimin e saj për shtyp, presidenca e Këshillit Italian citoi, gjithashtu, në temat e diskutuara kërkesën për menaxhimin europian të flukseve migratore, që synojnë proporcionalitet më të madh midis përgjegjësisë dhe solidaritetit të shteteve anëtare./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.