Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Sfidat e medies në rajon, gazetarë të rinj nga Ballkani Perëndimor mblidhen në Tiranë

TIRANË, 16 tetor /ATSH/ Tetëmbëdhjetë gazetarë të rinj nga Ballkani Perëndimor u mblodhën, këtë javë, në Tiranë, për të diskutuar sfidat e medies në rajon dhe mënyrat për trajtimin e tyre.

Veprimtaria, e quajtur “Shtigje rinore” është tashmë një traditë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, e cila ka mbledhur të rinj nga rajoni që prej vitit 2017 me qëllimin për t’u lidhur me njëri-tjetrin e për të folur për demokracinë, sigurinë, paqen dhe bashkëpunimin. Sivjet ishte hera e parë që “Shtigje rinore” u përqendrua në një temë specifike, medien, pasi u organizua në të njëjtën kohë me Konferencën VIII të OSBE-së për Medien në Evropën Juglindore, që u zhvillua në Tiranë më 11 dhe 12 tetor 2021.

Gazetarët e rinj punuan së bashku për të hartuar një dokument, të titulluar Platforma Mediatike e Tiranës, ku njohën rëndësinë dhe urgjencën e trajtimit të disa prej çështjeve më të ngutshme në media si standardet etike të ulëta, vetërregullimi i kufizuar, niveli i ulët i edukimit mediatik, lajmet e rreme, dezinformimi, mundësinë e kufizuara për filtrimin e informacionit, kushtet e këqija të punës, si edhe mungesën e sigurisë dhe të mbrojtjes, veçanërisht të gazetareve. Në emër të të gjithë pjesëmarrësve në “Shtigje rinore”, dy prej tyre, Ljubica Ivanova nga Maqedonia e Veriut dhe Lazar Convs nga Serbia, e paraqitën Platformën në Konferencën për Median në Evropën Juglindore. Ata bënë thirrje që institucionet shtetërore, organizatat mediatike dhe ato ndërkombëtare t’u kushtojnë vëmendje rekomandimeve të tyre, duke theksuar se gazetarët e rinj e shohin veten pjesë të zgjidhjes.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, gazetarët e rinj u takuan, mes të tjerëve, edhe me ministren e Rinisë, Bora Muzhaqi; kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj; drejtoren e përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Rinisë, Kleina Kasanai; përgjegjësin e Departamentit të Gazetarisë, Mark Marku; sekretarin e përgjithshëm të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), Albert Hani; ambasadorin holandez Reinout Vos; si edhe me Përfaqësuesen e OSBE-së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro dhe me kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco.

Po ashtu, ata vizituan ish-burgun politik të Spaçit dhe dëgjuan dëshmi nga e shkuara komuniste e Shqipërisë, si një kujtesë që liria dhe liria e medias nuk mund të merren si të mirëqena.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri e organizoi “Shtigje rinore 2021” me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim, të ambasadave të Greqisë dhe të Italisë në Shqipëri, si edhe në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, RYCO-n, Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës dhe misione të tjera të OSBE-së në rajon.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.